1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi i Berlinit dhe perspektiva e Ballkanit

Ani Ruci13 Korrik 2015

Vendet e Ballkanit duhet të plotësojnë standardet minimale për t'u bërë anëtarë të BE-së, sepse në Ballkan demokracia është ende në fillimet e veta.

https://p.dw.com/p/1FxVQ
Fotografi: picture-alliance/dpa

Dyert e BE-së janë të hapura për vendet e Ballkanit, dhe kjo është e dukshme në politikën e qeverisë gjermane në drejtim të Ballkanit, por duhet të jetë e qartë se hyrja në BE nuk është një dhuratë që e japin disa politikanë të BE-së por një anëtarësim në një klub që ka parime, norma të qarta, ku vendimet merren nga 29 vendet anëtare dhe më vonë edhe nga më shumë syresh, - tha në një intervistë me Deutsche Wellen drejtori i për Shqipërinë i fondacionit gjerman Friedrich Ebert, Frank Hantke. Sipas tij procesi i Berlinit është planifikuar për katër vjet dhe për këtë ka arësye, sepse nuk pritet që problemet të zgjidhen më parë.

Hantke thekson se "integrimi në BE nuk shënohet vetëm me ditën e anëtarësimit. Ai kërkon shumë më tepër kohë. Po shikojmë që anëtarët e rinj në BE nuk janë tërësisht të integruar, tranzicioni po vazhdon dhe kjo kërkon kohë." Parë në këtë sfond koha e vizitës së kancelares Merkel në Ballkan ishte e duhura për të forcuar mesazhin për gjërat që duhet të bëhen tani në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit.

Angela Merkel Kanzerlin Besuch Tirana Albanien Premierminister Edi Rama
Fotografi: Reuters/A. Celi

Vizita e kancelares Merkel në kontekstin e procesit të Berlinit

Hantke mendon që nuk ka ndonjë lidhje të drejtëpërdrejtë vizita e kancelares Merkel në tri vendet e Ballkanit dhe problematika e fundit mes BE dhe Greqisë. Kjo vizitë ishte e lajmëruar shumë kohë më parë se kriza greke të arrinte në pikën ku është tani. "Vizitën e kancelares Merkel e shoh në kontekstin e procesit të Berlinit që ishte një ide shumë e mirë e vetë kancelares për t'i dhënë forcë dhe energji të re këtij mesazhi. Një mesazh i mirë nuk ka pse ndryshon, vetëm duhet të forcohet. Dhe forcën, energjinë e re ia jep procesi i Berlinit, që filloi vjet në Berlin dhe do të vazhdojë sivjet në Vienë.

"Herë-herë për kancelaren Merkel thuhet nga politikanët shqiptarë apo media vendase se ajo "është liderja e Europës", gjë që për perceptimin tim është krejt e gabuar." - thotë Frank Hantke. "Evropa nuk ka një lider. Kancelarja Merkel është një anëtare e rëndësishme e familjes evropiane, dhe njëlloj si anëtarët e tjerë jep të njëjtin mesazh kur vjen në Shqipëri." Mesazhi është që rruga drejt BE-së është e gjatë dhe nuk mund të bëhet në disa javë apo muaj.

"Nëse politikanët e Ballkanit bëjnë interpretime të gabuara ata do të prodhojnë zhgënjim tek njerëzit. Dhe njerëzit kohët e fundit në Ballkan nuk janë të kënaqur me qeveritë e tyre. Mendoj së është absolutisht e nevojshme që politikanët të bëjnë punën e tyre pa dhënë premtime të bukura dhe pritshmëri të mëdha. Është më mirë të thuhet e vërteta dhe të punohet me njezëzit, më shoqërinë civile për t'i integruar në proces, që puna të bëhet nga të gjitha palët dhe jo vetëm nga politikanët."

Frank Hantke
Frank HantkeFotografi: DW/A. Ruci

Në Ballkan demokracia është ende në fillimet e veta

Në pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit ka qeveri shumë autoritariane, mendon Hantke. "Demokracia është ende në fillimet e veta. Nuk ka një vullnet të vërtetë nga klasa politike për të zbatuar demokracinë e vërtetë si e patën klasat politike në Evropën pas Luftës së Dytë Botërore, kur nuk kishte alternativë. Duket sikur në Ballkan elitat politike shohin alternativa. Kemi Maqedoninë që është në krye të qeverive autoritariane të Ballkanit, që po bën hapa pas. Pra, vullneti i klasave politike në Ballkan nuk është i njëjtë me atë të qeverive në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe në përgjithësi situata në botë atëhere ishte ndryshe."

Sipas Hantke "problemi në Ballkan nuk janë paratë e pamjaftueshme, problemi është që kushtet nuk janë të mira. Kushtet formohen nga politika, nga politikanët. Në Ballkan ka mjaft para. Dhe nëse shohim interesin e Gjermanisë për Ballkanin, nuk ka rajon në të gjithë botën ku Gjermania të ketë një densitet të tillë zyrash dhe fuqie punëtore sa në Ballkan. Çështja nuk është që duhen më shumë para, por përdorimi si duhet i parave qe të bëjmë hap pas hapi gjithë sa duhet për t'u bërë anëtarë të BE.

"Në Ballkan ende duket që nga njëra anë kemi disa politikanë dhe parti politike, nga ana tjetët kemi shoqërinë civile, që thotë ne nuk jemi pjesë e politikës, por ata ankohen nëpër kafenera." - thotë Hantke. Sipas tij duhet forcuar shoqëria civile dhe organizatat e saj që të bëhen aktore të ndërtimit të demokracisë, të vendimmarrjes dhe hedhjes së hapit tjetër drejt integrimit evropian.

Probleme që vazhdojnë

Në Konferencën Ekonomike Gjermano-Shqiptare u vunë në dukje disa probleme dhe u bë shumë e qartë se çfarë duhet të bëhet që jo vetëm investitorët gjermanë por edhe ata evropianë të vijnë dhe investojnë në Shqipëri. Sipas Hantke "kancelarja Merkel por edhe anëtarë të tjerë të delegacionit , sidomos sekretari i shtetit, Rainer Baake, vunë në dukje, shumë qartë, problemet që ka ende Shqipëria: korrupsioni, administrimi i keq, situata në drejtësi lidhur me investitorët e huaj, që kanë vështirësi ligjore dhe të tjera probleme që duhen zgjidhur para se Shqipëria të mund të hedhë hapin tjetër përpara. Pra mesazhi mbetet "Ju presim krahëhapur, por që të vini kjo varet nga ju.”