1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pornografia në internet: Si të mbrohen fëmijët

Joana Impey/Lindita Arapi13 Qershor 2013

Gjigandëve të internetit u kërkohet të bëjnë më shumë për të bllokuar faqet e abuzimit seksual me fëmijët. Pas vrasjeve të dy fëmijëve në Britaninë e Madhe kërkohet ndalimi i faqeve pornografike me fëmijë online.

https://p.dw.com/p/18oXG
Fotografi: Fotolia/Kitty

5-vjeçarja April Jones u rrëmbye dhe u vra në zonën rurale të Wales tetorin e shkuar nga një pedofil me emrin Mark Bridger. Gjatë procesit gjyqësor u bë e njohur se Bridger kishte kërkuar rregullisht në internet pamje të abuzimeve seksuale me fëmijë para se të kryente aktin e vrasjes. Në një rast tjetër 12-vjeçarja Tia Sharp u vra gushtin e shkuar nga një i afërm i familjes, Stuart Hazell. Po ashtu edhe ky person kishte shikuar në internet faqe pornografike me fëmijë duke treguar një interes gjithnjë e më në rritje për imazhet me abuzimin seksual. Që të dyja rastet sollën shtimin e zërave në Britaninë e Madhe për bllokimin e imazheve pornografike ku protagonistë janë fëmijët. Pornografia e minorenëve është ilegale në Britaninë e Madhe. John Carr, këshilltar i qeverisë britanike për sigurinë e fëmijëve në internet iu ka drejtuar thirrje publike koncerneve të internetit të bëjnë më shumë për të zgjidhur një problem të tillë. “Po qe se një person ka tendencën të kërkojë pamje të tilla, nuk ka dyshim që me gjashtë apo shtatë klike ai do t'i ketë ato në monitor”, u shpreh Carr për Deutsche Welle-n.

April Jones humbi jetën nga dhuna e një pedofili, i cili rregullisht kërkonte faqe pronografike online.
April Jones humbi jetën nga dhuna e një pedofili, i cili rregullisht kërkonte faqe pronografike online.Fotografi: picture alliance/AP Photo

Thirrje për ndryshime të strukturave kërkuese

John Carr kërkon që kompanitë e intërnetit të bllokojnë të gjitha link-et që përdoren nga pedofilët që kërkojnë pamje abuzimi seksual përmes vendosjes së standartave të sigurisë. Në përgjithësi ata që duan të kenë hyrje në faqet pornografike duhet të regjistrohen dhe të provojnë se janë mbi 18 vjeç. Përdoruesit duke qenë se do të japin emrin e tyre do të jenë të përmbajtur në kërkimin e faqeve ilegale online. “Vetëm kjo gjë në vetvete do të bëjë që një numër i madh burrash të rezervohen në kërkimin e pornografisë për fëmijë”, thote Carr.

Ndihmë nga kompanitë e mëdha

Kompanitë e mëdha kanë premtuar se do të bashkëpunojnë më ngushtë me qeverinë dhe organizatat joqeveritare për të vepruar më me rigorozitet kundër download-imit të faqeve ilegale. Në një deklaratë për Deutsche Welle-n të Scott Rubin, drejtor i komunikimit dhe çështjeve publike i Google-it thuhet: “Google tregon tolerancë zero kundër çdo lloj përmbajtjeje me abuzim seksual të fëmijëve. Ne jemi anëtarë dhe bashkëthemelues të Fondacionit “Internet Watch Foundation” – një trupë e pavarur që kërkon në internet imazhet e abuzimit seksual me fëmijë dhe na i dërgon neve për t'i fshirë nga indeksi ynë i kërkimit. Kur zbulojmë imazhe të abuzimit me fëmijë apo jemi të vetëdijshëm për këtë, ne reagojmë menjëherë dhe e raportojmë këtë tek autoritetet e ligjit.”

Die neue Silicon Valley
Google angazhohet në luftën kundër pornografisë së fëmijëveFotografi: DW/M. Pringle

John Brown punon për NSPCC, organizatën humanitare më të njohur në Britaninë e Madhe që punon për ndalimin e mizorive kundër fëmijëve. Eksperti e vlerëson angazhimin e kompanive të internetit, por mendon se ato mund të bëjnë më shumë. „Ne mendojmë se kompanitë e internetit mund të bëjnë më shumë duke dërguar edhe paralajmërime të menjëhershme tek ata persona që i kërkojnë këto imazhe. Në qoftë se dikush kërkon faqe të tillë, atëherë në paralajmërimin që i dërgohet mund t‘i bëhet e qartë se ju po kërkoni faqe ilegale dhe ky veprim është regjistruar. Në qoftë se ata vazhdojnë ta bëjnë një gjë tillë, ky informacion mund t'u dërgohet autoriteteve.”

Një çështje ndërkombëtare

Origjina e imazheve pornografike me fëmijë është një problem global. Nga vetë natyra e internetit nënkuptohet që një problem i tillë nuk mund të zgjidhet nga një qeveri e vetme. “Shumë nga krime të tilla nuk janë përgatitur në Britaninë e Madhe, madje as në Europë, por shumë më larg dhe natyrisht që një imazheri e tillë mund të ndahet shumë lehtë përmes internetit”, thekson John Broën. “Pra është absolutisht e nevojshme metoda e kërcënimit e, parandalimi, por edhe identifikimi dhe gjetja e gjurmës së viktimave. Sepse çdo imazh i krijuar dhe transmentuar online ka pas vetes një fëmijë të abuzuar. Këta fëmijë kudo ku janë duhet të identifikohen dhe të marrin të gjithë ndihmën e nevojshme.”

Islanda për shembull ka gjetur një rrugë tjetër. Që në fillim të këtij viti, qeveria planifikoi kufizimin e shpërndarjes së pornografisë në tërësi – jo vetëm të imazheve ilegale të abuzimit seksual me fëmijë, si në Britaninë e Madhe. Pas kësaj strategjie qëndron frika se me pornografinë legale fëmijët do të mund të influencohen, kur arrijnë të gjejnë faqet shumë thjesht online.