1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pranimi i Suedisë në NATO po afron

28 Dhjetor 2023

Turqia kishte bllokuar anëtarësimin e Suedisë në NATO prej muajsh. Tani, Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit turk votoi pro zgjerimit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë fundi i bllokadës turke.

https://p.dw.com/p/4acPz
Natogipfel in Litauen Eingung zwischen Erdogan und Ulf Kristersson
Fotografi: Henrik Montgomery/ASSOCIATED PRESS/picture alliance

Pas muajsh vonese, Komisioni i Jashtëm i parlamentit turk ka votuar pro ratifikimit të anëtarësimit të SuedisëNATO, duke hequr kështu një pengesë të madhe për zgjerimin e aleancës së mbrojtjes.

Pas votimit, i gjithë parlamenti duhet të vendosë për pranimin. Data e votimit nuk dihet ende.

Përballë luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Suedia aplikoi për anëtarësim në NATO së bashku me Finlandën në maj 2022. Finlanda u bë anëtarja e 31-të e aleancës në fillim të prillit. Për të hyrë, Suedia ka ende nevojë për miratim nga Turqia dhe Hungaria.

Të dyja vendet janë dy anëtarët e fundit të NATO-s, parlamentet e të cilëve nuk i kanë ratifikuar ende protokollet e pranimit të Suedisë. Turqia ka vonuar ratifikimin dhe ka akuzuar Suedinë për mungesë veprimi kundër "organizatave terroriste" si Partia e Punëtorëve Kurdë (PKK) dhe ka refuzuar të japë pëlqimin për këtë arsye.

Nëndetesja suedeze HMS Gotland në portin Karlskrona
Nëndetesja suedeze HMS Gotland në portin KarlskronaFotografi: TOM LITTLE/REUTERS

Ankaraja kishte paraqitur pak kohë më parë një listë me 130 emra në Finlandë dhe Suedi. Sipas mediave turke, këta janë kryesisht terroristë të dyshuar që duhet të ekstradohen.

Si nisi bllokada

Në fund të janarit 2023, Presidenti turk Erdogan deklaroi papritur se Suedia nuk mund të llogarisë në mbështetjen e Turqisë për t'u bashkuar me NATO-n. "Nëse ata nuk tregojnë respekt për Republikën Turke apo për besimet fetare të myslimanëve, atëherë ata nuk do të mund të llogarisin në mbështetjen tonë kur bëhet fjalë për NATO-n”, tha atëherë Erdogani. Me këtë ai reagoi ndaj një demonstrate të ekstremistëve të djathtë pak ditë më parë në Suedi, ku u dogj një kuran para ambasadës turke në Stokholm.

Demonstrata ishte zhvilluar nën mbrojtje të fortë policore dhe pas barrierave metalike. Ekstremisti i djathtë danezo-suedez Rasmus Paludan mbajti një tirade kundër fesë islame dhe emigrantëve dhe më pas i vuri zjarrin një kopjeje të Kuranit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg para flamurit të aleancës perëndimore
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg Fotografi: Jonas Ekstromer/TT News Agency/AP/picture alliance

Pas lëshimeve të Suedisë, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan njoftoi në fund të tetorit se do të lejonte ratifikimin nga Parlamenti turk, por që atëherë është bllokuar në komision. Së fundmi, Erdogani e kishte kushtëzuar miratimin me dërgimin nga Shtetet e Bashkuara të avionëve modernë F-16 në Turqi.

Kur Presidenti amerikan Joe Biden e uroi Erdoganin për fitoren e tij në zgjedhje me sa duket e lidhi pranimin e Suedisë në NATO me F16-të, ndryshe nga sa thuhet zyrtarisht. Por Kongresi amerikan nuk dëshiron t'i dorëzojë avionët luftarakë sepse Turqia kishte blerë një sistem rus të mbrojtjes raketore.

Stoltenberg mirëpret vendimin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përshëndeti vendimin e komisionit parlamentar turk. "Unë mbështetem në Turqinë dhe Hungarinë që të përfundojnë procesin e ratifikimit sa më shpejt të jetë e mundur. Pranimi i Suedisë do ta bëjë NATO-n më të fortë," shpjegoi Stoltenberg.

 

 

aud (ag)