Kosovë: Plagosen dy ushtarë të KFOR-it dhe tre serbë
1 Qershor 2012“KFOR-i ka dy ushtarë të lënduar gjatë përpjekjeve për te larguar barikaden e rrugës në Rudare në veri të Mitrovicës. Ushtari i lënduar është evakuar dhe ndodhet në gjendje stabile. KFOR-i dënon këto akte të dhunës. Sidoqoftë KFOR-i do të përgjigjet dhe do të reagojë në vetëmbrojteje vetem atëherë kur kjo është e nevojshme”, thotë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.
Ndërkohë, mediat lokale serbe, duke cituar një mjeke në qendrën spitalore në Mitrovicë Milena Cvetkoviq, thonë se tre serbë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri, njëri prej tyre në gjendje më të rëndë. Tani për tani, KFOR-i nuk konfirmon plagosjen e tre serbëve.
Aksioni për heqjen e barrikadës në fshatin Rudarë në veri të Kosovës, nisi në orët e hershme të mëngjësit sot nga një njësi e KFOR-it e paqeruajtësve amerikanë. Ata kanë përdorur makinerinë e rëndë dhe eskavatorët me qëllim heqjen e barrikadës. Por, me të nisur aksionin, strukturat e organizuara paralele serbe, kishin lëshuar alarm duke i sinjalizuar banorët serbë që të dalin në mbrojtje të barrikadës së ngritur.
Ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë Goran Bogdanoviq, u ka bërë thirrje sic thotë, KFOR-it dhe serbëve lokalë që të përmbahen nga dhuna. "Është shumë e rëndësishme që tensionet të ulën sa më shpejtë të jetë e mundur, të normalizohet situata dhe të gjitha problemet duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe jo forcës”, tha Bogdanoviq, transmeton agjencia serbe e lajmeve Tanjug. Ai më tej ka thënë se çdo përshkallëzim i konfliktit mund të çojë në një spirale të dhunës me pasoja të paimagjinueshme.
Ndërkohë, përfaqësues nga zyra e shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian në Bruksel, kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën në veri të Kosovës, duke thënë se operacioni i sotëm për largimin e barrikadave në veri, është aksion i KFOR-it dhe jo i misionit EULEX. “Liria e lëvizjes për të gjithë në Kosovë, është një parim, i cili duhet të respektohet, ka thënë Maja Kocijacic, zëdhënëse e Baroneshës, Kethrin Eshton.
Incidentin e sotëm në veri të Kosovës, e ka dënuar edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. “Veprimi i strukturave kriminale dhe ilegale për bllokimin e rrugëve në komunat në veri të vendit si dhe pengimi i mekanizmave të sigurisë për vendosjen e rendit, është i dënueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit si dhe normat dhe ligjet ndërkombëtare për lirinë e lëvizjes”. Thotë në një njoftim të shkruar Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Presidentja, kërkon vendosjen e gjendjes normale në këtë pjesë të vendit dhe shpërbërjen e strukturave ilegale serbe të cilat sipas saj, po pengojnë dhe mbajnë peng popullatën e kësaj pjese.
Serbët e veriut të Kosovës, kanë vendosur barrikada nëpër rrugët magjistrale, që nga korriku i këtij viti, kur qeveria e Kosovës ndërmorri aksionin për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare me Serbinë 1 dhe 31.
Autor: Bekim Shehu/Prishtinë
Redaktoi: Auron Dodi