1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për Cameronin nuk ka më kthim pas

12 Nëntor 2015

Pavarësisht se për cilat reforma do të bihet dakord paraprakisht - përfundimi i referendumit britanik për anëtarësinë në BE është i paparashikueshëm. Stabiliteti i BE rrezikohet, mendon Barbara Wesel.

https://p.dw.com/p/1H4HP
Großbritannien David Cameron Rede EU Reform
Fotografi: Reuters/K. Wigglesworth

Kryeministri britanik del në skenat evropiane dhe bërtet me të gjithë fuqinë: BE duhet ta dijë, se Britania e Madhe mund të ekzistojë edhe pa të. "E bërtitur e mirë, Dave", të vjen t'i thuash. "Po edhe ti duhet ta dish se edhe mund të mbijetojmë pa ty!" Përsa i përket retorikës së tepruar dhe britmave të mprehta, Cameroni me gjasa do të fitojë muajt e ardhshëm shumë çmime. Por loja është e njohur: të bërtiturat i drejtohen publikut të vendit të tij, në Bruksel ato nuk i bëjnë askujt përshtypje.

Për një kohë të gjatë u bënë spekulime se cilat kërkesa dramatike mund të shtronte Cameroni, për të siguruar mbetjen e Britanisë së Madhe në BE. Kufizimi i lirisë së zgjedhjes së vendbanimit në Evropë ishte për shembull në listën e tij. Por këtu Angela Merkel i tregoi atij para disa muajsh vijën e kuqe dhe i bëri të qartë se liria për të punuar dhe jetuar kudo në Evropë bën pjesë në parimet bazë të BE.

Barbara Wesel Studio Brüssel
Fotografi: DW/G. Matthes

Shtypi bulevardesk britanik nxit

Ndërkohë diskutohet vetëm që punonjësit migrantë nga BE të mos lejohen të marrin për katër vjet me radhë shërbime sociale në Britaninë e Madhe. Për juristët nuk do të jetë e lehtë përshtatja e rregullave. Populli në Britaninë e Madhe beson se punëmarrësit e shumtë polakë, rumunë dhe të tjerë nga BE shfrytëzojnë arkat e sigurimeve sociale të vendit. Shtypi bulevardesk ua ka mbushur njerëzve mendjen për këtë. Asgjë nga këto nuk është e vërtetë, por në fund të fundit bëhet fjalë vetëm për politikë simbolike.

Edhe në pikat e tjera Cameroni ka paraqitur ndërkohë kërkesa të zbutura. Francezët ia bënë të qartë mjaft herët kryeministrit britanik se ata nuk janë të gatshëm të diskutojnë ndryshime të vërteta të marrëveshjeve të BE. Cameroni duhet të kuptojë se referendumi i tij nuk duhet të shkaktojë një varg referendumesh të tjera në vende të tjera të BE, me pasoja të paparashikueshme.

Diskutim jo në kohën e duhur

Në përgjithësi, pas muajsh diplomacie pas perdeve ai e ka bërë disi të menaxhueshme paketën e tij të negociatave. Ajo është aq e gjerë sa të simulojë grindje në BE, por jo më aq radikale, sa shkëputja e britanikëve në Evropë të duket gjë e mbaruar.

Megjithatë, propozimi britanik ka dy difekte vendimtare që në lindje: ai vjen në një kohë të papërshtatshme. Dhe më e keqja: ai vjen në kohën më të papërshtatshme, më të gabuarën e të gjitha kohërave. BE po përjeton aktualisht një provë rezistence, në të cilën vihen në një provë të rrezikshme për shkak të krizës së refugjatëve vlerat, solidariteti dhe kohezioni i tij.

Çdo referendum është një rrezik

Dhe së dyti: edhe sikur BE dhe kryeministri britanik të bien dakord për disa kushte të ndryshuara për anëtarësinë britanike në BE- ai nuk mund të garantojë se mund të bindë me to edhe britanikët! Që tani, ithtarët e vijës së fortë në partinë e tij bërtasin që kërkesat janë shumë të buta.

David Cameroni e futi veten pa nevojë në këtë situatë fatale. Këshilltarët e tij u përpoqën ta bindin që të mos jepte premtimin për një referendum për BE-në. Sepse përvoja politike tregon se referendumet është e vështirë t'i ndikosh dhe se në fund të fundit ato janë të paparashikueshme. Por për kryeministrin britanik është bërë vonë: ai ndodhet në situatën pak të lakmueshme, kur i duhet të kalërojë mbi një tigër, pasi më parë e ka tërhequr atë me dashje nga bishti.