1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pillay kritikon KS të OKB

14 Shkurt 2012

KS i OKB-së është bllokuar në çështjen e Sirisë. Për dallim komisarja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut nuk druhet nga gjuha e qartë.

https://p.dw.com/p/1438h
Fotografi: picture alliance / dpa

Komisarja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut Navi Pillay është një grua e guximshme, që nuk druan gjuhën e qartë. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ajo e cilësoi sjelljen e regjimit sirian të Bashar al-Assad-it si "taktikë të qitjes për vdekje" duke formuluar kësisoj një të vërtetë të pazbukuruar. Prej muajsh udhëheqja në Damask urdhëron të shtihet qëllimisht mbi kundërshtarët e paarmatosur të regjimit dhe vepron me tanke, artileri dhe snajpera kundër tyre. Vullneti i regjimit për të vrarë po ia arrin pandalur synimit para së gjithash në Homs. Ndërkohë që me politikën e tyre të bllokadës fuqitë me të drejtë vetoje, Rusi dhe Kinë, e kanë marrë peng Këshillin e Sigurimit të OKB-së në çështjen e Sirisë, Pillay i shprehu gjërat hapur, pa zbukuruar, dhe i ra pikës për sjelljen çnjerëzore të Assadit.

E vërteta e pazbukuruar

Ajo i raportoi instancës së lartë për valët e arrestimeve në gjithë vendin, gjatë të cilave veglat e Assadit burgosin madje fëmijë. Pillay i mbajti para një pasqyrë regjimit dhe në të njëjtën kohë u tha emrat bashkëfajtorëve të tjerë në këtë dramë humanitare: qeverive në Moskë dhe Pekin, që mbajnë dorën e tyre mbrojtëse mbi Assadin duke e dënuar kësisoj Këshillin e Sigurimit të mos veprojë. Akuza e së ngarkuarës për të drejtat e njeriut është e rëndë, sepse ajo del nga një gojë e prerë për këtë punë. Ajo i kthen ca dinjitetin OKB-së, dinjitet i humbur prej pokerit të paturpshëm për pushtet në Këshillin e Sigurimit për rezolutën për Sirinë.

Në foto, Daniel Scheschkewitz
Në foto, Daniel ScheschkewitzFotografi: DW

Assadi e pandeh veten në siguri

Këto fjalë të qarta nga një pozicion i predestinuar për këtë gjë ishin aq më të domosdoshme, sepse lëshimi pe prej rusëve dhe kinezëve në Këshillin e Sigurimit vazhdon të mos duket në horizont. Thirrja e Ligës Arabe për t'i dhënë fund orgjisë së dhunës në Siri me anë të një misioni helmetash të kaltra nuk ka kurrfarë shansi për t'u realizuar (për sa kohë që regjimi i Assadit është në pushtet). Një mision i tillë do të kishte nevojë për miratimin e qeverisë në Damask. Vetëm në këtë mënyrë mund të prodhohej tani për tani konsensusi në Këshillin e Sigurimit. Ky konsensus, nga ana tjetër, është parakushti i domosdoshëm për një mandat të tillë (mandat i vështirë edhe në zbatimin praktik).

Madje, edhe në SHBA duket të mos jenë gati, që t'u shtojnë gjë ushtarakisht sanksioneve dhe sfondit kanosës kundrejt Assadit. Ndryshe nga rasti i Libisë, edhe Britania e Madhe e Franca i tremben ndërhyrjes së armatosur. Për shumë arsye Perëndimi duket se është me duar të lidhura. Aktualisht nuk duken oportune as livrimet e armëve dezertorëve të Ushtrisë së Lirë Siriane. Në vend të kësaj, pasardhësi i Bin Ladenit, Ayman al-Zawahiri, bën thirrje në internet, në retorikë të koklavitur tipike islamiste, që të ndihmohet opozita siriane.

Shansi i madh i Al-Kaidës?

Në qoftë se bashkësia ndërkombëtare nuk bie dakord për një rrugë të praktikueshme, si duhet ndalur makineria brutale shtypëse e Assadit, atëherë në dëshpërimin e vet pjesë të opozitës në Siri mund të sigurojnë vërtet armë përmes këtyre kanaleve. Kjo do të ishte fatale! Në këtë mënyrë xhihadistët do të fitonin më në fund, duke i rënë gjatë nga Siria, ndikimin, të cilin shpresonin që prej transformimeve në botën arabe. Qarqe të shërbimeve të fshehta pretendojnë të kenë dalluar që tani dorën e terroristëve të Al Kaidës në disa prej atentateve të fundit me bomba në Siri. Mirëpo, sikur kryengritja në Siri të kthehet vërtet në një luftë fundamentalistësh fetarë kundër një regjimi laik, ky do të ishte një çmim i madh për pasivitetin e bashkësisë ndërkombëtare në Siri.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Fjalët e qarta të së ngarkuarës për të drejtat e njeriut janë një apel: Rusia duhet ta ushtrojë më në fund ndikimin e vet mbi Bashar al-Assadin. Vetëm në qoftë se Moska e rrit trysninë mbi të, duke sinjalizuar fundin e politikës së vet të bllokadës, mund të arrihet ndoshta ende një zgjidhje diplomatike. Përndryshe, në vakuumin e politikës për pushtet gjatë një lufte civile afatgjatë, mund të futen faktorë të tjerë, që deri tani nuk i ka pasur askush në llogari. Me gjasa, këtu gjendet aktualisht rreziku më i madh.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Elert Ajazaj