Respektimi i të drejtave të njeriut në Shqipëri
10 Dhjetor 2013Arjan Lile, kryetar i shoqatës “Sfinksi” që mbron të drejtat e egjiptianëve të Shqipërisë, thotë se ky komunitet përballet me probleme shumë të mprehta që janë akumuluar ndër vite. Sipas tij, duhet nisur që nga njohja me ligj dhe me kushtetutë e egjiptianëve të Shqipërisë, duke i trajtuar si minoritet etno-kulturor. Përfaqësimi në vendimarrje dhe në politikë i anëtarëve të komunitetit tonë të bëhet sipas modeleve ballkanike, si në Rumani, Kroaci, Mali i Zi, Serbi, Maqedoni, dhe së fundmi në Kosovë, thotë Arjan Lile për DW.
“Një tjetër aspekt ku mund të përmirësohen të drejtat tona është dhe zgjerimi e promovimi i më i madh i ligjit antidiskriminim, nëpërmjet spoteve publicitare dhe bashkëpunimit. Të ketë më shumë akses me kuotat e arsimit të lartë, në një kohë që punësimi është ‘thembra Akilit' sepse ka një shkallë të frikshme papunësie. Pa ndërhyrë në këto aspekte ne do të mbetemi të veçuar si dhe pa përfshirje sociale. Për shtresat e margjinalizuara nuk duhet të kujtohen vetëm në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ose të punohet me fushata. por duhet punuar sistematikisht me iniciativa dhe programe të qëndrueshme. Sepse këto janë përmbushje dhe të të detyrimeve për procesin e integrimit europian të vendit.”
Arjan Lile thotë se organizata joqeveritare që ai drejton është duke bërë përpjekje për të sensibilizuar opinionin publik, por dhe autoritetet që të ketë respektim të të drejtave për egjiptianët, të ndalet diskriminimi, si dhe të integrohen në shoqëri.
Shërbime miqësore e profesionale për mbrojtjen e fëmijëve
Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës Shqiptare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, CRCA, shprehet se fëmijët si një nga grupet më të prekshëm dhe më të papërkrahur të shoqërisë fëmijët shpesh gjenden pa të drejta, me pak të drejta ose me të drejta që i shkelen, si nga familja ashtu edhe nga shteti. Ai thotë se CRCA-ja është e fokusuar në disa angazhime si ndërgjegjësimi publik për të drejtat e fëmijëve, në mënyrë që familja të shmangë dhunën dhe neglizhimin e fëmijëve. Jemi për një dialog të qendrueshëm me institucionet publike, sidomos Kuvendin dhe Ministritë, për të bërë të mundur që premtimet e politikanëve të kthehen në ligje, politika, plane veprimi dhe buxhete për të mbështetur ndryshimin që fëmijët dhe të rinjtë presin të ndodhë në jetën e tyre, thotë Altin Hazizaj për DW.
“Fokus i yni është dhe ndërtimi dhe forcimi i kapaciteteve të zyrtarëve publik për të punuar me dhe për fëmijët, por dhe dërtimi i shërbimeve miqësore dhe profesionale për mbrojtjen e fëmijëve dhe mbështetjen e tyre. Projekti i Qendrës sonë që njihet si ‘Alo 116' është shembulli më i mirë që mund të sjellim në këtë drejtim, ku në 4 vjet ka mbrojtur, referuar dhe këshilluar mëse 13 mijë fëmijë në situata emergjence ose mbështetje për ndihmë.”
Harresë dhe neglizhencë për ish të përndjekurit politikë
Besim Ndregjoni, aktivist i të drejtave të njeriut është njëri prej Ambasadorëve të Paqes të OKB-së në Shqipëri. Duke qenë prej vitesh si president i Unionit Mbarëkombëtar të ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë në Shqipëri, Ndregjoni shprehet se për fat të keq edhe pas 23 viteve që Shqipëria ka lënë pas regjimin stalinist, të drejtat dhe liritw e atyre që vuajtën, u vranë dhe u përndoqën nga ky regjim nuk po respektohen sipas standardeve. Në këto vite politika ka thënë shumë fjalë, ka premtuar shumë, por në fakt për këtë shtresë që ende vuan pasojat e së kaluarës ka bërë shumë pak, deklaron për DW Besim Ndregjoni.
“Harresa dhe neglizhenca kanë qënë dy goditje që ish të përmdjekurit kanë marrë gjatë kësaj kohe. Mjaft prej tyre nuk jetojnë më. Nuk arritën të gëzonin ato të drejta që ju ka dhënë ligji, për t'u dëmshpërblyer moralisht dhe financiarisht. Ata nuk janë pjesë e administratës, atyre nuk ju është rikthyer prona që ju grabit nga regjimi i kaluar, por që fatkeqësisht pas viteve ‘90 ju tjetërsua me mashtrime dhe manovrime të paskrupullta. Asnjë subjekt politik, majtas, djathtas apo në qendër, nuk ka një program kombëtar për dënimin e krimeve të komunizmit”.
Sipas Besim Ndregjonit nga Unionit Mbarëkombëtar të ish të burgosrve dhe ish të përndjekurve politikë, kjo shtresë e popullatës madje dhe provokohet nëpërmjet ceremonive zyrtare ku tundet dhe fotografia e ish dikatorit Hoxha.
“Toleranca dhe fryma joarmiqësore që ka aplikuar shtresa e ish të përndjekurve si duket po perceptohet si shenjë dobësie, përderisa heshtja dhe neglizhenca vijon nga autoritetet për të respektuar të drejtën që jep ligji dhe kushtetuta”, thotë ai për DW.