Për 390 Euro kapet terroristi
5 Qershor 2016"Follow the money" - ndiq gjurmën e parave - kjo është motoja e hetuesve, kur duan të zbulojnë personat që udhëheqin në prapaskenë një vepër penale. Pra shiko kush ka paguar dhe kush fiton. Në rastin e luftëtarit të IS-it, të dyshuarit Hamza C. duket se burimet financiare paraqiten me probleme. Siriani, i cili erdhi në Gjermani si refugjat kishte me sa duket nevojë urgjente për para. Për të marrë asistencën financiare prej 390-eurosh të shtetit gjerman, Hamza C. u kthye më 1 qershor në Bliesdorf, në landin e Brandesburgut, pas një mungese të gjatë. Autoritetet e policisë e kishin pritur këtë moment prej muajsh, 28-vjeçari i dyshuar për terrorizëm u kap.
Milliona në numrat e llogarisë së IS
Pse ra në rrjetin e hetuesve Hamza C.? Pas kapjes së të dyshuarit, kreu i sindikatës së policisë, Rainer Wendt thotë se asnjë terrorist i IS-it nuk do të kishte nevojë të përdorte gomone apo të vinte me këmbë përmes itinerarit ballkanik, sepse „IS-i ka shumë para dhe mund të ofronte rrugë të tjera“. Për këtë arsye ai paralajmëroi me një frymë që të mos krijohet një dyshim i përgjithshëm për terroristët.
Nga një analizë e një instituti amerikan, iHS, del se „‘Shteti Islamik‘ ka të ardhura mujore në shumën e 50 milionë eurove. Paratë ai i fiton, sipas të dhënave, përmes tatimeve, vjedhjes, para të marra me detyrim, pjesën tjetër IS e fiton me shitjen e naftës, tregtinë e drogës dhe donacione. Shpenzimet kryesore i përbëjnë rrogat e luftëtarëve në Irak e Siri. Operationet ushtarake të IS në territorin e tij bazë janë shumë më të shtrenjta se atentatet në Europë.
Pyetja mbetet pse një njeri, i cili sipas prokurorisë drejtpërdrejt nga drejtuesit e IS-it kishte marrë porosinë të kryente një atentat në Dyseldorf, ka nevojë për 390-euro duke pasur parasysh fuqinë financiare të Is-it? Pse del ai nga ilegaliteti për këtë shumë? Për udhëheqjen e IS-it nuk duhet të jetë e vështirë të mbështesë financiarisht celulat terroriste në Europë.
Jo para për përkrahësit në Europë
Nga qendra e IS-it nuk derdhen para për Europën. Në këtë përfundim arrijnë studiues si Louise Shelley nga Qendra për Terrorizmin, Krimin dhe Korrupsionin, (TraCCC) e Universitetit Geroge Mason në afërsi të Uashingtonit. Strukturat e financimit janë tërësisht të pavarura, thotë Shelley për DW. “Nga territori i IS-it ka pasur në vitet e fundit vetëm një transfertë parash në vlerë 5000 euro për terroristët në Europë. Të gjitha paratë e tjera vijnë nga brenda Europës.
Studimet e Shelleyit kanë treguar se celulat terroriste duhet të vetëfinancohen përmes kriminalitetit të vogël si tregun e zi, grabitjeve, shitjen e drogës në nivele të ulta dhe mashtrimin. Shumica e terroristëve që kanë ushtruar atentate në kohët e fundit - qoftë në Bruksel apo Paris -„kanë një të shkuar kriminale në Europë.“
Po qe se kjo qëndron, pra që terroristët duhet të sigurojnë vetë të ardhurat e tyre në Europë, atëherë mund të kuptohet, pse Hamza C zgjodhi rrugën e mundimshme, por pa kosto të lartë përmes itinerarit ballkanik për të ardhur në Europë dhe pse 390-eurot nga shteti gjerman, kanë pasur atë rëndësi, që e bënë atë të dilte nga skuta, ku ishte fshehur.