1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi gjyqësor i një vrasjeje që tronditi Sllovakinë

29 Janar 2020

Në Sllovaki ka filluar procesi gjyqësor për vrasjen e gazetarit Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij, ku po bëhet e qartë lidhja e fortë mes politikës dhe kriminalitetit të organizuar.

https://p.dw.com/p/3WvLw
Slowakei Mordprozess
Vrasësi i dyshuar në procesin gjyqësor në PezinokFotografi: DW/A. Marek Pędziwol

Një sallë jo shumë e madhe dhe pa zbukurime në një ndërtesë të zakonshme të periferisë së qytetit të vogël sllovak. Pikërisht aty është drejtuar e gjithë vëmendja publike në Sllovaki këto ditë. Në këtë ndërtesë të gjykatës së Pezinokut, gjysmë ore me makinë nga Bratislava zhvillohet procesi për vrasjen e gazetarit investigativ, Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij, Martina Kushnirov. Të akuzuar janë një person që dyshohet si vrasësi, një ndërmjetësuese dhe porositësi i dyshuar për vrasjen. Ky është pa dyshim procesi më i rëndësisëm gyjqësor në historinë postkomuniste të Sllovakisë. Për një kohë të gjatë, askush nuk besonte madje, se ai do të zhvillohej. Sepse në muajt e parë pas vrasjes më 21 shkurt 2018, pakkush besonte, se autorët dhe porositësit e vrasjes vërtet do të viheshin në pranga.

Politika dhe kriminaliteti i organizuar - dorë më dorë

Por kjo vrasje e tronditi Sllovakinë si asnjë ngjarje tjetër që pas pavarësisë së vendit në vitin 1993 dhe i ndryshoi disa gjëra në vend. Sidomos në një pikë: askush nuk guxonte nga shteti dhe politika që të pengonte hetuesit, si ndodhte shpesh më parë për krime me sfond politik. Gazetari Arpad Soltesz, i cili drejton qendrën investigative, Jan Kuciak, thotë se "hetuesit kanë bërë punë të shkëlqyer". Ai e sheh këtë edhe si "sukses të protestave të shoqërisë civile që ky proces po zhvillohet."

Slowakei Mordprozess
Porositësi i dyshuar për vrasjen, Marian KocnerFotografi: DW/A. Marek Pędziwol

Në procesin gjyqësor në Pezinok nuk bëhet fjalë vetëm për një vrasje të tmerrshme me sfond politik. Para gjykatës ndodhet një sistem i gjithë, brenda të cilit politika dhe kriminaliteti i organizuar kanë qenë dorë më dorë me njëri-tjetrin. E kjo pak javë para zgjedhjeve parlamentare që zhvillohen më 29 shkurt, që konsiderohen si shumë të rëndësishme. Rezultati i tyre do të vendosë, nëse tronditja e thellë politike pas vrasjes do të shoqërohet me ndryshime të rëndësishme politike.

Se sa të rëndësishme janë këto ndryshime, këtë e bënë të qartë për qytetarët sllovakë hetimet e muajve të shkuar dhe ditët e para të procesit gjyqësor. Që para një viti ishte ngritur akuza kundër biznesmenit 56 vjeçar, Marian Kocner, sepse me gjasë ai e kishte dhënë porosinë e vrasjes së gazetarit Kuciak. Kuciak kishte raportuar rregullisht për bizneset mashtruese të imobiljeve dhe ato financiare të sipërmarrësit. Kocner e kishte kërcënuar hapur gazetarin, por policia nuk mori masa mbrojtëse. Për pazaret e pista të Kocners vetëm hamendësohej, por se në ç'masë kontrollonte ai politikën dhe drejtësinë në Sllovaki, kjo u bë e njohur kur Dennik N. filloi të publikonte protokolle bisedash në threema të smartphone-t që përdorte Kocner. Me çdo publikim dilnin në dritë gjëra tronditëse.

Slowakei Mordprozess
Fotografi: DW/A. Marek Pędziwol

Korrupsion masiv

Biznesmeni kishte krijuar një rrrje të gjerë të politikanëve, zyrtarëve të lartë në qeveri, polici, gjykatës, prokurorë, gazetarë dhe punonjës të shërbimit sekret. Ai i korruptonte, si shpërblim ata fshihnin mashtrimet e tij, duke penguar hetimet apo shkruanin pozitivisht për të. Edhë në ditët e procesit janë publikuar shumë regjistrime që tregojnë sa thellë shkon korrupsioni në vend. Kështu një ish-punonjës i shërbimit sekret dhe ish-gazetar, Peter Toth që punonte për Kocner, foli hapur, se si ai me ndihmën e policëve dhe punonjësve të shërbimit sekret spiunonte një sërë gazetarësh, që i kishte vënë në fokus Kocneri, mes tyre edhe Jan Kuciak.

Slovakei Gedenken an Jan Kuciak
Vrasja e Jan Kuciak dhe të fejuarës Martina tronditi SllovakinëFotografi: Reuters/David W. Cerny

Përshtypja e opinionit publik sllovak: realiteti politik në vend është më shumë i errët se një film i mafias. Peter Bardy, kryeredaktor i portalit aktuality.sk, ku punonte edhe Jan Kuciak, thotë se, "ajo që u bë publike muajt e fundit, do të thoshte faktikisht falimentimin e drejtësisë sonë. Nëse nuk ndryshon asgjë, atëherë ky është fundi i demokracisë."

Nuk është ende e sigurtë, sa do të ndihmojnë zgjedhjet parlamentare në fund të shkurtit. Sidoqoftë hetimet e muajve të fundit dhe fillimi i procesit gjyqësor kanë shkaktuar stuhi në peizazhin partiak sllovak. Partia qeverisëse socialdemokrate e ish-kryeministrit Robert Fico, SMER, bashkëpërgjegjëse për këto lidhje mes politikës dhe kriminalitetit të organizuar ka humbur mbështetjen. Partitë më të reja demokratike si partia socialliberale e majtë, "Sllovakia Progresive", PS kanë shtuar mbështetjen e elektoratit.

Por nuk ka vetëm zhvillime pozitive. Rritjen më të fortë e ka shënuar partia ekstremiste e djathtë, "Kotlebovci-LSNS" e neonazistit Marian Kotleba. Në sondazhe ajo shënon aktualisht 14%, dy herë më shumë rritje se në vitin 2016. Ajo përfiton nga pakënaqësia kundrejt politikës në vend dhe qëndrimi refuzues i të rinjve ndaj elitave politike. Politologu, Grigorij Meseznikov nga "Instituti për Çështje Publike" i përmbledh në këtë formë zhvillimet në vend. "Vendi ynë ka nevojë për ndryshime radikale demokratike." Por ai e di, se ky proces "do të jetë një proces i vështirë."

 

Keno Verseck, flokë të shkurtra, të kuqërreme, me kaçurela, pas syzeve me skelet të hollë një shikim i buzëqeshur drejt objektivit të kamerës.
Keno Verseck Redaktor, autor dhe reporter