1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politologu: "Më mirë një fund me tmerr..."

Wolfgang Dick
21 Nëntor 2017

Negociatat midis partive unioniste, të Gjelbërve dhe FDP, pas braktisjes së tyre prej liberalëve njëherë për njëherë kanë dështuar. Mundësia e koalicionit duhet të dështonte, mendon politologu Christian Hacke.

https://p.dw.com/p/2nxav
Prof. Dr. Christian Hacke Universität Bonn Archivbild 2008
Fotografi: Uni Bonn

DW:  Sa e dëmton dështimi i negociatave demokracinë dhe në ç'masë është ai fundi i kancelares në detyrë, Angela Merkel?

Hacke: Është e vështirë ta vlerësosh, por besoj që dëmi në imazh është shumë i madh. Por më duhet të them që kur pashë lajmet mbrëmë thashë: më në fund! Më mirë një fund me tmerr, se sa një tmerr pa fund. Javët e fundit aktorët u betuan për përbashkësi, por dihej që ata nuk po i afronin pozicionet.

Kancelarja duhet ta kishte ditur që në fillim, që nuk ka para vetes një karrocë me katër kuaj, që ecin në të njëjtin drejtim, por me katër kuaj, që duan të ecin në drejtime të ndryshme. Ajo duhet të kishte bërë të qartë që në fillim objektivat politike, dhe partitë duhet të kishin deklaruar brenda një jave, nëse mund të bien dakord me to apo jo. Duhet të kishte udhëhequr. Por këtë nuk e bëri. Objektivi i vetëm i saj ishte mbajtja me çdo kusht e pushtetit. Unë nuk do të çuditesha nëse ky do të ishte perëndim perëndish për kancelaren.

A mund ta përfytyroni si do të vendosë në fund Presidenti?

Ai e bëri që tani shumë të qartë pozicionin e tij duke u kërkuar kundërshtarëve që të bien dakord dhe se me temën e zgjedhjeve të reja nuk duhet luajtur. Kjo ishte shumë e guximshme. Në fund, po t'ia kërkojë kancelarja, atij do t'i duhet të pranojë zgjedhje të reja. Kjo do të varet nga ajo që do të ndodhë tani më tej në sondazhet e kancelares. Një qeveri mes unionistëve dhe të Gjelbërve unë e përjashtoj. Edhe socialdemokratët e kundërshtuan koalicionin e madh.

Në ç'masë mund të përfitojnë nga situata e tanishme të Majtët dhe AfD?

Fituesi i madh i zgjedhjeve të reja, kjo është e qartë që tani, do të jetë me gjasa AfD. Zgjedhësit e AfD do të jenë edhe më të acaruar dhe do të dinë ta shfrytëzojnë situatën për vete. Ajo që pamë qe një shfaqje e tillë e padenjë, siç nuk e kam parë asnjëherë në situatat pas zgjedhjeve në historinë e RFGJ.

Cilat mundësi politike i konsideroni më të mundshmet?

Unë nuk besoj se do të kemi qeveri minoriteti. Asaj do t'i mungonin më shumë se 20 apo 30 vota. Me të nuk mund të bësh politikë qeveritare. Shumicat duhet të ekzistojnë. Kur nuk mund ta kesh një qeveri të tillë dhe koalicioni i madh nuk është mundësi, nuk mbetet gjë tjetër veçse organizimi i zgjedhjeve të reja. Në këtë rast përgjegjësit vetëm mund t'i këshillosh që të mësojnë nga javët e fundit. Populli pret që të krijohet shpejt një qeveri e re. Zgjedhjet e reja duhet të caktohen shpejt. 

Prof. Christian Hacke është politolog dhe ka qenë profesor në Universitetin e Bundeswehrit si dhe në Universitetin Friedrich-Wilhelms të Bonn-it.