Protesta kundër politikës së Orbanit
28 Mars 2012Në fillim të marsit shkrimtari 79 vjeçar hungarezo-hebre, Akos Kertesz, kërkoi azil në Kanada. Në një gazetë javore amerikano-hungareze, ai bëri një deklaratë të shkurtër. "Unë vendosa me shumë e vështirësi për të ndërmarrë këtë hap, sepse gjuha hungareze është jeta ime. Hungaria është vendi im i lindjes, shtëpia ime. Unë shpresoj se një ditë do të mund të kthehem në një Hungari demokratike, tolerante dhe humane." Që atëherë shkrimtari hesht.
Një vend i BE-së, nga i cili emigrojnë artistët për motive politike? Rasti Akos Kertesz ka bërë bujë në Hungari, por edhe jashtë saj. Kolegu i Kertész-it, që jeton në Berlin Gyorgy Dalos, e quan atë në njërën anë "rast tragjik të izoluar", nga ana tjetër "shprehje të nivelit të lartë të histerisë, që mbizotëron në politikën dhe kulturën hungareze."
Çfarë kishte ndodhur? Akos Kertesz vitet e fundit kishte vuajtur gjithnjë e më shumë nga tendencat nacionaliste, anti-semite në Hungari. Në gusht të vitit 2011 në një polemikë të nxehur ai kishte akuzuar hungarezët kolektivisht se mohojnë deri sot e kësaj dite fajësinë për holokaustin. Në artikullin, që është i diskutueshëm edhe në mesin e miqve dhe të atyre, që mendojnë si ai, ai shkruan ndër të tjera: "Hungarezi është gjenetikisht i nënshtruar. I lumtur ai shkrryhet në baltën e diktaturës, hungëron, gëlltit ushqimin dhe nuk do ta pranojë se do ta therin. Ai nuk do të mesojë të punojë, ai është në gjendje të ketë vetëm zili, ai e mbyt atë tjetrin, që arrin diçka me punë, studim dhe risi."
Kritika si tradhëti ndaj atdheut?
Fjalë të ashpra. Por ata përgjithësisht nuk janë larg asaj, që shumë hungarezë ia atribuojnë me vetëironi karakterit kombëtar hungarez, me gjithë tiparet pozitive të tij. Një farë tendence për xhelozi dhe rehatllëk. Pavarësisht nga kjo artikulli pati si pasojë thirrje histerike të konservatorëve dhe ekstremistëve të djathtë, tema mbisundoi me javë të tëra mediat. Kertész e tërhoqi fjalinë më të kritikuar "hungarezi është gjenetikisht i nënshtruar". Megjithatë atij iu hoq titulli i qytetarit të nderit të Budapestit, diskutohej edhe heqja e çmimeve të tjera, partia e ekstremit të djathtë Jobbik, gjithsesi e dyta forcë e fuqishme politike në vend, bëri thirrje për padi për tradhëti ndaj atdheut.
Plot pesë muaj Kertész rezistoi. Sipas të dhënave të tij, ai ështe kërcënuar shpesh verbalisht dhe fizikisht, me postë, me telefon, në rrugë, në një banjë publike. Pas largimit të tij komentatorët në shtypin pro-qeveritar i dërguan pas thirrje keqëdashëse. "Sikur në qeveri të kishte njërëz, që mendojnë si duhet", thotë Gyorgy Dalos ", atëherë do t'i shkruanin një letër Kertész-it dhe do ta thërrisnin të kthehej në Hungari. Por ata nuk e bëjnë këtë."
Ndryshim radikal ideologjik
Rasti Kertész është njëri nga skandalet më të mëdha kulturore-politike, qëkur në Hungari Viktor Orban dhe partia e tij nacionaliste-konservatore "Aleanca e Demokratëve të Rinj - Aleanca Qytetare hungareze" (Fidesz-MPP) fitoi zgjedhjet me një shumicë prej dy të tretash në fund të prillit 2010. Por jo i vetmi. Orban e ka transformuar radikalisht Hungarinë politikisht dhe ideologjikisht me forcën e pushtetit. Elita në shtet dhe administratë në pjesën më të madhe është zëvendësuar. Në fushën kulturore transformimi është i drejtuar kryesisht kundër skenës urbane, intelektuale të Budapestit, por edhe kundër institucioneve të pavarura kulturore jashtë kryeqytetit. Ristrukturimi i mediave publike dhe ligjit të medias në fund të vitit 2010 ishin veprimet e para të mëdha në këtë drejtim. Sipas ligjit gazetarët e mediave publike janë të detyruar me një sërë rregullash për të raportuar në mënyrë të balancuar, por në rradhë të parë në atë mënyrë, që kultura kombëtare dhe vetëdija kombëtare të forcohen.
Shfaqje të racizmit
Edhe fushatat kundër vërejtjeve kritike të artistëve nxiten herë pas here me miratimin e heshtur të qeverisë. Në mënyrë të ngjashme, si në vjeshtën e kaluar Akos Kerteszit, kjo i ndodhi në janar 2011 pianistit Andras Schiff. Në një letër drejtuar Washington Post ai kishte shprehur shqetësimin e tij në lidhje me rritjen e racizmit, anticiganizmit, antisemitizmit, ksenofobisë dhe shovinizmit në Hungari. Gazetari i njohur i krahut të djathtë, Zsolt Bayer, një mik i kryeministrit Viktor Orban, pati shkruar se Schiff ishte një pasardhës ideologjik i bolshevikëve hungarezo-hebrej të periudhës pas Luftës së Parë Botërore dhe aludonte se fatkeqësisht nuk është arritur të masakrohen të gjithë përfaqësuesit e këtij mentaliteti.
Skandalet kulturore, politike
Skandali ndoshta më i madh kulturor politik në Hungarinë e Orbanit ka hyrë në historinë bashkëhohore me emrin "procesi i filozofëve". Në fillim të vitit 2011 një i ashtuquajtur, "i ngarkuar për të larë hesapet" i qeverisë, nisi hetimet kundër filozofëve kryesorë hungarezë, duke përfshirë edhe 82 vjeçaren Agnes Heller, prej dekadash njëra nga mendimtaret më të rëndësishme të Europës Lindore. Ajo dhe disa kolegë të saj u akuzuan se kishin shpërdoruar fondet shtetërore për studime dhe kërkime. Akuzat kanë kohë që janë rrëzuar, por një vit më parë mediat proqeveritare bënë një fushatë diskredituese kundër "filozofëve liberalë" dhe "deformuesve të mendimit" dhe i shpallën ata biles paraprakisht fajtorë.
Etje për pushtet në vend të debatit intelektual
Përfaqësuesi më i lartë shtetëror i kulturës në Hungari, Geza Szëcs, reagon me nervozitet, kur dëgjon akuza të tilla. Ai punon në Ministrinë e Burimeve Kombëtare si Sekretar Shteti për çështjet kulturore. "Intelektualët dhe artistët, që tani mbulojnë qeverinë Orban me akuza, thjesht nuk duan të pranojnë, se situata e tyre ka ndryshuar. Pra se ata nuk kanë qeveri, për të cilën të jenë intelektualë dhe poetë të oborrit", thotë Szëcs.
Kjo tingëllon thjesht si politikë e thjeshtë pushteti dhe klientelizmi, edhe për shkrimtarin Gyërgy Dalos. "Unë nuk do të përdorja vetëm fjalën luftë kulturash për politikën kulturore të qeverisë Orban", thotë ai. "Nuk është luftë, por shkatërrim. E vetmja ide duket se është pushteti dhe që të marrin sa më shumë poste. Kultura, letërsia, filmi, teatri, nuk i intereson aspak. Ata nuk janë as snobë.
Autor: Keno Verseck/Angjelina Verbica
Redaktoi: Bahri Cani