1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Pegida" në rrjet

Marcus Lütticke14 Dhjetor 2014

Prej javësh në Dresden njerëzit dalin në rrugë kundër një "islamizimi të Perëndimit". Interneti ka luajtur një rol vendimtar për organizatorët por pikërisht aty po formohet tani një lëvizje kundërshtare.

https://p.dw.com/p/1E3p7
PEGIDA demonstrim Dresden
Fotografi: picture-alliance/dpa/Matthias Hiekel

E hëna është ditë demonstrimesh në Gjermani. Që prej revolucionit paqësor në RDGJ në vjeshtë 1989, i cili u ndikua në masë të konsiderueshme nga "demonstrimet e së hënës" në Leipzig dhe më vonë në qytete të tjera të Gjermanisë Lindore, në Gjermani organizohen të hënave demonstrime, kundër reduktimit të ndihmës sociale dhe ndihmës për të papunët Hartz IV, kundër projektit për stacionin e trenit Stuttgart 21, kundër luftës. Masa të mëdha njerëzish, kohët e fundit rrallë janë mbledhur, nganjëherë mblidheshin disa dhjetëra e disa herë disa qindra njerëz në tubime të ndryshme.

Që prej tetorit 2014 një grupim i ri mblidhet të hënave për "shëtitje të mbrëmjes" në Dresden: "Pegida - evropianët patriotë kundër islamizimit të Perëndimit" e quajnë ata veten. Për marshin e parë të protestës në 20 tetor u mblodhën rreth 350 vetë. Që atëherë numri i pjesëmarrësve është rritur çdo javë për të arritur së fundi në 10.000 vetë.

Mobilizim i shpejtë përmes internetit

Për protestat bëhet thirrje ndër të tjera në faqen e Pegidas në Facebook. Atje lëvizja ka ndërkohë më shumë se 40.000 përkrahës. "Interneti është për këtë lëvizje një instrument shumë qendror, në veçanti rrjetet sociale", thotë Felix M. Steiner gazetar i lirë me pikërëndesë të djathtën ekstreme dhe protestat. "Pikërisht Facebook me mundësitë e tij të ndryshme për grupe dhe diskutime luan këtu një rol vendimtar. Për pak para mund të komunikosh në një masë shumë të gjerë. Një faqe mund të krijohet për dy minuta dhe atje mund të publikohen të gjitha informacionet për njerëzit."

Screenshot - Facebook PEGIDA Webseite
Faqja Facebook e PegidaFotografi: facebook.com/PEGIDA

Por informacionet duhet edhe të përhapen. "Pegida" ia ka dalë mbanë në mënyrë të mirë të habitshme edhe përmes mbështetjes nga kampi i djathtë. Qoftë NPD, Pro NRW, E Djathta apo pjesë të AfD: të gjithë shohin tek "Pegida" mundësinë për të reklamuar interesat e tyre. Në Fecebook mobilizojnë edhe ata përkrahësit e tyre dhe u bëjnë thirrje të marrin pjesë në marshin e protestës në Dresden dhe në qytete të tjera gjermane. "Tani vala e protestës së patriotëve po kalon nga Saksonia në Renaninë Veriore Vestfali! shpërndaje+++shpërndaje+++shpërndaje - thuhet në një thirrje të NPD për demonstrimin "Bogida" në Bonn.

Facebook jep edhe informacione për pozicionimin politik të inisiatorëve të "Pegidas". Lutz Bachman, një nga drejtuesit me precedentë penalë të inisiativës, ka pëlqyer në faqen e tij të Facebook NPD, Pro NRW dhe AfD.

Spektër i gjerë protestuesish

Ndër "përkrahësit" e marsheve të demonstrimeve nuk ka megjithatë vetëm ekstremistë të djathtë dhe neonazistë por edhe të ashtuquajtur "qytetarë të zemëruar", të cilët kanë një frikë të vagullt nga imigrimi dhe përhapja e islamit. Kundër kujt dhe për çfarë demonstrojnë saktësisht, për këtë çdo pjesëmarrës ka mendimin e tij. "Ata janë kundër peshkaqenëve të politikës, kundër demokracisë aktuale, janë kundër azilit, ata nuk janë vetëm kundër islamistëve radikalë por papritur në përgjithësi kundër fesë islame", thotë Felix M. Steiner.

"Dügida"-Kundgebung in Düsseldorf
Dügida - DüsseldorfFotografi: Nastassja Steudel / DW

Por pikërisht me këtë spektër të gjerë rrymash të ndryshme interneti mund të çojë edhe në shpërbërjen e "Pegidas". Qëkurse në 10 dhjetor iniciatorët publikuan në internet një "Dokument pozicionimi" se çfarë përfaqëson zyrtarisht vërtet "Pegida", në radhët e simpatizantëve në rrjet ka shpërthyer një diskutim nëse ata identifikohen vërtet me ato objektiva. "Nuk e kuptoj më se përse duhet të vij në Dresden. Për të protestuar kundër islamizimit të Gjermanisë (sipas titullit) apo për më shumë para për azilkërkuesit (sipas letrës së pozicionimit)"??, shkruan një përdorues. "E rëndësishme është që të demonstrohet një herë dhe përkrahësit e multikulturës të mos mendojnë se vetëm ata kanë të drejtën e lirisë së mendimit!!! Pjesa tjetër mund të ndryshojë në mënyrë dinamike!!!" shkruan një tjetër.

E djathtë e fortë në Dresden

Veç kësaj është në përgjithësi e pasigurtë nëse marshi i protestës së Dresdenit mund të zgjerohet edhe në qytete të tjera. Për "Dügida" në Düsseldorf në vend të 2000 demonstruesve të pritur erdhën vetëm 400 vetë, në Kasel ishin 80 dhe tek "Wügida" në Würzburg ishin vetëm 35. "Fakti që lëvizja është aq e fortë në Dresden nuk është rastësi", mendon Steiner. "Në Saksoni deri para pak kohësh në parlamentin e landit ishte edhe NPD dhe atje është një nga grupet më të mëdha parlamentare të AfD."

Në rrjet po formohet aktualisht një anti-lëvizje. Në Facebook dhe Twitter inisiatorët i kanë vënë vetes detyrë të informojnë në mënyrë kritike për sfondin e organizatës. Me Hashtagun #nopegida i shënjon njoftimet për temën komuniteti në Twitter. Të hënat e ardhshme do të tregojnë nëse edhe në demonstrime një shumicë e madhe do t'i kunërvihet në rrugë "Pegidas".