1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

090409 Georgien Kaukasus-Krieg

9 Prill 2009

Cila është opozita dhe për çfarë e akuzon ajo presidentin Saakaschvili?

https://p.dw.com/p/HTX4
Partitë opozitare protestojnë në Tbilis, 8 prill 2009Fotografi: AP

Në Gjeorgji mbizotëronte „armëpushimi" në politikën e brendshme pas luftës në gusht 2008 kundër Rusisë. Në sfondin e kërcënimit prej fqinjit opozita gjeorgjiane nuk donte ta dobësonte edhe më tej vendin. Por tani duket se afati i heshtjes ka përfunduar. Për ditën e enjte (09.04) opozita radikale ka bërë thirrje për protesta masive. Eshtë si të thuash një lloj countdown-i. Kërkesa e tyre është: Tërheqja e presidentit Saakaschwili. Demonstruesit duan të bllokojnë rrugët hyrëse dhe të rezistojnë derisa presidenti të japë dorëheqjen dhe t´i hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme.

Një spektër i gjerë i partive opozitare ka bërë thirrje për demonstrata masive në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi. E para është aleanca radikale e nëntë partive, e cila organizoi edhe protestat masive në vjeshtën e vitit 2007. Qeveria i shpërndau me dhunë protestat e atëhershme dhe mbylli të vetmin televizion opozitar me frekuencë mbarëkombëtare Imedi-TV. Pasuan zgjedhjet presidenciale, prej nga Saakashvili me diferencë të ngushtë doli fitues. Më pas në zgjedhjet parlamentare partia në pushtet "Lëvizja kombëtare për një Gjeorgji të sigurtë" fitoi rreth 80% të mandateve, pra shumicën e duhur për ndryshimet kushtetuese. Opozita u shpreh për manipulime në zgjedhje. Ajo fitoi vetëm 17 mandate, por nuk i pranoi ato. Me këtë kuotë përfaqësimi gjithësesi opozita nuk do të kishte aspak influencë në parlament, thotë Kacha Kukava, një udhëheqës i aleancës opozitare. Vendi i opozitës është si rrjedhojë në rrugë:

Wahlausgang Georgien
Protesta. Opozita flet për manipulim të zgjedhjeve, 06 janar 2008Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Tek ne në Gjeorgji nuk ka garë mes partive politike. Në s´na mbetet gjë tjetër, veçse rezistenca kundër regjimit autoritar."

Opozita gjeorgjiane gjatë muajve të fundit ka fituar personalitete si anëtarë të rinj. P.sh. Irakli Alasania, ish-ambasador i Gjeorgjisë në OKB. Ai konsiderohet si mjaft i matur dhe ka themeluar bashkë me të tjerë partinë „Aleanca e moderuar për Gjeorgjinë“. Në opozitë bën pjesë edhe ish-zëdhënësja e parlamentit dhe ish-shoqe ideali e Saakaschwili-t, Nino Burdshanadze, e cila përpara pesë vjetëve e gjysmë bashkëudhëhoqi të ashtuquajturin revolucioni i trëndafilave. Vitin e kaluar ajo u shkëput prej Saakashvili-t dhe themeloi partinë e saj. Nino Burdshanadze konsiderohet si pasuesja e mundshme e Saakashvili-t. Në fund të marsit u arrestuan 12 të supozuar si anëtarë të partisë së saj. Akuza ndaj tyre është, se kanë mbledhur armë për përmbysjen në vend. Televizioni pro-qeveritar transmetoi video, të cilat tregonin tregtim armësh. Por ekspertët ndërkombëtarë regjistrimet filmike i konsiderojnë si jo të sakta për t´u përdorur si provë. Nino Burdshanadze e konsideron veten si viktimë të qeverisë, që përdor çdo lloj mjeti:

Georgiens Botschafter bei den UN Irakli Alasania
Irakli Alasania, ish-ambasador i Gjeorgjisë në OKBFotografi: AP

"Kjo ishte një përpjekje e qeverisë për të diskretituar partinë time politike dhe mua personalisht. Kjo sepse ata kanë frikë, që Nino Burdshanadze është një autoritet si brenda edhe jashtë vendit. Për fat askush nuk i beson këto akuza. E gjithë opozita mbështet partinë time."

Opozita ndër të tjera e akuzon Saakashvili-n, se ka shkaktuar luftën me Rusinë në gusht 2008 duke dhënë urdhërin, që të bombardohet krahina separatiste e Osetisë Jugore. Rusia reagoi me sulme nga ajri. Mbi 20.000 gjeorgjianë humbën atdheun. Edhe rajoni separatist i Abkazisë u njoh më pas si shtet i pavarur prej Rusisë. Për të gjitha këto duhet të mbajë përgjegjësi Saakashvili, mendon opozitarja e tij, Nino Burdshanadze.

Georgien Parlamentssprecher Nino Burdschanadse
Opozitarja Nino Burdzhanadze, ish zëdhënësja e parlamentitFotografi: AP

Saakashvili ndërkaq ka deklaruar se s´ka ndërmend të japë dorëheqjen para periudhës legjislative, që përfundon në janar të 2013-ës. Frontet janë të ashpërsuara. BE-ja dhe Këshilli i Evropës vazhdimisht u kanë bërë thirrje palëve për dialog. Qeveria para pak ditësh i ofroi opozitës bisedime për reforma. Gjithashtu premtohet krijimi i një grupi pune gjithëpartiak për rishqyrtimin e ligjit elektoral. Por drejtuesit e opozitës i refuzojnë këto oferta duke i cilësuar si "të pavërteta".

Organizatorët e demonstratave janë të vendosur, që të vazhdojnë protestën, derisa Saakashvili të deklarojë dorëheqjen. Eshtë me pikëpyetje, nëse do të marrin pjesë shumë njerëz në protesta. Shumë gjeorgjianëve u kanë ardhur në majë të hundës revolucionet. Aq më tepër, që ata nuk e dinë, se çfarë i pret, nëse Sakashvili vërtet jep dorëheqjen. Deri tani partitë e opozitës nuk kanë paraqitur asnjë program.

Autor: Gesine Dornblüth/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica