Protesta në Tiranë me thirrjet „ Rama ik“
21 Shkurt 2019Shtatë kordonë me policë kanë rrethuar të (21.02.2019) Parlamentin për ta mbrojtur atë nga aktet e mundshme të dhunës, në protestën e dytë masive të paralajmëruar të opozitës. Thirrjet nga faktori ndërkombëtar për shmangien e akteve të dhunës dhe zhvillimin paqësor të protestës vijojnë edhe sot duke iu adresuar të gjitha palëve: organizatorëve, protestuesve dhe qeverisë. Ambasadorja gjermane në Tiranë, Schütz- në një deklaratë për mediat sjell në vëmendje momentin historik ku ndodhet Shqipëria, përpjekjet dhe shpresat për të hapur me BE negociatat e anëtarësimit, dhe lë të kuptohet që dhuna shkon ndesh me këtë proces jetik për Shqipërinë.
„Duke mbajtur në vëmendje vendim-marrjen e BE për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë, nuk ka kohë për të humbur, në mënyrë që reformat të vijojnë dhe të arrihen rezultate konkrete. Dhuna është e papranueshme. Edhe ata që organizojnë protestën, mbajnë përgjegjësi që situata të mos përshkallëzohet." vë në dukje Susanne Schütz.
Të ushtrohet paqësisht e drejta për t'u mbledhur
Ambasadorja gjermane në Tiranë thekson se për sa i përket angazhimit të organizatorëve dhe qeverisë për zhvillimin paqësor të protestës dhe shmangien e dhunës ka të njëjtin qëndrim me Presidentin Meta, të shprehur së fundi në intervistën e tij për DW, pas takimit me Presidentin Federal të Gjermanisë Steinmeier në Berlin, ku Presidenti Meta thekson se " Është koha të kemi një hap prapa nga opozita, por është koha të kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca, nga qeveria dhe nga Kryeministri, të cilët duhet të kuptojnë që përgjegjësitë kryesore për qeverisjen e vendit janë të tyre."
Edhe SHBA nxisin të gjithë pjesëmarrësit në protestën e sotme para Parlamentit „të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre për t'u mbledhur dhe të refuzojnë dhunën dhe iu bëjnë thirrje qeverisë dhe forcave të sigurisë që të tregohen të përmbajtur."
Opozita ka deklaruar se protesta e sotme para Parlamentit do të jetë më masive nga ajo e zhvilluar të shtunën e kaluar, më 16 shkurt, para Kryeministrisë, në Bulevardin"Dëshmorët e Kombit". Burime nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se do të kontrollojnë në hyrjet në Tiranë protestuesit që po vijnë me autobuzë nga rrethet e vendit duke i kërkuar secilit të paraqesë kartën e identitetit. Policia ka informacione për përfshirjen në protestë të individëve me të shkuar kriminale dhe trazirave që ata mund të organizojnë