Polonia forcon kufirin me Bjellorusinë
3 Korrik 2023Polonia po dislokon trupa policore shtesë në kufirin e saj me Bjellorusinë për të forcuar sigurinë, njoftoi Ministri i Brendshëm polak Mariusz Kaminski. Për sigurinë e kufirit polak me Bjellorusinë janë në gatishmëri 5000 roje kufitare dhe 2000 ushtarë.
Kaminski shkroi në Twitter se "për shkak të situatës së tensionuar në kufirin me Bjellorusinë, kam vendosur të shtoj forcat tona me 500 policë nga njësitë parandaluese dhe ato kundër terrorizmit".
Zëvendëskryeministri Jaroslaw Kaczynski, që është gjithashtu lider i Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) në pushtet në Poloni, tha javën e kaluar se tashmë në Bjellorusi duhet të kenë rreth 8,000 pjesëtarë të trupës Wagner.
Fazë e re të luftës hibride
Kaczynski tha se Polonia do të ndërmarrë hapa si të përkohshëm edhe të përhershëm për të forcuar kufirin, të cilat përfshijnë edhe rritjen e pranisë së forcave të sigurisë dhe shtimin e fortifikimeve. Ai tha se prania e trupës Wagner në Bjellorusi mund të nënkuptojë një "fazë të re të luftës hibride, një fazë shumë më të vështirë se ajo me të cilën kemi pasur të bëjmë deri tani".
Udhëheqësi bjellorus, Aleksander Lukashenko, tha javën e kaluar se shefi i grupit Wagner, Jevgeni Prigoshin, kishte mbërritur në vendin e tij, gjë që shkaktoi shqetësime në vendet e NATO-s që kufizohen me Bjellorusinë, përkatësisht në Poloni, Letoni dhe Lituani.
Mjaft emigrantë në përpjekje për të kaluar nga Bjellorusia në Poloni
Roja Kufitare Polake njoftoi të dielën (02.07) se 187 vetë u përpoqën të kalonin ilegalisht nga Bjellorusia në Poloni.
Polonia e akuzon Bjellorusinë se ka krijuar artificialisht një krizë migrantësh në kufi, duke sjellë njerëz nga Lindja e Mesme dhe Afrika, të cilët përpiqet t'i nxisë të kalojnë kufirin. Minsku i ka mohuar këto akuza.