1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protestat e tibetianëve në mërgim vazhdojnë - flaka olimpike në Indi

Christoph Heinzle17 Prill 2008

Rreth 15.000 policë kanë dalë në rrugët e Nju-Delit për të mbrojtur pishtarin olimpik nga protestuesit. Ndërkohë "marshimi për paqe" i tibetianëve kundër politikës kineze u zhvillua në mënyrë të qetë.

https://p.dw.com/p/DjkJ
Pamje nga protestat në Bangalore të Indisë, më 17 prill 2008
Pamje nga protestat në Bangalore të Indisë, më 17 prill 2008Fotografi: AP

Murgjit budistë e filluan ditën me një marshim protestues kundër vrapimit zyrtar me pishtarin olimpik. Në Rajgath në Nju-Delhi, tibetianët ndezën pishtarin e tyre për paqen. Organizatorët shpresonin se me këtë veprim do të rrisinin vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar ndaj Tibetit dhe politikës kineze që ushtrohet atje.

Tenzin Choeying, drejtor i grupit "Studentët për një Tibet të lirë" shprehet: "Vrapimi zyrtar me pishtarin olimpik quhet "udhëtimi i harmonisë". Por Kina nuk e meriton këtë pishtar. Udhëtimi i harmonisë është në të vërtetë udhëtim gjaku. Nuk ka të drejta njeriu në Tibet."

Disa dhjetëra murgj nga e gjithë bota filluan protestat dhe shumë shpejt atyre ju bashkangjitën qindra njerëz të tjerë. Sidoqoftë aksioni u krye në mënyrë të qetë dhe nuk pati trazira. Por policia i ka marrë të gjitha masat dhe ka vënë 15.000 policë në qendër të qytetit.

Që përpara se të kalonte në Nju-Delhi pishtari olimpik, rrugët u bllokuan krejtësisht. Vetëm forcat speciale indiane dhe oficerë kinezë të sigurisë mund t´i afrohen pishtarit olimpik.

Megjithatë tibetianët kanë vendosur ta shqetësojnë vrapimin me flakën olimpike. Linja e sportistëve dhe autirteteve indiane është e qartë: Protestat paqësore do të lejohen, por pishtari olimpik do të mbrohet me çdo kusht.