1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: PS përjashton Saimir Tahirin nga grupi parlamentar

23 Tetor 2017

PS përjashton Saimir Tahirin nga grupi parlamentar, por ai mbetet deputet i lirë jashtë këtij grupi. Opozita i bën thirrje BE-së dhe qeverisë amerikane: bëjini presion Ramës t'i heqë Tahirit imunitetin.

https://p.dw.com/p/2mM9O
Albanien Prozess ehemaliger Innenminister Saimir Tahiri
Fotografi: DW/A. Ruci

Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që nga e hëna paradite (23.10) nuk do te jetë më deputet i grupit parlamentar të Partisë Sosialiste. Kryemnistri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetari i PS, e bëri këtë të ditur në mbledhjen e këtij e këtij grupi. "Tahiri do të jetë një njeri i lirë dhe një deputet i lirë, jashtë forumit të Partisë Socialiste dhe jashtë grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në momentin që Tahiri do ta mbyllë këtë ҫështje në favor të tij, ai është prapë i mirëseardhur në PS", tha kryeministri Rama.

Qendrimi i PS-së ndaj ish-deputetit dhe ish-kryetarit të saj për Tiranën është shumë qartë kundër arrestimit dhe burgosjes dhe pro hetimit në gjendje të lirë. "Ne duam drejtësi. Për të shkuar tek e vërteta Saimir Tahiri nuk mundet kurrësesi të linҫohet në një  burgosje por duhet të hetohet me të gjitha mundësitë shtrënguese që parashikon Kodi Penal. Në asnjë mënyrë nuk do të përzihemi politikisht në këtë proces si mbrojtës të Saimir Tahirit",  tha Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.

Opozita thirrje BE dhe SHBA - bëjini presion Ramës të mos shantazhojë drejtësinë!

Hapi që ndërmori kryemnistri Rama dhe grupi parlamentar socialist ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të liderit të opozitës së djathtë, kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Ai i ka drejtuar një thirrje të hapur Komisionit  të BE-së dhe qeverisë së SHBA-së, kundër asaj që ai e quan "një fushatë kërcënimesh dhe sulmesh ndaj drejtësisë, të nisur të premten e kaluar", në ditën e takimit të parë të Këshillit parlamentar të Mandateve dhe Imuniteteve. Në thirrje Basha u kërkon që : "të bëjnë presion ndaj kryemnistrit Rama dhe shumicës qeverisëse që ta ndërpresin këtë fushatë, që ka për qëllim gjunjëzimin e drejtësisë dhe garantimin e pandëshkueshmërisë për politikanë të ekspozuar publikisht si të lidhur me krimin. Tahiri duhet t'i nënshtrohet ligjit si çdo qytetar tjetër dhe nuk duhet të mbrohet nga imuniteti parlamentar dhe mbrojtja politike e shumicës në pushtet".

25 tetori - votimi në seancë plenare vendos për Tahirin

Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve po përgatit dy raporte për ҫështjen Tahiri që do të paraqiten për t'u votuar në seancë plenare, të mërkurën (25.10). Maxhoranca socialiste e vulosi qëndrimin e saj të prerë kundër heqjes së imunitetit të Tahirit. Votimi do të bëhet me shumicë të thjeshtë të deputetëve të pranishëm në sallë. Votat e 74 deputetëve socialistë fitojnë kundrejt vetëm 59 votave të opozitës, që nuk arrin të dominojë edhe nëse asaj i bashkohen 7 deputetë të pavarur.

Pesë ditë më parë, javën e kaluar më 19 tetor, Prokuroria e Krimeve të Rënda, kërkoi Parlamentit t'i heqë imunitetin e deputetit socialist ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, "për ta arrestuar, ose hequr lirinë dhe kontrolluar banesën" për t'i hapur kështu rrugën një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm ose heqjes se lirisë" për ta hetuar me qëllim hetimin e tij  të plotë dhe të gjithanshëm.  Në kërkesën e Prokurorisë shkruhet, se Tahiri dyshohet për kryerjen e veprës penale "të trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal, që ka trafikuar sasira të mëdha të lëndës narkotike Cannabis Sativa, nga Shqipëria në drejtim të Italisë".

Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve, në Parlamentin e Shqipërisë, zhvilloi dy takime rradhazi fundjavën e kaluar për t'u njohur me provat, mbi bazën e të cilave Prokuroria bazon kërkesën e saj. Provat ishin 416 fletë teksti nga përgjimet e Prokurorisë së Katanias, ku mes të tjerash përmendej vetëm emri i ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri. Në mënyrë unanime deputetët socialiste në këtë Këshill nuk i konsideruan ato prova. Avokati i Tahirit , Artan Hajdari, e konsideroi kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestuar Tahirin: "të pa argumentuar me prova dhe të pa mbështetur në ligj dhe Kushtetutë". Kryemnistri Rama, maxhoranca socialiste, avokati Artan Hajdari kërkojnë prova. Dhe Prokuroria nuk i ka paraqitur ato deri më tani.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana