1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pika e kthesës për Gjermaninë

Kai Küstner
27 Shkurt 2022

Politikanët gjermanë në Berlin po e pranojnë njëri pas tjetrit, se e kanë vlerësuar gabimisht presidentin rus. Por si do të veprohet në të ardhmen me Putinin?

https://p.dw.com/p/47eD2
Ukraine-Konflikt - Brandenburger Tor leuchtet blau-gelb
Fotografi: Michele Tantussi/REUTERS

Fund i një epoke! Pika e kthesës! Të gjitha partitë në Berlin janë të një mendimi. Evropa do të jetë një tjetër pas 24 shkurtit, ditën kur Putin filloi një sulm agresor të përgjakshëm kundër Ukrainës. "Ai do t'ia dalë mbanë duke shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ai do të tregojë, se demokracitë liberale nuk mbrohen, por është e kundërta", tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock në ARD dhe iu referua paketës së sanksioneve. Qeveria gjermane po ndjek rrugën e izolimit të Putinit dhe përjashtimin nga bashkësia ndërkombëtare.

Por kjo nuk është e gjitha. "Ne kemi mësuar një leksion të fortë", thotë zëvendëskryetari i Unionit, CDU/CSU, Johann Wadephul. Tani të duhet të përgatitesh që "marrëveshjet ndërkombëtare dhe diplomacia nuk janë gjithçka dhe se nevojitet edhe forca ushtarake." NATO zhvendos për këtë shkak trupat e saj të ndërhyrjes së shpejtë me disa mijëra ushtarë. Bundeswehri forcon partnerët europianolindorë.

Berlin | Unterstützung und Solidarität mit der Ukraine
Solidaritet me Ukrainën në BerlinFotografi: MICHELE TANTUSSI/REUTERS

Kërcënimi kërkesa e momentit

Kërcënimi duket se është kërkesa imediate për momentin ndoshta edhe e viteve të ardhshme. "Besoj, se na duhet të përgatitemi për një konflikt  afatgjatë me Rusinë, në NATO dhe BE. Dhe kjo do të thotë që na duhet ta rimendojmë kërcënimin", thotë ekspertja për politikën e jashtme, Jana Puglierin nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet e Jashtme, "European Council on Foreign Relations" (ECFR) për ARD.

Papritur ato që dikur shiheshin si ankesa folkloristike, tani zgjohen si shqetësime reale. E para: forcat ushtarake gjermane në shumë drejtime nuk i përgjigjen dot strategjisë së kërcënimit, dhe detyrimet e tyre në NATO arrijnë t'i përmbushin vetëm me mundim.

Madje ministri gjerman i Financave, Christian Lindner e vlerësoi këtë temë kaq të rëndësishme, sa një intervistë që kishte përfunduar në ARD e zgjati vetë, sepse donte të fliste për Bundeswehrin. "Kam shqetësimin, që ne e kemi injoruar kaq shumë Bundeswehrin, sa ajo nuk e përmbush dot detyrën e saj", tha politikani liberal, FDP. Dhe u shpreh për shpenzime më të larta buxhetore për mbrojtjen, që nuk është tipike për një ministër financash.

Frankrich Paris | Treffen der Finanzminister - Christian Lindner
Christian LindnerFotografi: ERIC PIERMONT/AFP/Getty Images

Më shumë presion, më pak dialog?

Nëse në vitet e kaluara mënyra e veprimit me Rusinë përqëndrohej tek strategjia e dyfishtë "presion dhe dialog", tani Gjermania dhe BE në të ardhmen ndoshta do ta kalojnë peshoren gati të gjithë në anën e presionit. Dialogu edhe më intensiv me Moskën në javët e shkuara nuk e pengoi Putinin të sulmonte fqinjin e tij. Nuk e ndaloi që ta gënjejë pa turp botën disa herë për planet e tij, dhe të shkatërrojë për dekada rendin europian të paqes.

Ka ardhur koha për zgjim, thotë ekspertja Jana Puglierin. "Nuk i pamë sinjalet e vitit 2008 në Gjeorgji, në vitin 2014 me aneksimin e Krimesë. Na duhet të realizojmë që kemi të bëjmë me dikë, që qëllimet e tij i realizon forcërisht edhe me mjete ushtarake.

Dr. Jana Puglierin
Dr. Jana PuglierinFotografi: DGAP/Dirk Enters

Energjia: Shumë varësi nga Moska

Nga njëra anë sot ka vetëdijësim se një Rusie që përdor të drejtën e më të fortit mund t'i dalësh ballë vetëm me forcë. Nga ana tjetër po ashtu po bëhet i gjithëpranueshëm qëndrimi se varësia energjitike nga Moska është shumë e madhe. 55% e gazit të saj Gjermania e merr nga Rusia. Tani nuk bëhet fjalë më vetëm për të gjetur furnizues të rinj, por edhe përmes zgjerimit të shpejtë të energjive të rigjenerueshme të bëhesh më i pavarur dhe më pak i shantazhueshëm.

Gjithçka tani është fokusuar tek mbajtja në distancë e Putinit: ekonomikisht, politikisht, ushtarakisht. Në momentin kur ai më shumë se kurrë i është afruar kufirit të NATO-s.