1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika gjermane e mbrojtjes fokusohet tek BE

Kay-Alexander Scholz
12 Nëntor 2016

Berlini diskuton se si mund të zhvillohet bashkëpunimi ushtarak me SHBA nën Presidentin Trump. Ndërsa Juncker në Bruksel tha se SHBA nuk do të kujdesen në vazhdimësi për sigurinë e evropianëve, këtë duhet ta bëjmë vetë.

https://p.dw.com/p/2Saau
Deutschland Deutsch-französische Brigade in Müllheim
Brigada gjermano-franceze në Müllheim të GjermanisëFotografi: picture-alliance/dpa/R. Haid

Deri në marrjen e postit të Presidentit të ardhshëm të SHBA, Donald Trump do të kalojnë disa javë. Qeveria gjermane pra ka kohë që të përgatitet. Por krejt të paqarta janë planet në politikën e jashtme të Trumpit.

Një nga temat me pikëpyetje është e ardhmja e NATO-s. Si do të vejë puna me aleancën ushtarake transatlantike, nëse Trump e bën realitet premtimin e fushatës së tij elektorale dhe e paraqet vërtet si çështje për shqyrtim besnikërinë në aleancë? Çfarë do të ndodhë, sikur SHBA ta pakësojnë dukshëm angazhimin e tyre financiar dhe ushtarak?

Në mbrëmjen pas zgjedhjes së Trumpit, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean- Claude Juncker mbajti në Berlin fjalimin e këtij viti për Evropën. SHBA nuk do të kujdesen në vazhdimësi për sigurinë e evropianëve, tha ai. "Këtë duhet ta bëjmë vetë". Prandaj duhet të provohet edhe njëherë realizimi i një bashkimi evropian të mbrojtjes ose të hapet diskutimi për një ushtri evropiane. Debati nuk është i ri, por aktualisht ai po rigjallërohet.

BE thekson Bashkimin e Mbrojtjes

Një ditë më pas, ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen argumentonte ngjashëm në "Rheinische Post". Krahas "ndërtimit të rëndësishëm të urave me administratën e Trumpit" "Gjermania duhet të kërkojë unifikimin e qëndrimeve me partnerët evropianë". BE nuk do të ketë rrugë tjetër veç një organizimi më të mirë në politikën e sigurisë, shkroi Leyen. BE "është larg së qeni i aftë për të vepruar dhe vendosur, në atë masë që e dëshirojmë". Për arritjen e këtij objektivi, për këtë përfundimi i zgjedhjeve në SHBA mund të japë një impuls të rëndësishëm.

Javën e ardhshme, ministrat e Mbrojtjes të BE do të konsultohen për një bashkëpunim të tillë më të ngushtë si plotësim për NATO-n. Në mes të dhjetorit, në një takim të nivelit të lartë të BE do të hapet rruga për një bashkim të mbrojtjes. Që prej Brexit-it ky plan është realist - deri tani qenë britanikët ata që vendosnin gjithmonë një veto kundër një "ushtrie të BE".

Nga Bundeswehri pritet më shumë

Brexit dhe zgjedhjet në SHBA janë katalizatorë të një politike të re gjermane të mbrojtjes, e cila është në fillimet e saj. Që prej dy-tri vjetësh nga Bundeswehri kërkojnë më shumë, tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të hënën. Pritjen që Gjermania dhe evropianët të marrin më shumë përgjegjësi e ka shprehur jo vetëm Trumpi. Edhe për sigurinë e saj Gjermania duhet të mbajë më shumë peshë - pavarësisht se kush ndodhet në Shtëpinë e Bardhë. Këtë ministrja gjermane e Mbrojtjes e pati deklaruar që para zgjedhjes në një konferencë sigurie të CDU/CSU. Ajo i quajti "të justifikuara" kërkesat.

Buxheti gjerman i mbrojtjes do të diskutohet këtë javë dhe ai do të rritet në mënyrë mbiproporcionale: nga mbi 32 miliardë euro në vitin 2014 ai do të arrijë gati 40 miliardë euro në vitin 2020. Presioni që për mbrojtjen të shpenzohen më shumë para vjen edhe nga NATO-ja. Synimi i NATO-s është që shtetet anëtare të shpenzojnë për mbrojtjen dy përqind të produktit të tyre të brendshëm bruto. Aktualisht Gjermania shpenzon për mbrojtjen 1,2 përqind të PBB. SHBA për shembull shpenzojnë 3,6 përqind.