1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Poloni: PiS izolim në politikën e jashtme, vlerësim në vend

16 Nëntor 2017

Para dy vjetësh (16.11.15) bëri betimin qeveria nacional-konservatore e Beata Szydlo. Bilanci është i përzier, mendon Bartosz Dudek.

https://p.dw.com/p/2niC4
Polen Warschau Rechtsradikale beim Marsch zum Unabhängigkeitstag
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/J. Arriens

Imazhe që janë helm për Poloninë: "Gjak i pastër, kokë e thjellët", "Europa do të bëhet e bardhë ose e zbrazur nga njerëzit", "Për një Europë të bardhë të popujve vëllezër" - të tilla pankarta u ngritën të shtunën e kaluar (11.11) në Varshavë në ditën e pavarësisë së Polonisë. Demonstrata ishte organizuar prej ultra të djathtëve nën moton "Ne duam Zotin". Një kombinim shokues: religjoni kristian i dashurisë për tjetrin përzihet me parrulla urejtjeje. E kjo në një vend, që ka vuajtur më shumë se asnjë tjetër nën nacionalsocialistët gjermanë dhe marrëzinë racore të tyre. Edhe pse një pjesë e vogël vetëm rreth 60.000 pjesëmarrës mund të klasifikohen si radikalë të djathtë. imazhet turpëruese nguliten në opnionin botëror.  

Ndaj është mirë dhe e drejtë, që presidenti i Polonisë Andrzej Duda dhe faktikisht pushtetari në vend kryetari i partisë nacional-konservatore që qeveris e vetme, Jaroslav Kazhinynski, i kanë dënuar parrullat raciste. Por nuk mund të mohohet, që ka qenë në radhë të parë retorika islamofobe e Kazhynskit, ajo që i ka ngritur në nivelin e gjuhës politike shprehjet raciste, edhe pse vet PiS, partia e tij, nuk është parti ekstremiste e djathtë, nacionalistët radikalë shpesh trajtohen me kudjes prej saj, sikur ajo të dojë të mos i largojë zgjedhësit e saj prej vetes. Një strategji e rrezikshme. Sepse këto lloj aleancash janë të pakalkulueshme, sikurse e ka dëshmuar shembulli i Gjermanisë në fillimin e viteve 1930-të. Le të kujtojmë: Adolf Hitler dhe nazistët gjoja duhej të "inkuadroheshin" prej partive më pak radikale. Por me të hyrë në pushtet ato nuk e shkëputën dot më atë.

Dudek Bartosz Kommentarbild App
Bartosz Dudek

E izoluar në politikën e jashtme, por e respektuar brenda vendit

Bilanci i qeverisë së PiS pas dy vjetësh është i përzier. Në politikën e jashtme vendi është izoluar gjithnjë e më shumë në BE. Rikonstruktimi i shtetit në kuadër të revolucionit konservator është bërë nën moton "qëllimi justifikon mjetin". Konflikti për Gjykatën Kushtetuese, reforma e diskutueshme në drejtësi, transformimi i shfrenuar i medieve publike në instrument propagande të qeverisë i kanë kushtuar Varshavës grindje të ashpra me BE-në. Edhe marrëdhëniet e mira gjermano-polake që nga fillimi i viteve 1990 janë ftohur dukshëm. Pretendimet për reparacione nga Lufta e Dytë Botërore të ngritura nga Kazhynski bëjnë që ai t'i mbajë pas linjës së vet përkrahësit, por ato janë helm për raportet bilaterale. Por askush në Poloni nuk do t'ia dijë, që politika e jashtme është një funksion i politikës së brendshme.

Në politikën e brendshme qeveria e PiS ka shkaktuar një përçarje dramatike të shoqërisë, e pashembullt kjo që pas vitit 1989. Krisjet kalojnë në mes të familjeve. Fajin për këtë e ka retorika e ashpër e përdorur nga Kazhynski dhe të tjerë politikanë të PiS: Fjala është për terma të tilla si tradhëtarë e maskarenj, "polakë të mirë" e "polak të sojit të keq".

Nga ana tjetër qendrojnë sukseset e qeverisë PiS në politikën sociale dhe ekonomike. Aplikimi i parave për fëmijët është një mbështetje për shumë familje të varfëra, që janë humbëset e tranzicionit, e kjo u ka kthyer atyre dinjitetin e tyre. Kjo u bë e mundur, sepse ekonomia është në bum. Përveç kësaj janë bërë më efikase autoritetet financiare dhe korrupsioni po bie. Pikërisht me të tilla suksese e masin zgjedhësit qeverinë e PiS. E kjo llogari duket se del për mbarë: Me 45 përqind të votave PiS është në sondazhe më e mirë se asnjëherë më parë. Ajo përfiton edhe nga opozita e dobët. Me kalimin e Donald Tusk në Bruksel  ajo nuk është më në gjendje t'i bëjë ballë Kazhynskit as sa i përket personelit dhe as me program. 

Zhvendosja djathtas, që është bërë në Poloni me qeverinë e PiS, na mëson, se zhvillimi demokratik kërkon kohë. Në të bëjnë pjesë përmbysje, gabime e kriza. Eshtë naive të besosh, se mund t'i kapërcesh procese të caktuara demokratike e shoqërore. Problemi thelbësor ka të bëjë, se Europa Lindore dhe ajo Perëndimore jo vetëm ekonomikisht, por edhe mentalisht në aspektin social-politik ndodhen në shkallë të ndryshme zhvillimi: në sfondin e historisë së Europës Lindore e asaj Qendrore kjo është e kuptueshme.

Arroganca dhe moralizmi janë pa vend

Ndaj vendet perëndimore të BE-së - veçanërisht Gjermania - duhet të jenë të kujdesshme që të mos reagojnë vetëm me arrogancë dhe duke ngritur gishtin tregues. Ka qenë edhe politika e Berlinit ajo që ka kontribuar, që në nëntor 2015 në Poloni ndodhi zhvendosja djathtas. Kjo ka të bëjë nga njëra anë me ndërtimin e linjës së gazit në detin Baltik nga Rusia përkundër kritikave të Polonisë, e në radhë të parë me vendimin e mëvetësishëm nga Angela Merkel për të hapur kufijtë për qindra mijëra refugjatë në zonën Shengen.

Edhe pse qeveria e PiS nga këndvështrimi perëndimor duket se jeton në një epokë tjetër: Polonia si komb meriton respekt, sepse ajo ka dhene një kontribut të madh në kulturën dhe historinë e Europës. Veçanërisht gjermanët kanë shumë arsye për të qenë mirënjohës. Sepse pa vullnetin e polakëve për liri, pa Papa Gjon Palin e II dhe pa Leh Valesën e Solidarnostin nuk do të kishte Gjermani të ribashkuar. Edhe nëse ne na indinjojnë parrullat ekstremiste të djathta në rrugët e Varshavës, nuk duhet të harrojmë: Kjo nuk është e gjithë Polonia.