"Polonia sulmohet vazhdimisht në formë hibride"
3 Shtator 2023Cilësia ishte e dobët, por sinjali dëgjohej. "Për fitoren", ishte thirrja e presidentit rus, Vladimir Putin. "Urra" përgjigjja e ushtarëve. Pastaj u dëgjua himni rus. Drejtuesit e lokomotivave në afërsi të Shzecinit, Poloni e dëgjuan këtë sinjal në fund të gushtit, pas një komandoje tjetër erdhi një ndalesë emergjence. Më shumë se 20 trena ndalën lëvizjen.
Trafiku i trenave të mallrave në rajon u ndërpre përkohësisht. Shërbimi Informativ Polak, ABW është duke hetuar, deklaroi Stanislaw Zaryn, sekretari i shtetit të kryeministrit polak. "Për momentin nuk përjashtojmë asnjë skenar", tha Zaryn. Por duhet "theksuar po ashtu", se jeta e shëndeti i pasagjerëve nuk ka qenë në rrezik. "Ky incident duhet zbardhur, edhe për shkak të rrezikut aktual ndaj shtetit polak."
Vend tranzit për transportin e armëve
Kërcënimi për hekurudhën polake erdhi nga një transmentues i thjeshtë i valëve të shkrutra. Jo ndonjë vepër e përkryer teknikisht, konstatuan ekspertët. Por himni rus bën që të gjithë të mendojnë për akt sabotazhi. Pak më vonë u arrestuan dy persona që duhet të kenë dërguar sinjalin e ndalimit emergjent - një nga të dyshuarit, një polic polak.
Polonia si vend tranzit i transportit të armëve për Ukrainën duket se është në fokus të shërbimeve sekrete ruse. Që në mars të këtij viti autoritetet zbuluan një grup spiunazhi. Dhe rregullisht arrestohen anëtarë të rinj të grupit. Në fund të gushtit ishin 16 të arrestuar gjithsej për spiunazh. Prokuroria i akuzon ata për "kryerjen e spiunazhit për Rusinë dhe si pjesëtarë të një grupi kriminal", ka deklaruar Mariusz Kaminski, ministri i Brendshëm polak pas arrestimeve të para. Punonjësit e shërbimit të brendshëm informativ "kishin gjetur kamera, pajisje elektronike dhe transmetues GPS që duhet të fiksoheshin në transportet e ndihmave për Ukrainën."
Një arrestohet, një tjetër rekrutohet
Të dyshuarit janë të huaj, më shumë nuk tha minstri i Brendshëm polak, Kaminski. Ndërkohë mediat polake raportojnë, se një pjesë e grupit përbëhet nga refugjatë ukrainas. Ata nuk janë agjentë të shkolluar, por të rekrutuar që i kryejnë këto shërbime për para. Nëse një arrestohet, një tjetër rekrutohet diku, pasi Polonia luftohet në mënyrë hibride vazhdimisht, tha Zbginiew Hoffmann, sekretar shteti për mbrojtjen kombëtare. "Kjo natyrisht që vjen nga Kremlini, por praktikohet edhe nga Bjellorusia", sipas Hoffmann-it, dhe prek disa sektorë. "Nuk ka vetëm rrezik të drejtpërdrejtë nga trupat Wagner" por edhe sulme kibernetike. Kush merret me këtë e di "se ata nuk e përdorin këtë strategji nga dje ose sot."
Hoffmann bën fjalë për ekspertizën e shërbimeve sekrete postsovjetike. Strategjia është destabilizim dhe kaos. E ajo lë gjurmë. Kur në Rshezcov, një pikë e rëndësishme tranziti për në Ukrainë u gjetën në ujin e pijshëm baktere legjionare me pasojë vdekjen e 18 vetëve (gjendja aktuale) u mor menjëherë me hetimet shërbimi sekret polak. Ndoshta infektimi ishte pasojë e problemeve të tubacioneve të ujit, por nuk përjashtohet as një atentat. Pasiguria në Poloni është e madhe.
Marrë nga tagesschau/Martin Adam/Varshavë