Presidenti ukrainas falënderon Poloninë
6 Prill 2023Gjatë takimit me homologun e tij polak, Andrzej Duda, në kuadër të vizitës zyrtare në Varshavë presidenti i Ukrainës Zelenski tha "Ju keni qëndruar krah për krah me ne dhe ne ju jemi mirënjohës për këtë."
Polonia është aleat i ngushtë i Ukrainës dhe ka luajtur një rol të madh në nxitjen e mbështetjes ushtarake dhe politike perëndimore për Kievin. Polonia i ka premtuar Kievit 14 avionë luftarakë të prodhimit sovjetik luftarakë. Deri tani Polonia i ka dorëzuar Ukrainës tetë avionë luftarakë MIG-29 dhe do të dorëzojë së shpejti edhe gjashtë avionë të tjerë, tha presidenti Andrzej Duda gjatë vizitës së Zelenskit në Varshavë. Deri tani qe bërë publik vetëm dorëzimi i katër avionëve të parë në Kiev. Në të njëjtën kohë Duda u zotua për mbështetjen polake për pranimin e Ukrainës në NATO.
Duda: Rrezik nga imperializmi rus
Duda shtoi se Polonia do të përpiqet të sigurojëgaranci shtesë siguriepër Ukrainën gjatë samit të NATO-s që zvillohet në korrik në kryeqytetin lituanez, Vilnius.
"Sot ne po përpiqemi të marrim për Ukrainën... garanci shtesë, garanci sigurie, të cilat do të forcojnë potencialin ushtarak të Ukrainës," tha Duda. "Nuk kemi dyshim se qëndrimi juaj po e shpëton Evropën nga një përmbytje prej imperializmit rus”.
Duda e nderoi gjithashtu Zelenskin me çmimin më të lartë polak, Urdhërin e Shqiponjës së Bardhë. Duda tha në vlerësimin e tij se Zelenskit i akordohet medalja për meritat e tij në thellimin e marrëdhënieve polake-ukrainase, përkushtimin e tij për sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Zelenski: Polonia partner kyç për rindërtimin e vendit
Në këmbim Zelenski e falënderoi shprehimisht Varshavën për ndihmën e Polonisë "në rrugën e vështirë drejt fitores sonë". Pas fillimit të luftës në shkurt 2022, Polonia strehoi rreth 1.6 milionë vetë nga Ukraina. Zelenski tha se shpreson që vendimi polak për të hapur kufijtë midis Polonisë dhe Ukrainës për refugjatët në fillim të luftës të kthehet në një marrëveshje të përhershme.
Presidenti ukrainas tha se ai dëshironte "të mos ketë kufij në aspektin politik, ekonomik dhe - sidomos - në aspektin historik".
Ftesë për kompanitë polake
Zelenski u takua edhe me kreun e qeverisë polake, Mateusz Morawiecki. Ata folën për çështje të lidhura me mbrojtjen, ekonominë, transportin ndërkufitar, duke përfshirë lidhjet hekurudhore dhe zgjerimin e mundësive të kalimit kufitar.
Zelenski i ftoi kompanitë polake që të fillojnë të veprojnë në Ukrainë që para përfundimit të luftës, në mënyrë që të përmirësojnë pozitën e tyre në treg. Në këtë kontekst presidenti ukrainas e quajti Poloninë si partner kyç për rindërtimin e vendit.
(DW, dpa)