Popullsia gjermane po zvogëlohet dhe plaket
1 Qershor 2013U deshën dy vjet që të numëroheshin shtëpitë, të shihej mosha e gjermanëve, arsimimi dhe natyrisht numri i përgjithshëm i tyre. "Më 9 maj 2011 në Gjermani kishte 1.5 milion banorë më pak nga sa mendohej", deklaroi Presidenti i Zyrës së Statistikave Roderich Egeler.
Shefi i statistikave bëri gjithashtu të ditur se në Gjermani jetojnë 1.1 milion të huaj më pak nga sa mendohej. Pavarësisht kësaj Gjermania vazhdon të mbetet një vend emigracioni dhe këtë e tregojnë mjaft qartë shifrat.
Rreth 19% e popullsisë ka prejardhje nga një vend tjetër. Këtu përfshihen të gjithë gjermanët dhe të huajt, që të paktën një nga prindërit e kanë më prejardhje emigracioni. 40% e tyre nuk kanë një pasaportë gjermane.
Gjermania plaket gjithnjë e më shumë
Fatkeqësisht shifrat tregojnë gjithashtu se Gjermania është plakur akoma më shumë. Nga rreth 80 milion banorë vetëm 16 % prej tyre janë nën 18 vjeç. Ndërsa më shumë se 40% të qytetarëve gjermanë janë më shumë se 50 vjeç.
Kaq shumë informacion për popullsinë e Gjermanisë ekspertët nuk kishin patur prej një kohe të gjatë. Ky ishte censusi i parë që pas bashkimit të dy Gjermanive. Numërimi i fundit në Gjermaninë Perëndimore ishte kryer në vitin 1987, ndërsa në atë Lindore në vitin 1981.