030711 Petersberger Klimadialog
4 Korrik 2011Në Dialogun e dytë të Petersbergut për Klimën, i cili u zhvillua këtë herë direkt te Porta e Brandenburgut, ajo theksoi sërish domosdoshmërinë e një marrëveshjeje ndërkombëtare për klimën. Klima është temë edhe në planin e politikës së sigurisë, tha ajo dhe paralajmëroi, se Gjermania do t'i vendosë rreziqet e ndryshimit të klimës në rendin e ditës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara: "Si qeveri, si Republikë Federale Gjermae, për muajin korrik, kur kemi kryesinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e kemi vendosur temën e rreziqeve të ndryshimit të klimës në rendin e ditës së Këshillit, dhe përshëndes faktin që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri të qartë se gjatë legjislaturës së tij të dytë do ta ketë parasysh këtë temë si një prej temave të tij kryesore."
Kështu u shpreh kancelarja në Berlin. Kjo deklaratë i bëri delegacionet e ministrave të dëgjonin me vëmendje (kësisoj kryetares së qeverisë iu desh të saktësonte edhe një herë në raundin e mëpasëm pyetje-përgjigje).
"Në këtë pikë Gjermania do të përpiqet (..) të gërshetojë politikën e paqes dhe atë të sigurisë me aspektet e pasojave të ndryshimit të klimës. Këtë do ta bëjmë në shembullin e rritjes së nivelit të detit dhe në shembullin e sigurisë së ushqimeve. Më pas do të përpiqemi të nxjerrim prej kësaj konsekuencat, të cilat me siguri do të thonë për të gjithë se politika e jashtme klasike duhet të bashkëveprojë këti me politikën e zhvillimit dhe me politikën e mjedisit."
Kjo, tha kancelarja gjermane, do të rriste edhe rëndësinë e temës së politikës së klimës në rrafshin ndërkombëtar: "Mendimi është ky, që kur ministrat e jashtëm, të cilët zakonisht zënë vend në Këshillin e Sigurimit, të merren me një temë të tillë, atëherë të bëhet më e qartë qasja ndërdisiplinore dhe të vendoset edhe më shumë në fokus. Për këtë arsye e konsideroj shumë me vend gërshetimin me politikën e paqes dhe atë të sigurisë."
Theksoi ajo dhe shtoi, se Gjermania e mbështet qartë kërkesën pës një marrëveshje detyruese, globale: "Ne dimë që ndryshimi i klimës nuk njeh kufij, ai prek çdo vend, dhe për këtë arsye synimi mbetet një marrëveshje detyruese në planin ligjor, megjithëse e dimë, se sa e vështirë është ta arrish këtë synim."
Autor: Helle-Mejdahl Jeppesen/ Vilma Filaj- Ballvora
Redaktoi: Aida Cama