"Persona non grata" nuk aplikohet për personelin e OKB
1 Qershor 2019OKB bëri të ditur të premten (31.05.) se shpallja "persona non grata" nuk funksionon për personelin e Kombeve të Bashkuara. I pyetur nga gazetarët për shpalljen "persona non grata" të një punonjësi të OKB në Kosovë, zëvendëszëdhënësi, Farhan Haq, shpjegoi se "doktrina e shpalljes "persona non grata" nuk mund të aplikohet për personelin e OKB". Ajo mund të përdoret për diplomatët e akredituar nga një shtet në tjetrin në kuadër të marrëdhënieve diplomatike mes tyre.
"OKB nuk është shtet dhe personeli i tij nuk akreditohet prej shtetit ku janë vendosur, por punon nën përgjegjësinë e plotë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB", sqaroi Haq. Lidhur me çështjen e imunitetit të personelit të OKB, ai tha "ne i përmbahemi imunitetit të personelit tonë që ndodhet në detyrë dhe e kemi bërë këtë edhe për këtë rast.
Qeveria e Kosovës kishte thënë të premten (31.05) se një punonjës i OKB me nacionalitet rus, nuk do të lejohet të kthehet në Kosovë pas largimit të tij për në Serbi, dhe se e ka shpallur atë persona non grata.
Misioni i OKB në Kosovë pati deklaruar më parë se punonjësi në fjalë, kishte marrë lëndime kur u arrestua nga policia e Kosovës, gjatë kryerjes së një operacioni kundër krimit. Të martën policia e Kosovës arrestoi 19 oficerë policie, 11 prej të cilëve serbë. Ata akuzohen për kontrabandë dhe aktivitete të tjera ilegale të kryera në veri të vendit. Gjatë aksionit policia e Kosovës arrestoi edhe dy punonjës të OKB, sepse siç tha ajo "kishin bllokuar rrugën për të ndaluar automjetet e policisë". Dy punonjësit e OKB, njëri me kombësi ruse dhe tjetri punonjës lokal serb, u liruan pak më vonë dhe u dërguan për trajtim në spitalin e Mitrovicës. Më pas punonjësi rus i OKB, u largua nga Kosova për t'u trajtuar në një spital të përshtatshëm në Serbi.