1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pritjet dhe frika nga samiti i krizës për Greqinë

Bahri Cani3 Nëntor 2011

Samiti i G20-ës do të mbahet nën hijen e krizës në zonën e euros dhe në veçanti në Greqi. Në prag të tij në Kanë janë mbledhur në një samit krize krerët e BE-së dhe FMN-së për të diskutuar gjendjen në Greqi.

https://p.dw.com/p/134AI
Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy.
Takim krize në prag të samitit G20.Fotografi: picture-alliance/dpa

Kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Francës Nicolas Sarkozy, Komisioneri i BE-së José Manuel Barroso, drejtorja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde dhe shefi i grupit të eurozonës Jean-Claude Juncker kanë mbërritur në Kanë të Francës në mbrëmje. Por asnjë prej tyre nuk ishte tepër i disponuar të flas për samitin që do të fillonte. Të gjithë ata me kurreshtje prisnin ardhjen e kryeministrit grek Giorgos Papandreou për të dëgjuar nga dora e parë se cilat janë qëllimet e tij që e kanë shtyrë të kërkojë shpalljen e referendumit, ku grekët duhet të deklarohen lidhur me vendimet e fundit të BE-së për të ndihmuar këtë vend në prag të falimentimit financiar. Kancelarja gjermane Angela Merkel në prag të nisjes për në Francë bëri të ditur në Berlin se qeveria gjermane pret nga Greqia vepra konkrete e jo fjalë të kota.

Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel.
Merkel dhe Sarkozy kërkojnë qartësi.Fotografi: dapd

"Për ne janë me rëndësi vetëm veprat. Ne kemi rënë dakord me Greqinë për një program të caktuar. Gjermania është e interesuar që kjo marrëveshje të realizohet. Por për realizimin e marrëveshjes kërkohet qartësi dhe për këtë do të flasim në këtë takim", theksoi Merkel.

Qëndrime të ashpra ndaj Greqisë

Një qëndrim edhe më të ashpër ndaj Greqisë ka paralajmëruar Franca dhe presidenti i saj Nicolas Sarkozy. Në qarqet qeveritare në Paris thuhet se Greqia duhet të realizojë marrëveshjen e arritur në samitin e javës së kaluar në Brukse. Franca do të kërkojë që referendumi në Greqi të mbahet sa më parë, për të pasur të qartë se në cilin drejtim do të shkojë ky vend.

Në samitin e fundit në Bruksel është vendosur që Greqisë të shlyhet një pejsë e madhe e borxhit, që të vazhdohet me kredi por njëkohësisht edhe me kursime të rrepta.

Komisioneri e Bashkimit Evropian Barroso ka parlajmëruar Greqinë që të mos i thotë jo marrëveshjes së fundit të arritur në samitin e Brukselit. "Pa ndihmën e Bashkimit Evropian dhe FMN-së, gjendja në Greqi dhe kushtet e popullit grek do të jenë shumë më të rënda", kumtoi Barroso në Kanë. Ai mendon se pasojat e një përgjigje greke në referendum aktualisht nuk mund të parashikohen. Por ekspertët thonë se gjendja mund të përkeqësohet në mënyrë dramatike.

Jose Manuel Barroso:
Paralajmëron edhe Barroso.Fotografi: dapd

Lehtësimet dhe frika

Përfaqësuesit e bankave dhe instituteve financiare në prag të samitit të krizës në Kanë edhe një herë kanë theksuar gatishmërinë e tyre që të shlyejnë gjysmën e borxheve të Greqisë. Ata e quajtën këtë një vendim "historik", sepse bëhet fjalë për shlyerjen e borxhit në vlerë prej gati 100 miliardë euro. Qëllimi i tyre është zbutja e krizës në Greqi, por edhe shpëtimi i një pjese të investimeve të tyre në këtë vend. Përfaqësuesit e institucioneve financiare kanë frikë nga falimentimi i pakontrolluar i Greqisë. Greqia përbën vetëm 3 % të volumit financiar në Bashkimin Evropian, por qarqet financiare dhe politike kanë frikë nga efekti domino në vendet tjera, si për shembull në Portugali e madje edhe në Spanjë dhe Itali.