1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti i Kosovës niset për në SHBA ku pritet të flasë para KS-it

Bekim Shehu11 Korrik 2006

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, do të kërkojë nga KS-it që ta njohë drejpërdrejt pavarësinë e Kosovës dhe t'i sigurojë një vend në Organizatën e Kombeve të Bashkuara

https://p.dw.com/p/AreR
Fatmir Sejdiu
Fatmir SejdiuFotografi: AP

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, do të kërkojë nga KS-it, që ky mekanizëm i lartë ndërkombëtar të vazhdojë të mbështesë proceset në Kosovë në këtë fazë para statusit dhe një mbështetje e tillë ta vazhdojë edhe pas zgjidhjes së statusit. Ndërsa, kërkesa e veçantë do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës.

Këto deklarata, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i bëri pak para nisjes së tij për në SHBA, ku për herë të parë do të raportojë para anëtarëve të KS-it, për zhvillimet në Kosovë.

"Do të kërkoj nga KS-it, që të mbështesë edhe më tej zhvillimet në Kosovë para statusit por edhe pas zgjidhjes së statusit. Të organizohet një konferencë ndërkombëtare dhe të sigurohen donacione dhe ndihma për Kosovën me garanci të dhëna nga qeveria e Kosovës", tha presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu u shpreh gjithashtu se në KS-it, ai do të shtrojë kërkesën që anëtarët e OKB-së, të mund ta njohin pavarësinë e Kosovës edhe në mënyrë individuale.

"Kjo ka qenë një kërkesë në vazhdim edhe e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe një kërkesë e njejtë bëhet edhe nga ana ime, se Kosova ka krijuar mekanizma të qëndrueshëm dhe pavarësia e saj mund të njihet edhe në mënyrë të drejpërdrejtë. Thjesht mund të veprohet ashtu siç është vepruar edhe më herët për vendet e tjera të Evropës Juglindore", tha Presidenti Sejdiu.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, udhëton për në SHBA ku do të flasë para KS-it, plot besim se ky rast i hap rrugën Kosovës që shumë shpejt të jetë anëtare e plotë e OKB-së. Ai do të flasë në një sesion të mbyllur në KS-it. Të njëjtën gjë do ta bëjë edhe kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica dhe kryenegociatori ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Marti Ahtisari. Ky i fundit do të raportojë për rrjedhën e deritashme të bisedave shqiptaro- serbe dhe një vlerësim i mundshëm pozitiv nga ana e KS-it, do të hap rrugën e fillimit të fazës intensive të bisedave për përcaktimin e të ardhmes së Kosovës.

Pala kosovare shprehet e bindur se bisedimet për përcaktimin e statusit të Kosovës do të përfundojnë brenda këtij viti, ndërsa, institucionet e Kosovës të vazhdojnë rrugën e nisur në plotësimin e standardeve dhe integrimin e saj në strukturat evropiane.