1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë

25 Nëntor 2023

Sipas Prishtinës, Serbia fillimisht duhet të arrijë një marrëveshje të veçantë. Serbët e Kosovës që kanë dyshtetësi megjithatë do të mund të votojnë, por vetëm përmes Zyrës Ndërlidhëse dhe përmes postës.

https://p.dw.com/p/4ZR5r
EULEX në Kosovë - pamje ilustruese para zgjedhjeve në Kosovë, dhjetor 2022
EULEX në Kosovë - pamje ilustruese para zgjedhjeve në Kosovë, dhjetor 2022Fotografi: Vudi Xhymshiti/VX/picture alliance

Autoritetet e Serbisë ditë më parë i kërkuan misionit të OSBE-së në Kosovë, por jo Prishtinës, që të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë për zgjedhjet parlamentare në Serbi që mbahen me 17 dhjetor. Kjo kërkesë drejtuar OSBE-së, nuk do të merret parasysh nga autoritetet e Prishtinës zyrtare, për faktin që qeveria e Kosovës ka kërkuar që për ta lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje të veçantë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se "për votimin e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, me shtetësi të dyfishtë, në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duhet të arrihet një marrëveshje e posaçme midis Kosovës dhe Serbisë”.

Kryeministri Albin Kurti
Fotografi: AFP via Getty Images

Serbia të bëjë kërkesën për marrëveshje

Sipas Kurtit, "kërkesa për një marrëveshje të tillë, duhet të vijë nga Serbia, si palë e interesuar”..."dhe çdo kërkesë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtete të barabarta, në pajtim me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë. Me këto kushte, ne inkurajojmë Serbinë të negociojë për një marrëveshje të tillë të posaçme me Kosovën dhe në këtë mënyrë të zbatohet edhe një obligim tjetër i Marrëveshjes Bazë: kontributi për raporte të mira ndërfqinjësore, duke pasur për bazë të drejtat e barabarta dhe respektin reciprok për të drejtat e votuesve jashtë shtetit”, ka thënë Kurti.

Petkoviq me kritika të ashpra ndaj Albin Kurtit

Me faktin që nuk do të mund të organizojnë zgjedhje të Serbisë edhe në Kosovë si më parë, si duket janë pajtuar autoritetet e Serbisë. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, në mesjavën që shkoi mblodhi në Rashkë të Serbisë, përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës për të diskutuar rrugët e përfshirjes së tyre në votime. Ai adresoi kritika të ashpra drejt kryeministrit Albin Kurti. "Nuk është e mundur mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë. Regjimi i Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, në krye me Albin Kurtin, e kushtëzon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve me njohjen nga Beogradi të pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme”, tha Petkoviq.

Në të kaluaren  zgjedhjet e Serbisë janë mbajtur edhe në  Kosovë ku përfshihej misioni i OSBE-së në grumbullimin e votave, të cilat më pas janë dërguar për numërim në Serbi.  Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës deri në vitin e kaluar. Misioni i OSBE-së ka bërë të ditur se megjithatë, ai mbetet i gatshëm të mbështesë mbledhjen e votave, ashtu sikurse ka vepruar edhe në rastet e mëparshme.

Ushtarë të KFOR në Prishtinë
Ushtarë të KFOR në PrishtinëFotografi: Arif Hudaverdi Yaman/AA/picture alliance

Si mund të votojnë serbët me dy nënshtetësi?

Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, ishin ato të 21 qershorit të vitit 2020. Këto zgjedhje ishin mbajtur që nga viti 2017, ku në Kosovë hapeshin qendra votimi për serbët që ndihmoheshin nga OSBE-ja. Por, kësaj radhe serbët e Kosovës që kanë dyshtetësi, mund të votojnë për zgjedhjet në Serbi, por, vetëm përmes Zyrës Ndërlidhëse Serbe ne Kosovë, apo përmes postës.

Më 1 nëntor, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 17 dhjetor, zgjedhje këto të tretat me radhë në Serbi vetëm në tre vjet e gjysmë. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare  në Serbi ndodh në një periudhë kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar po bën përpjekje  për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane, presidenti i Francës, kancelari i Gjermanisë dhe kryeministrja e Italisë me një deklaratë të përbashkët i kërkuan Kosovës që ta formojë Asociaciacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë njohjen "de facto” të pavarësisë së Kosovës.