Porsche blen 20 për qind të aksioneve të VW
26 Shtator 2005Faza e gjaknxehtësisë postelektorale në Gjermani kaloi dhe me sa duket, shancet që vendi të qeveriset prej një koalicioni të madh, të përbërë prej socialdemokratëve dhe demokristianëve po shtohen, edhe pse ende nuk është e qartë nën drejtimin e kujt. Në lidhje me këtë temë në gazetën "Kölner Stadtanzeiger" lexojmë:
"Pas shokut të parë dhe ideve kreative të lidhura me mundësinë e një koalicioni mes demokristianëve, ekologjistëve dhe liberalëve, në Gjermani është rikthyer realizmi. Pas gjithë gjasash pas dy javësh do të vendosen themelet e një koalicioni të madh. Në këtë mënyrë do të arrihet që të realizohet vullneti i shumicës së qytetarëve, që është gjithashtu fitore e demokracisë. Por kjo kërkon që raportet e pushtetit dhe të çështjeve të organizohen tërësisht nga e para."
Edhe gazeta "Westdeutsche Allgemeine Zeitung", që botohet në Essen mendon se koalicioni që vërtet do të favorizohej prej zgjedhësve gjermanë është ai mes socialdemokratëve dhe demokristianëve. Ndërkohë, që do ta konsideronin si një eksperimet të çuditshëm një koalicion mes demokristëve, liberalëve dhe ekologjistëve, që u pagëzua edhe me emrin "koalicioni Xhamajka". Citojmë:
"Parë nga këndvështrimi sociologjik, një koalicion i madh është bashkimi më i madh i mundshëm i mesit të shoqërisë: që nga zejtarët deri tek nëpunësit dhe specialistët. Sidoqë të tingëllojë një koalicion i tillë, këto parti garantojnë prej vitesh stabilitet demokratik, gjë që është me shumë vlerë në kohët e pasigurisë së përgjithshme. Laboratorin për ekstravaganca politike le ta përdorin të tjerët."
Edhe pse pra duket, se çështja e koalicionit që do të qeverisë vendin po merr një zgjidhje, ende është e paqartë se cili do t'i marrë në dorë frenat e qeverisë. Në lidhje me këtë në gazetën "Westfälische Nachrichten" që botohet në Hamm lexojmë:
"Ka mëse një javë që shifrat flasin për një koalicion të madh, po a po i thërresin të gjithë arsyes? Nisur nga deklaratat, si nga radhët e demokristianëve edhe të socialdemokratëve, duhet të dyshosh. Humbjet më të mëdha, sa i përket reputacionit, i ka pësuar në këtë kohë kancelari Gerhard Shrëder. Njerëzit po presin një sinjal. Shrëderi e humbi shancin më të mirë, pra që të dilte fitues në zgjedhje. Shancin tjetër e ka deri të mërkurën, kur do të zhvillohen bisedimet mes demokristianëve dhe socialdemokratëve për koalicion. Të paktën kështu e kërkon racionaliteti politik dhe shifrat që dolën nga përfundimet e votimeve."
Gazeta "Der neue Tag" që botohet në Weiden, trajton pozicionin e vështirë në të cilin gjendet Partia Socialdemokrate gjermane. Citojmë:
"Partia Socialdemokrate gjermane po kalon fazën më të vështirë të historisë së saj të re. Socialdemokracia duhet të ketë kujdes, që megjithë politikën e domosdoshme reformatore të mos e tradhëtojë shenjën e saj dalluese: drejtësinë sociale. Kjo po bëhet gjithnjë e më vështirë, sepse tani në Gjermani, ka gjithmonë një parti tjetër që do të thotë "unë isha e para". Pra demokristianët, në rastin e një kursi të fortë reformator, dhe të majtët në rastin e një kursi social-romantik, që do të kete efekte frenuese."
Kalojmë në temën tjetër, vendimin e bosit të Porshes, Wendelin Wiedeking, për të blerë 20% të aksioneve të Volkswagenit. Në lidhje me këtë temë në gazetën "Fuldaer Zeitung" lexojmë:
"Me vendimin e tij spektakolar, për të blerë 20% të aksioneve të Volkswagenit shefi i Porshes bën një rrugë e tri punë: e siguron VW ndaj blerjes armiqsore prej ndonjë firme tjetër, shton ndikimin e vet për projektet e përbashkta dhe parkon në një vend të sigurt, një pjesë të të ardhurave që ka mbledhur gjatë viteve të fundit. Meqënëse pagesa do të bëhet si të thuash në dorë, Porshes do t'i duhet të paguajë taksa të larta ndërkohë, që përqindja e interesit do të jetë e ulët. Por të ardhurat prej dividenteve dhe bërja bashkëpronar përjashtohen në këtë rast prej taksimit. Për këtë arsye nga këndvështrimi financiar kjo marrëveshje ishte një hap i zgjuar."