1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perisiç i liruar gabimisht

Xhevad Shabljakovic/Angjelina Verbica4 Shkurt 2014

Prokurori i Tribunalit të Hagës kërkon që dhoma e apelit të rishqyrtojë vendimin për lirimin e ish-gjeneralit Momçillo Perishiç. Vendimi për lirimin e tij është padrejtësi për viktimat në Bosnjë, thotë prokurori.

https://p.dw.com/p/1B2T2
Momcilo Perisic
Fotografi: picture-alliance/AP

Duhet të kujtojmë se Perisiç në procesin e shkallës së parë u shpall fajtor për ndihmë në bombardimin e Sarajevës dhe masakrën e Srebrenicës, si dhe për mosndëshkimin e atyre, që urdhëruan sulmet me raketa në Zagreb në shtator 2011. Ai u dënua me 27 vjet burg. Megjithatë dhoma e apelit në shkurt 2013 hodhi poshtë vendimin e trupit gjykues, duke e liruar ish-shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave. Gati një vit më vonë kryeprokurori i tribunalit të Hagës ,Serge Brammertz, kërkon rishqyrtimin e këtij vendimi.

Vendimi ligjor i marrë gabimisht duhet të korrigjohet për të shlyer padrejtësitë e rënda, që u janë shkaktuar dhjetëra mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të vrarë, e të plagosur në Sarajevë dhe Srebrenicë, si dhe familjeve të tyre”, tha kryeprokurori Brammertz.

Standardi "veprimet konkrete" në krime

Në argumentimin e vendimit të lirimit gjyqtari amerikan Theodor Meron theksoi, se parakushti për një dënim për ndihmë dhe inkurajim, është që ajo, që ndërmerr i akuzuari, të ketë “ndikim konkret” në kryerjen e krimeve.

Perišić në shkurt 2013 u lirua nga çdo përgjegjësi për krime lufte.
Perišić në shkurt 2013 u lirua nga çdo përgjegjësi për krime lufte.Fotografi: Reuters

Sipas mendimit të shumicës së anëtarëve të këtij trupi gjykues, ndihma me armë dhe municion, si dhe ndihma me personel dhe logjistikë, që Perishiçi si shef i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave i ka dhënë ushtrisë së Republikës Srpska në gusht 1993 deri në nëntor 1995, ka qenë ndihmë e "përpjekjeve të përgjithshme luftarake të ushtrisë së serbëve të Bosnjes" dhe jo mbështetje për kryerjen konkrete të krimeve në Sarajevë dhe Srebrenicë.

Sipas vlerësimit të shumicës së gjyqtarëve të dhomës së apelit (3:2) nuk ka pasur orientime konkrete, gjykimi i shkallës së parë me 27 vjet burg u reduktua në zero, dhe gjenerali Perishiç në të njëjtën ditë,më 28 shkurt 2013, u lirua.

Kushti "veprime konkrete" nuk është interpretuar si duhet

Prokuroria, sipas një deklarate të Serge Bramertz, që nga ajo ditë, "në mënyrë të vazhdueshme dhe energjike ka argumentuar” se kushti "veprime konkrete" nuk është interpretuar si duhet dhe se ai duhet anulluar. Sepse prokuroria në rastin Shainoviç dhe të tjerëve i ka dorëzuar dhomës së apelit kërkesën, në të cilën shpjegon se “veprimet konkrete” nuk janë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare, se kjo është në kundërshtim me praktikën e vazhdueshme të Tribunalit të Hagës dhe vë në dyshim respektimin e së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Dhoma e apelit në gjykimin e rastit Shainoviç i ka pranuar këto argumente dhe ka arritur në përfundimin se vendimi për lirimin e Perishiçit bie në “ konflikt direkt dhe substancial" me praktikën mbizotëruese të gjyqit dhe të drejtën e zakonshme ndërkombëtare.

Serge Brammertz: Vendimi është padrejtësi për viktimat
Serge Brammertz: Vendimi është padrejtësi për viktimatFotografi: picture-alliance/dpa

Paraqitja e kërkesës për rishqyrtimin e vendimit për lirimin e Perishiçit është rezultat i drejtpërdrejtë i gjykimit të apelit të Shainoviçit dhe të tjerëve, që u bë dhjetë ditë më parë, më 23 janar.

Dhoma e apelit e Tribunalit në mënyrë të padiskutueshme e hodhi përfundimisht poshtë vendimin e gabuar të shkallës së dytë për mungesë “veprimesh konkrete" dhe në bazë të këtij vendimi mund të thuhet se Perishiç është liruar gabimisht, konkludon prokuroria.

Brammertz: Duhet ndrequr gabimi

Që të ndreqet ky gabim, prokuroria kërkon që dhoma e apelit ta rishqyrtojë vendimin e shkallës së dytë në rastin Perishiç dhe të vendosë për përgjegjësinë e tij penale për ndihmë dhe mbështetje të krimeve në Sarajevë dhe Srebrenicë në bazë të standardit të duhur ligjor.

“Ne e kemi parasysh faktin që rishqyrtimi i aktgjykimit është një masë e jashtëzakonshme”, thotë prokurori Brammertz", por ne duhet të insistojmë për të. Prokuroria do të vazhdojë t'i përdorë të gjitha mekanizmat ligjore për të arritur rezultate të sakta dhe që gjykimet të pasqyrojnë saktë fajësinë e personave të akuzuar. Rishikimi i vendimit të shkallës së dytë në rastin Perisiç do të ndihmojë për vendosjen e drejtësisë për viktimat, që është objektivi kryesor i prokurorit, i Gjykatës Ndërkombëtare, si dhe i drejtësisë penale ndërkombëtare në tërësi", theksoi kryeprokurori i Tribunalit të Hagës, Serge Brammertz.