1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perspektiva të reja të biznesit në Poloni

20 Tetor 2023

Ndryshimi i mundshëm i qeverisë në Poloni shoqërohet me reagime pozitive në ekonominë gjermane. Ka shpresa për biznese edhe më të mira.

https://p.dw.com/p/4XjpL
Një gazpërçues
Ekonomia gjermane dhe polake kanë një vëllim të lartë shkëmbimi, por pritet edhe më mirë!Fotografi: Janek Skarzynski/AFP/Getty Images

Polonia votoi - dhe megjithëse mori më së shumti vota, Partia Ligj dhe Drejtësi (PIS) e Jarosław Kaczyński-t, sipas të gjitha gjasave nuk do të mund të krijojë koalicionin e ri qeveritar. Duhet të presim ende që tre partitë opozitare të bien dakord për koalicion, por ekonomia dhe tregu financiar e pranuan pozitivisht lajmin për rezultatin e zgjedhjeve. Sepse sado që ajo parti nacionaliste të betohej se kishte vetëm "Poloninë në zemër", polakët nuk e kanë vërejtur këtë në xhepat e tyre: gjobat dhe ndalimi i mbështetjes nga fondet evropiane ishin tashmë të sigurta, e mund të kishte masa edhe më të ashpra.

Kjo është arsyeja pse vlera e monedhës polake dhe vlera e aksioneve të kompanive polake filluan të rriten në të njëjtën natë paszgjedhjeve. E optimizmi po përhapet jo vetëm në politikën gjermane por edhe në ekonomi, se marrëdhëniet me fqinjin e saj lindor dhe të rëndësishëm do të përmirësohen përfundimisht.

Kreu i opozitës polake, Donald Tusk i gëzuar me fitoren, ngre grushtin lart
Kreu i opozitës polake, Donald TuskFotografi: Attila Husejnow/SOPA/IMAGO

Shkëmbimi ekonomik

Polonia është partneri i pestë tregtar i Gjermanisë, madje përpara Italisë apo Britanisë së Madhe. Vitin e kaluar, shkëmbimi me këtë vend kishte një vëllim prej gati 170 miliardë eurosh. Bashkëpunimi po përmirësohej në fakt edhe nën qeverisjen e PiS. Në 10 vitet e fundit, eksportet gjermane në Poloni janë dyfishuar, nga më pak se 42 miliardë euro në 2012 në mbi 90 miliardë në 2022.

Gjermania eksporton në Poloni kryesisht produkte kimike, makineri, automjete dhe inxhinieri elektrike. Ndërsa Polonia eksporton në Gjermani edhe produktet e saj industriale nga sektori kimik, makineritë dhe automjetet. Ka dhe produkte bujqësore polake, ndaj edhe eksportet e saj në Gjermani po rriten. Është ende në një deficit të caktuar, por është një eksport vëllimi ka kaluar mbi 77 miliardë euro.

Investimet

Sado që qeveria e mëparshme në Varshavë përhapte dyshime ndaj Gjermanisë, kompanitë gjermane ishin gjithmonë të mirëpritura për të investuar në këtë vend. Sipas të dhënave të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK), investimet gjermane në Poloni janë aktualisht mbi 41 miliardë euro. Në fakt, edhe kompanitë polake investojnë në Gjermani, por volumi i tyre është diku rreth 2 miliardë e 300 milionë euro.

Fabrikat

Vizita e ministrit Robert Habeck në Poloni dhe takimi me ministren polake Anna Moskwa,
Ekonomia gjermane dhe polake kanë raporte të mira edhe tani, por priten ditë edhe më të mira.Fotografi: Marcin Obara/PAP/dpa/picture alliance

Rreth 5.500 kompani gjermane janë të pranishme në tregun polak dhe të gjitha së bashku arritën një qarkullim vjetor prej gati 100 miliardë eurosh në vitin 2021. Kompanitë polake kanë ende pak frikë nga tregu gjerman: rreth 1.500 prej tyre janë të pranishme në këtë vend. Ato kanë realizuar një qarkullim vjetor prej rreth 7 miliardë euro.

Vendet e punës

Nëse fqinji i saj është kaq i rëndësishëm ekonomikisht për Gjermaninë, atëherë Gjermania është edhe më e rëndësishme për Poloninë. Ajo është në vendin e parë në importe, me 21%, gjë që e vendos Gjermaninë edhe përpara Kinës. Ndërsa eksportet polake në Gjermani janë të një vëllimi prej 28.6% të eksporteve totale, që prapë është partneri më i rëndësishëm.

Kjo është arsyeja pse ky shkëmbim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për biznesin e kompanive polake. "Në Poloni, rreth një milion e 200 mijë vende pune varen nga eksportet në tregun gjerman”, thotë kreu i komisionit të ekonomisë gjermane për Lindjen, Cathrina Claas-Mühlhäuser. Në Gjermani, nga ana tjetër, rreth 10 mijë vende pune varen nga shkëmbimi me Poloninë.

Perspektivat

Pas lajmit për ndryshimin e mundshëm të qeverisë është shtuar optimizmi nga të dyja palët, thotë Volker Treier nga DIHK. Para së gjithash, është formimi i zinxhirëve të rinj të furnizimit ku Evropa përpiqet për më pak varësi, por ka një sërë fushash, ku fqinjët kanë interesa shumë të ngjashme, si burimet e reja të energjisë, elektromobiliteti dhe digjitalizimi.

"Dhe i fundit, por jo më pak i rëndësishëm, është i ashtuquajturi Near-Shoring, një trend që ndihet në të gjithë botën dhe ku prodhimi tenton të zhvendoset sa më afër qendrës së tij. Ky është një argument shtesë për kompanitë gjermane që të investojnë dhe t'i lënë ato të prodhojnë në vendin e parë fqinj - në Poloni", thotë Trierer.

 

 

 

Rene Wagner (Reuters)