Presidenti Bush pritet me nderime të larta ushtarake në Hungari
22 Qershor 2006Miqësisht presidenti Bush dhe homologu i tij hungarez Soloym buzëqeshnin para kamerave. Solyom falendëroi Bushin për pjesëmarrje në vitin jubilar të kryengritjes hungareze të vitit 1956, atëherë tankset sovjetike patën shtypur me gjak përpjekjet e hungarezëve për pavarësi. Kryengritësitë atëherë e patën ndjerë veten të obliguar ndaj vlerave që edhe sot e kësaj dite lidhin hungarezët me amerikanët, lirisë, të drejtave të njeriut, vetvendosjes. Presidenti hungarez po ashtu nuk harroi t'i kujtoj mysafirit të tij nga Uashingtoni se:
"Kjo bashkësi vlerash na detyron, ne duhet t'i përfaqësojmë këto vlera me besueshmëri në botë. Një prej fshehtësive të kthesës së suksesshme politike në Hungari ishte që ne vet nën rrethana të jashtëzakonshme historike nuk lejuam që të shkilen ligjet dhe kushtetuta. Besoj që lufta kundër terrorizmit mund të jetë e suksesshme nëse respektojmë në çdo hap të drejtën ndërkombëtare dh etë drejtat e njeriut", tha Solyom.
Nga ana tjetër Bush iu shmang temës së nikoqirit, falendëroi atë për mikpritjen dhe theksoi se:
"Unë jam këtu për të përkujtuar Revolucionin e vitit 1956. Një revolucion që përfaqësoi idenë se të gjithë burrat dhe të gjitha gratë duhet të jenë të lira. Përveç kësaj unë jam këtu për të forcuar miqësinë mes Hungarisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë sjell me vete përshendetjet e mijëra amerikanëve me origjinë hungareze të cilët janë shumë krenar për atdheun dhe traditat e tyre", nënvizoi presidenti amerikan Xhorxh Bush.
Para 17 vitesh, në vitin 1989 Xhorxh Bush senior pat qenë në Budapest dhe pat mbështetur Hungarinë gjatë kthesës politike.