Politika e mbrojtjes: BE nuk do të humbasë ndikimin
1 Dhjetor 2021Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen përcaktoi para dy vjetësh drejtimin: "Europa duhet të mësojë edhe gjuhën e pushtetit", kërkoi von der Leyen me rastin e marrjes së postit të presidentes së KE. BE duhet të ketë vetëbesim përballë shteteve si Kina, por edhe SHBA. Se si do të zbatohet kjo në praktikë do të përcaktohet nga doktrina e politikës së sigurisë që pritet të prezantohet në mars 2022 në Bruksel. Draftin e parë e prezantoi së fundmi kryediplomati europian, Josep Borrell para 27 vendeve anëtare. "Europa është në rrezik", paralajmëron Borrell. BE nuk mund të ketë luksin të jetë spektatore në një botë ektsremisht të orientuar nga konkurrenca.
Rënia e influencës së Europës
"BE duhet të kujdeset për sigurinë e qytetarëve të saj dhe të mbrojë vlerat dhe interesat tona", kërkon Borrell dhe numëron një sërë konfliktesh. Dhe nuk janë vetëm kërcënimet ushtarake, por edhe konkurrenca për standarde globale, lufta për sundimin e inteligjencës artificiale, Cloud Computing, biotekonlogjia, etj. Borrell nuk le pa përmendur edhe dezinformimin dhe sulmet kibernetike. Politika e re e pushtetit nuk përdor vetëm mjetet e dikurshme luftarake. Borrell përmend kërcënimet hibride, siç po e provon BE aktualisht në kufijtë e saj të jashtëm me Bjellorusinë. Ato e bëjnë më të vështirë dallimin mes luftës dhe paqes. Europa duhet të provojë veten në këtë drejtim, ku po e humb gjithnjë e më shumë peshën ekonomike dhe demografike.
Rikthimi i politikës së pushtetit
Edhe nëse doktrina finale prezantohet në pranverën e ardhshme, drafti i parë dokumenton një transformim të qartë të këndvështrimit europian ndaj botës. Në krahasim me "strategjinë globale" të paraardhëses së Borrell, Federica Mogherini nga viti 2016, "soft power" kalon dukshëm në prapavijë. "Rikthimi i politikës së pushtetit" e quan Borrell këtë zhvillim. Brukseli mund të reagojë në të ardhmen edhe me forcën e armëve. Megjithëse BE ka që nga viti 2007 trupa luftarake, së fundmi u bë e qartë në Afganistan, se sa e dobët është aftësia e saj ushtarake. Në një kohë që BE me konceptin e "Battlegroup" ka vite që BE mban dy grupe aktive luftarake secila me 1500 ushtarë që duhet të pengojnë luftëra në zonat e konfliktit dhe të kryejnë aksione humanitare. Grupet ndërrohen çdo gjashtë muaj, shtetet e BE vënë në dispozicion ushtarët e tyre. Por në këto vite që nga ekzistenca e tyre, grupet luftarake nuk janë aktivizuar asnjëherë. "Që Battlegroups nga tre deri në pesë shtete nuk aktivizohen lidhet edhe me atë, që duhet të ketë gjithnjë një 'vend drejtues' që duhet të mbajë barrën e kostove, materialeve dhe njerëzve. Kështu shtetet që kanë radhën e ofrimit të trupave druhen të përdorin këtë instrument", shpjegon politologu Joachim Koops nga Universiteti Leiden në Hagë.
Trupa e ndërhyrjes e kontestuar
"Kompasi strategjik" përcakton tani një koncept të ri trupash. Deri në vitin 2025 BE kërkon të ngrejë një trupë me emrin "Rapid Deployment Capacity, RDC me 5000 ushtarë. Kjo trupë e përbërë nga trupa këmbësorie, të marinës dhe aviacionit ushtarak është shumë më e plotësuar se trupa aktuale dhe sipas skenarit të misionit do të vendoset edhe përbërja e saj. Kjo trupë do të zhvillojë po ashtu stërvitje të përbashkëta. Manovrat e para pritet të zhvillohen në vitin 2023. Qëllimi: Me këtë trupë BE do të ndërhyjë në konflikte të armatosura edhe pa ndihmën amerikane, të evakuojë njerëzit nga rajonet e krizës dhe të ruajë e pavarur aeroportet.
Grindje për financimin
Megjithëse theksohet se RDC nuk do të jetë konkurrencë e trupës së shpejtë të ndërhyrjes së NATO-s ka që tani rezerva të vendeve anëtare të BE kundër konceptit. Europianolindorët i tremben konkurrencës me aleancën transatlantike. Si reagim ndaj prioriteteve dhe qëndrimeve të ndryshme, BE do të aktivizojë në ardhmen në misione ushtarake të BE edhe nenin 44 të marrëveshjes së BE, që lejon krijimin e një koalicioni mes vendeve që dëshirojnë. Me një vendim të posaçëm për një mision, ky grup shtetesh mund të vazhdojë misionin pa qenë nevoja që çdo anëtare të ndikojë tek ky mision. Debat ka për shpenzimet, nëse ato do të ndahen në mënyrë solidare mes të gjitha vendeve .
Në draftin e "kompasit strategjik" të BE janë pranuar disa propozime kompromisi të ministres gjermane të Mbrojtjes në detyrë, Annegret Kramp-Karrenbauer. Brukseli pret që qeveria e koalicionit trepartiak në Gjermani të pozicionohet në të ardhmen. Në marrëveshjen e koalicionit partnerët kërkojnë "një politikë të vërtetë të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes". BE duhet të jetë e aftë të veprojë në arenën ndërkombëtare dhe të paraqitet më e bashkuar, thuhet. Po ashtu përmendet një bashkëpunim më i madh i ushtrive kombëtare me struktura komandoje të përbashkëta dhe një shtab i përbashkët kryesor civil-ushtarak.
Por për të arritur objektivat e "kompasit strategjik" duhet të të rriten buxhetet e mbrojtjes, jo vetëm në Gjermani. Nevoja për investime bëhet e qartë që tek sfidat detare. Kur BE i përcakton "zonat detare si zona interesi" si Rrugën e Hormuzit, atëherë pret që forcat e aviacionit ushtarak dhe ato të marinës të veprojnë me koordinim. Ushtarët gjermanë në të ardhmen do të duhet pra të jenë më shpesh në misione jashtë se tani.
Ushtria europiane nuk duket në horizont
BE-së i duhet të krijojë kompetenca të caktuara ushtarake, që ende nuk i zotëron. Këtu bën pjesë edhe transporti ajror për distanca të gjata, si edhe kapacitetet planifikuese dhe drejtuese. "Problemi kryesor i BE është që ndryshe nga NATO nuk ka një shtab të madh ushtarak dhe 70 vjet përvojë, por vetëm kapacitete kombëtare që duhet t'i përdorë", thotë politologu Koops. Por edhe në këtë drejtim BE shënon progres. Pasi ministrat e Mbrojtjes para pak ditësh miratuan 14 programe të reja, BE koordinon tani 60 programe të përbashkëta për armë dhe kompetenca ushtarake. Sipas Koops, ushtria europiane e përmendur aq shpesh si retorikë, nuk është objektiv i përpjekjeve aktuale për forcimin ushtarak të BE. Këtë e pengon lista e gjatë e prioriteteve të ndryshme të vendeve anëtare. "Bëhet fjalë për koordinimin e forcave të armatosura të vendeve anëtare dhe sinergjitë. Pra ajo që luan rol tani është harmonizimi, trajnimi i përbashkët dhe në fund një mision i përbashkët."