Përkujtohet në Tiranë vizita e ish- kryeministrit bavarez Strauß
21 Gusht 2014Ish-Kryeministri bavarez Franz Josef Strauß zë një vend të veçantë në memorien kolektive të shqiptarëve. Ai është politikani i vetëm perëndimor që vizitoi Shqipërinë e izoluar komuniste para rënies së Perdes së hekurt, një ndër politikanët e paktë gjermanë dhe kryeministër i Bavarisë që ruante kontakte me vendet e Europës Lindore. Mbajtja e fshehtë nga regjimi komunist i vizitave të tij, që pasuan të parën më 21 gusht 1984, i mbuloi ato me velin e misterit, që në një pjesë të mirë u hoq mbrëmë, në kremtimin e 30 vjetorit të vizitës së Strauß, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Ekspozita me foto nga vizitat e tij, fjala e Zv. Presidentit të Bundestagut, Johannes Sighammer , Ambadsadorit gjerman në Tiranë, Hoffmann, kryetarit të Kuvendit, Meta dhe kryeministrit Rama si edhe kujtimet personale të djalit të tij, Max Jozef Straus, i pranishëm në këtë kremtin e hodhën dritë mbi rëndësinë dhe kontekstin e vizitës historike të 21 gushtit 1984. Në fotot e vëna në dispozicion nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit, të publikuara mbrëmë për herë të parë, shfaqen qytetet që vizitoi F. J. Straus, drejtuesit komunistë që ai takoi dhe zhvilloi bisedime.
Shqipëria- më pranë Europës se kurrë më parë.
Tingujt e Hymnit të BE ishin kuptimplotë mbrëmë në kremtimin e 30 vjetorit të vizitës së Strauß –it në Shqipëri. Ish-kryeministri bavarez kujtohet edhe sot e kësaj dite si një nga politikanët perëndimorë më të dedikuar në krijimin e BE apo siç e pat shprehur ai vizionin në librin e tij ”Projekti i Madh” Shteteve të Bashkuara të Europës. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në fjalën e tij të rastit tha se” F.J. Strauß nuk e kuptonte Europën pa Lindjen e saj. Sikur mesazhet që ai dha në verën e vitit 1984 të ishin kuptuar, Shqipëria do të kishte qënë 30 vjet më parë në BE,”u shpreh Ilir Meta.
Edhe, Kryeministri Edi Rama duke sjellë kujtime personale nga viti 1984, tha se Strauss kërkoi të afrojë Shqipërinë parakohe me BE-në.” Pa as më të voglin dyshim në vitin ‘84 kur kryeministri i Bavarisë Strauß u shfaq në Shqipëri, u krijua një legjendë e madhe urbane se ai ishte një nga liderët evropianë që Enver Hoxha e kishte sulmuar personalisht dhe në mënyrë të përsëritur. Atëhere nuk kishim mundësi të shihnim imazhet që tregojnë këto foto, gjë që e bënte më pjellor terrenin e imagjinatës dhe njerëzit mendonin” këtë herë gjermanet erdhën të na çlirojnë”. Franz Josef Strauß bëri përpjekje reale për të krijuar një marrëdhënie konkrete me regjimin e atëhershëm por u desh rrëzimi i Murit të Berlinit që të fillonte transformimi dhe që Shqipëri të bëhet pjesë e komunitetit të vendeve të Europës” tha mbrëmë kryeministri Rama. Për Zv. Presidentin e Bundestagut , Johannes Sighammer, “Shanset e tanishme për integrimin e Shqipërisë në Evropë nuk kanë qenë kurrë më të mundura se tani”.
F.J. Strauß – arkitekt i marrdhënieve të ngushta mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.
Kremtimi mbrëmë në Tiranë i 30 vjetorit të vizitës historike të F.J. Strauß në Shqipëri i drejtohet më shumë të tashmes dhe të ardhmes së marrëdhëniesve mes dy vendeve, bazat e të cilave u hodhën pikërisht 30 vjet më parë. Ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffmann, duke sjellë kujtime personale nga viti 1984 theksoi se “Vizita e Strauß hodhi gurët e themelit të marrdhënieve të ngushta mes Gjermnaisë dhe Shqipërisë. Këto marrëdhënie janë shumë të suksesshme dhe Gjermania gëzon respektin e shqiptarëve”. Ndërsa Kryeministri Rama e cilësoi kremtimin e 30 vjetorit të vizitës në Shqipëri të F.J. Straus “ shprehje e një vullneti jo thjesht për të kujtuar një njeri që u bë mik i shqiptarëve por edhe për të shprehur dëshirën tonë të madhe që të forcojmë marrëdhëniet me Gjermaninë dhe pse jo me Landin e Bavarisë. F.J. Straus ra në atëhere sevda me Shqipërinë. Shqipëria është një vend me të cilin gjermanët dhe bavarezët mund të bien lehtë në sevda nëse vijnë këtu” tha kryeministri Rama.
Gjermania- partner e strategjike e Shqipërisë dhe model nxitjeje dhe frymëzimi.
Në këtë kontekst, Kryetari i i Kuvendit, Ilir Meta e cilësoi Gjermaninë një “partner të rëndësishëm strategjik për zhvillimin e vendit dhe të ardhmen evropiane. “Ne çmojmë mbështetjen gjermane në përpjekjet tona për forcimin ligjit dhe bashkëpunimi do jetë mjaft i ngushtë për reformën në drejtësi. Gjermania vazhdon të jetë një model nxitje dhe frymëzimi për ne për të realizuar një Shqipëri me standarde evropiane. Qeveria shqiptare çmon mbështetjen gjermane në fushën e forcimin e ligjit dhe kryesisht për reformën në drejtësi” theksoi Ilir Meta. Ndërsa ambasadori gjerman Hoffman i cilesoi marrëdhëniet bilaterale” shumë të ngushta” dhe shtoi se Gjermani është donatori më i rëndësishëm për Shqipërinë.
Për një miqësi të gjatë gjermano- shqiptare
I biri i F.J. Strauss, Max Jozef Straus, solli mbrëmë kujtimet personale nga udhëtimi i babait të tij në Shqipëri.” Momenti i tërheqjes që patëm për Shqipërinë ishte kur shkuam në Hanin e Hotit. Ne patëm mundësinë të shihnim nga afër vuajtjet e Shqipërisë . Im atë e kishte përjetuar nga afër luftën dhe mjerimin. Reagimi i menjëhershëm i babait tim ishte që duhet të ndihmonim këtë vend. Po e mbyll me një shprehje, të cilën do e përdorte dhe im atë. “Për një miqësi më të gjatë, edhe për shumë vite”.”-tha mbrëmë në Tiranë , Max Jozef Strauß.