1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi i Berlinit: Shoqëria Civile jep rekomandime konkrete

24 Tetor 2023

Si mund të zhbllokohet rruga e Ballkanit Perëndimor drejt BE. Shoqëria civile kërkon një optikë të re të BE për rajonin.

https://p.dw.com/p/4XwJL
Forumi i Shoqërisë Civile në Tiranë - Adelheid Feilcke, drejtuese e Programeve të Europës, Deutsche Welle dhe Zoran Nechev, drejtues i Qendrës për Integrimin Europian në Maqedoninë e Veriut
Forumi i Shoqërisë Civile në Tiranë - Adelheid Feilcke, drejtuese e Programeve të Europës, Deutsche Welle dhe Zoran Nechev, drejtues i Qendrës për Integrimin Europian në Maqedoninë e VeriutFotografi: Ani Ruci/DW

Procesi i Berlinit ka sjellë një risi të ҫmuar: një platformë për shoqërinë civile të Ballkanit Perëndimor (BP) ku ajo angazhohet me ekspertizën e saj në politikat e zgjerimit të Bashkimit Europian, (BE) dhe në procesin e integrimit europian të rajonit. Një platformë e tillë i mungon BE në politikat e tij të zgjerimit. Në Forumin e Shoqërisë Civile, ”Zhbllokim i progresit: E ardhmja europiane e Ballkanit Perëndimor", pjesë integrale e Samitit të Procesit të Berlinit 2023 të zhvilluar në Tiranë, organizatat e shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor, të angazhuara në këtë proces dhanë rekomandime për të zgjidhur problemet që pengojnë afrimin e BP me BE.

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe sulmi terrosit ndaj forcave të policisë së Kosovës më 24 shtator kanë sjellë në rend të ditës sigurinë në Europë dhe në rajon. Andi Dobrushi, Drejtor i Fondacionit "Shoqëria e Hapur” në Ballkanin Perëndimor, ndër organizatorët e Forumit të Shoqërisë Civile, Tirana 23, thotë për DW se "agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës jo vetëm e rizgjoi Procesin e Berlinit por dha edhe energjinë e nevojshme brenda BE për të rikonsideruar zgjerimin në një kontekst tjetër që është ai i sigurisë.”

Pamje nga zhvillimi i punimeve të Forumi të Shoqërisë Civile në Tiranë
Pamje nga zhvillimi i punimeve të Forumi të Shoqërisë Civile në Tiranë Fotografi: Ani Ruci/DW

Siguria dhe afrimi ekonomik

"Ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës demostruan që rajoni është vulnerabël. Iluzioni që rajoni është në një proces sigurie dhe zhvillimi për të hyrë në BE nuk qëndron më. Gjërat duhen parë në një optike të re, të fokusar në sigurinë dhe zhvillimin ekonomik. Ka një hendek të madh, që vazhdon të thellohet mes zhvillimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe atij të BE. Ky hendek e bën të vështirë progresin drejt të ardhmes europiane të rajonit", thotë për DW , Andi Dobrushi.

Forumi hapi rrugën drejt një optike të tillë. Kryefjala e tij: siguria dhe afrimi, konvergjenca social-ekonomike e BP me BE. „Jemi shumë të kënaqur që koncepti i konvergjencës ekonomike u bë një koncept prioritar i Samitit të Procesit të Berlinit, 2023, që u zhvillua në Tiranë. Ne, si shoqëri civile gjykojmë që është një koncept i domosdoshëm për progres në procesin e integrimit europian të BP. Këtë koncept e kemi zhvilluar së bashku  me partnerët tanë gjermanë dhe rajonalë," thotë për DW,  Ardian Haҫkaj, Drejtor i Kërkimeve në Institutin e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit, me seli  në Tiranë, bashkë organizator i Forumit.

Ai thekson se shoqëria civile kërkon „të ketë angazhime konkrete në politikat e BE, kopetenca dhe pushtet” „Konvergjenca nga nje term abstrakt është në tavolinën e liderëve të BE dhe BP. Po kështu edhe pjesëmarrja e shoqërisë civile në politikat për ta realizuar afrimin social- ekonomik. Kjo është një tregues që shoqëria civile, ekspertët e saj kanë kapacitete për të kontribuar në politikë-bërje" thekson Ardian Haҫkaj.

Krerë të BE takohen në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, 16. 10.2023
Krerë të BE takohen në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, 16. 10.20Fotografi: Albania Prime Minister Press Office

Gazetari që ofron fakte dhe zgjidhje

Nëntë vjet pas lanҫimit të Procesit të Berlinit në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela  Merkel ky proces lipset të njihet dhe promovohet më shumë se deri më tani. Qytetarët në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të informohen për objektivat e tij që të angazhohen dhe kontribojnë edhe me instrumenta për llogari dhënie. Drejtuesja e Programeve për Europën në Deutsche Welle, Adelheid Feilcke e ve theksin tek roli i rëndësishëm të medias.

„Duhet një gazetari e mbështetur në fakte dhe në ofrimin e zgjidhjeve. Një gazetari e tillë ndihmon njerezit të gjejnë rrugën e duhur mes disinformimit dhe konfuzionit lidhur me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është shumë e rëndësishme që gazetarët të debatojnë, të trajtojnë probleme dhe të ofrojnë zgjidhje për të mos rënë në kurthin e premtime, premtime, premtime. Nëse flitet për premtime në BP audiencës i duhet shpjeguar me shembuj konkretë, pozitivë ose jo. Ka një njohje të kufizuar, të mangët të realitetit në secilin vend të BP,“ u shpreh Adelheid Feilcke, drejtore e programeve për Europën, në DW, pjesëmarrëse në panelin „Procesi i Berlinit - një proces që jep rezultate“ të moderuar nga Zoran Nechev, kryetar i Qendrës për Integrimin Europian në Maqedoninë e Veriut.

Kritika ndaj BE për bllokim të zgjerimit dhe mungesë vizioni

Momenti i ri gjeo-politik në favor të zgjerimit të BE nuk duhet lënë të ikë, këmbëngul shoqëria civile. Që kjo të ndodhë BE duhet të shmangë përsëritjen e stanjacionit të  deritanishëm. "Jemi në një zgjerim gjeo-politik. Ngërҫi i mëparshëm në politikën e zgjerimit erdhi në një masë të madhe nga vetë BE, sepse ai nuk u reformua kur duhej të reformohej. Nëse këtë herë jemi seriozë lidhur me zgjerimin, nëse ketë herë është me të vërtetë, atëhere BE ka nevojë të kuptojë gabimet e së shkuarës dhe të fillojë të gjejë zgjidhje për të sjellë vendet e BP më pranë tij", thotë për DW, Ioannis Armakolas, kryetar i  Programit  të Europës Jug-Lindore në ELIAMEP, (Hellenic Foundation for European and Foreign Policy) organizatë e shoqërisë civile me seli në Athinë. bashkë-organizator i Forumit te shoqerise civile ”Zhbllokim i progresit: E ardhmja europiane e BP“ne kuader te Samitit te Procesit te Berlinit, 2023 , ne Tirane.

Ai thekson se „BE duhet të gjejë zgjidhje për të përshpejtuar procesin e reformave pasi vërtet BP ka një sërë reformash për të kryer, por edhe vetë BE ka një sërë reformash që duhet t'i bëjë shpejt jo në 10 apo 20 vjet." „Kritikat janë të drejta. BE ndodhet në një zonë gri, në muzg dhe nuk është i sigurtë. Këto  kritika të shoqërisë civile  në shumë raste janë përmbledhur në rekomandime konkrete", thotë për DW, Ardian Haҫkaj. Kritikat e shoqërisë civile ndaj BE përfshijnë edhe mungesën e identifikimit të një objektivi të largët se ku dëshiron të shkojë ky bashkim. „Duhet të ketë një përcaktim të qartë të trajektores së integrimit europian të BP, gjë që nuk ka ndodhur deri tani,"  thekson për DW Andi Dobrushi.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana