1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti që kopjoi largohet

2 Prill 2012

Pas vërtetimit se kishte kopjuar doktoraturën, presidenti hungarez nuk donte të jepte dorëheqje. Por Pal Schmitt u detyrua sot për këtë. Universiteti Semmelweis ia ka hequr tashmë titullin e doktorit të shkencave.

https://p.dw.com/p/14WJn
Presidenti hungarez, Pal Schmitt
Presidenti hungarez, Pal SchmittFotografi: AP

Presidenti hungarez Pal Schmit dha dorëheqjen pas verifikimit të plagjiaturës në doktoraturën e tij. Schmitt tha se ndjehet "i detyruar" për dorëheqjen në bazë të kushtetutës së vendit, e cila synon unifikimin e Hungarisë. Të premten, Schmitt kishte refuzuar dorëheqjen dhe kishte përjashtuar lidhjen mes aferës së doktoraturës dhe postit të tij.

Më parë Schmittit i ishte hequr titulli i doktorit të shkencave për shkak të akuzave të provuara për plagjiaturë. Këtë vendim e mori të enjten e kaluar Senati i Universitetit Semmelweis për shkencat mjekësore (SOTE).

"Disertacioni i Schmitit i vitit 1992, nuk i përgjigjet kritereve të një pune të bërë në bazë të metodave shkencore", deklaroi para gazetarëve rektori i SOTE-s, Tivadar Tulassay. Ndërkohë mediat të hënën njoftuan edhe dorëheqjen e rektorit të Universitetit të Budapestit. Tivadar Tulassay dorëheqjen,  e argumentoi me humbjen e besimit tek personi i tij. Tulassay pohoi se ka informuar për vendimin e tij edhe Ministrinë përkatëse.

33 anëtarë të senatit patën votuar për heqjen e titullit presidentit, vetëm katër për të kundërtën. Schmitt ndodhej të enjten në mbrëmje në kthim nga një udhëtim në Korenë e Jugut dhe nuk mund të jepte mendimin e tij për këtë vendim.

Në kohën që Schmitt fliste në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Hungari i hiqet titulli i doktorit të shkencave
Në kohën që Schmitt fliste në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Hungari i hiqet titulli i doktorit të shkencaveFotografi: AP

Gazetarët e konstatuan plagjiaturën

Akuzat për plagjiaturë kundër kryetarit të shtetit u shfaqen në fillim të vitit nga gazetarët online të të përjavshmes "HVG". Ata kishin gjetur burimet përkatëse prej nga ishte marrë teksti dhe bënë identifikimin e plagjiaturës nëpërmjet krahasimit të teksteve. Schmitt, duhet të ketë kopjuar 197 nga 215 faqet e punimit të tij shkencor për të marrë titullin doktor mbi historinë e lëvizjeve olimpike. Si bazë ka marrë një version frëngjisht të një monografie të shkencëtarit bullgar të sportit, Nikolaj Georgijew dhe një studim të sociologut gjerman, Klaus Heinemann.

Një komision hetimor i SOTE-s, bëri të ditur ditën e martë se pas një hulumtimi dymujor, kishte arritur në të njëjtat përfundime. Ky organ e shfajësoi Schmitt-in duke thënë se shkolla e dikurshme e lartë për kulturën fizike, e integruar sot në SOTE, nuk duhet ta kishte pranuar punimin në atë kohë. Që nga Seuli Schmitti, e vlerësoi këtë si "zbardhje". Ai e kishte parë ekspertizën me "një lloj kënaqësie", dhe në ato çaste tha se nuk mendonte në asnjë moment për dorëheqje. Por studiues të shkencave, që ndodhen afër me partinë në pushtet FIDESZ (Aleanca e demokratëve të rinj), kërkuan dorëheqjen e presidentit. Edhe gazeta e afërt me kryeministrin konservator Viktor Orban, «Magyar Nemzet» i kërkoi po ashtu presidentit në numrin e të enjtes që të deklarojë dorëheqjen.

Viktor Orban vendos për fatin e Schmittit?
Viktor Orban vendos për fatin e Schmittit?Fotografi: picture-alliance/dpa

E braktisi Orban presidentin?

Analistët mendonin se fati i Schmitt-it ndodhej në duart e Orbanit, por kjo para se ai të jepte dorëheqjen. Në verë të 2010, kryeministri pati propozuar Schmitt-in, i cili ka qenë funksionar sporti në kohën e komunizmit, për të marrë postin e presidentit, megjithë kundërshtimet e ardhura nga pjesë të ndryshme të partisë FIDESZ. Në zgjedhjen e tij në parlament, u zbatua disiplina e partisë. Ai mori asokohe që në raundin e parë aprovimin e fraksionit të FIDESZ-it, pra dy të tretat e domosdoshme.

Në 20 muajt që vijuan Schmitt nënshkroi pa asnjë kundërshtim më shumë se 360 ligje të aprovuara nga shumica e përbërë prej FIDESZ-it. Sipas mendimit të kritikëve, një pjesë e tyre kanë ndikuar në dobësimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Hungari. Por Orbani në fund nuk e mbështeti presidentin në këtë aferë. Ndoshta droja e rrezikimit të pushtetit të tij ishte më e fortë.

Autor: dpa/dlf/Aida Cama

Redaktoi: Lindita Arapi/ Auron Dodi