"Po kushtetutës, po Sisit": Referendumi për kushtetutën në Egjipt
15 Janar 2014Kajro. Me një flamur të Egjiptit në njërën dorë dhe me djalin e tij të vogël në dorën tjetër Umm Ali qëndron në rradhë përpara një qendre votimi në lagjen e pasur Maadi të Kajros. Përmes një altoparlanti buçet një këngë mbi unitetin mes ushtrisë dhe popullit. Një votuese e puth në faqe një ushtar. Burrat nën uniformë shprehin falenderimet përmes fletëve volante: "Faleminderit për bashkëpunimin", shkruhet nën logon e ushtrisë.
Umm Ali thotë, tani më në fund gjithçka do të bëhet mirë: "Kushtetuta do ta rimëkëmbë vendin. Ajo do t'i japë impuls ekonomisë, do të rigjallërojë turizmin si dhe do t'i japë fund terrorit dhe gjithçkaje tjetër negative në vend." Të tjerë votues në rradhë shprehen ngjashëm me optimizëm. Të gjithë duan të votojnë pro kushtetutës, e cila ndonëse parashikon forcimin e të drejtave civile, nga ana tjetër çimenton pozicionin e veçantë të ushtrisë, të policisë dhe të drejtësisë.
Disa viktima
Referendumi i tretë për kushtetutën brenda tre vjetësh po zhvillohet nën masa të forta sigurie. 250.000 ushtarë janë mobilizuar gjatë dy ditëve të votimit për të mbrojtur rreth 30.000 qendrat e votimit. E megjithatë para fillimit të votimit të martën në mëngjes (14.01.2014) shpërtheu një bombë para një godine të gjykatës në Veri të Kajros. Dëmi i shkaktuar është i madh, megjithatë nuk ka asnjë të plagosur. Pak më vonë një duzinë simpatizantësh të ushtrisë u mblodhën para godinës duke thirrur me parrulla patriotike. Khaled, një mësues filloreje, thotë: "Askush këtu nuk ka frikë nga asgjë. Ne nuk do të lejojmë të na pengojnë, por do të shkojmë të votojmë."
Për shkak të mungesës së një opozite të vërtetë qeveria nuk parashikon, se do të ketë ndonjë numër të madh kundërshtarësh të kushtetutës në referendum. Vëllazëria myslimane e presidentit Mohamed Mursi të rrëzuar prej ushtrisë e bojkoton refereundimin, duke e cilësuar atë si ilegal. Me demonstrata në disa qytete ajo do të protestojë kundër votimit, ndonëse forcat e rendit kanë deklaruar, se do të demonstrojnë një "forcë të paparë ndonjëherë". Se çfarë do të thotë kjo, u bë shumë shpejt e qartë: të paktën pesë demonstrues një ditë para votimit (13.01.2014) u vranë, kur policia shpërndau me dhunë marshimet e demonstruesve.
Bojkot i heshtur
75 përqind është mbështetja në elektorat për kryetarin e komitetit të kushtetutës, Amr Mussa, rezulton nga sondazhet para referendumit. Rezultati real, sipas vlerësimeve të vëzhguesve elektoralë në vend, mund të jetë edhe më i lartë. Kjo edhe për faktin, se prej javësh qeveria bën fushatë intensive në anë e mbanë qytetit përmes pllakatave. Studenti nga Kajro Mohammed mendon se kjo është e tepruar: "Unë nuk dua të më imponojnë për diçka. Një votim, në të cilin të gjithë thonë po, tregon se nuk është në rregull. Mendimet e të tjerëve duhet të respektohen." Ndonëse atë nuk e lidh asgjë me islamistët, ai nuk do t'i bojkotojë votimet.
Qysh përpara fillimit të votimeve forcat e rendit nuk u linin hapësirë zërave kritikë. Disa anëtarë të partisë "Egjipti i fortë" u arrestuan, kur donin të ngjisnin pllakata elektorale, në të cilat bëhej thirrje për t'i thënë jo referendumit. Ahmed Eid, vëllai i njërit prej të arrestuarve ankohet, që qeveria aktuale i kufizon shumë më tepër liritë krahasuar me regjimin e mëparshëm të diktatorit Husni Mubarak. Në këtë mënyrë Egjipti asnjëherë nuk do të dalë nga kriza: "Ne bëjmë pjesë në botën e tretë, sepse prej shumë kohësh qeverisemi nga ushtarakët. Tani ushtria sërish do të marrë pushtetin dhe ta krijojë qeverinë prej gjeneralëve."
Ahmed Eid pret në Universitetin e Kajros aktivitët e tjerë, për të dalë në një manifestim kundër ushtrisë. Megjithatë ai nuk beson se jo-ja e tyre në referendum do të ketë efekt. Po të jetë e nevojshme, qeveria do ta falsifikojë rezultatin e votimeve, kjo është bindja e tij.
"Ne të duam ty, Sisi"
Por të tjerë pas tre vjetësh kaos me pasoja të rënda për ekonominë duan pikërisht rivendosjen e sundimit ushtarak. Një prej tyre është edhe Abu Hassan, një pensionist nga lagja e varfër e Kajros Dar al-Salam. Me krenari ai nxjerr para kameras gishtin tregues të lyer me bojë të kuqe. Në çdo votim të bërë gjatë këtyre tre viteve të fundit kam votuar, thotë Abu Hassan. Por kaq i sigurtë sa tani s'kam qenë asnjëherë në vendimin e tij. Po, ai ka votuar pro kushtetutës, e në këtë mënyrë pro shefit të ushtrisë Abdel Fattah al-Sisi: "Sisi është një burrë i mirë, i cili e ka mbrojtur Egjiptin nga një katastrofë e madhe. E për hir të Zotit ai e do popullin. Ndaj më shumë se 80% do të thonë po, dashtë Zoti."
Ashtu si Abu Hassan mendojnë shumë egjiptianë jo vetëm për votimin në referendumin e kushtetutës, por edhe ndaj kërkesës që al-Sisi të kandidojë për president. Si një gjeneral me popullaritet kur ai inspekton pak pas orës 09:00, sipas orës lokale, zgjedhësit e brohorasin atë: "Ne të duam ty, Sisi". Shumë gra i hidhen atij në qafë. Gjenerali popullor ditë para votimeve i nxori qartaz në pah ambicjet e tij për postin më të lartë shtetëror.