Putin: Jo sulm, por rrethim i kombinatit në Mariupol
21 Prill 2022Sipas ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu trupat ruse kanë marrë portin strategjik ukrainas të Mariupolit. Shoigu e tha këtë gjatë një takimi me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin, i cili u transmetua në televizionin shtetëror. Njësitë luftarake ukrainase që kanë mbetur janë strehuar në zonën industriale të fabrikës Azovstal, tha Shoigu.
Ai foli për më shumë se 2000 ushtarë ukrainas. Sipas autoriteteve ukrainase në ambientet nëntokësore të fabrikës së çelikut gjenden edhe të paktën 1000 civilë.
Jo sulm, por rrethim
Putin urdhëroi që fabrika e çelikut të mos sulmohet dhe e tërhoqi urdhërin përkatës që kishte dhënë më parë. Putini tha se zona duhet të rrethohet në mënyrë të tillë që "asnjë mizë të mos dalë jashtë” dhe u bëri thirrje njerëzve të strehuar në fabrikën e çelikut të dorëzonin armët. Putin tha se ushtarakët rusë të përfshirë në luftimet në Mariupol duhet të shpërblehen për suksesin dhe "çlirimin e Mariupolit".
Një nga këshilltarët e presidentit të Ukrainës tha se Vladimir Putini e anuloi operacionin e planifikuar për të sulmuar fabrikën e çelikut Azovstal, sepse e di se nuk mund ta marrë kompleksin gjigant me forcë. "Ata fizikisht nuk mund ta marrin Azovstalin, ata e kanë kuptuar këtë, kanë pasur humbje të mëdha atje. Mbrojtësit tanë vazhdojnë ta mbajnë Azovstalin," tha këshilltari Oleksiy Arestovych në një konferencë për shtyp.