PE: Kritika të ashpra ndaj Britanisë së Madhe dhe boshtit gjermano - francez
14 Dhjetor 2011Debati ishte shumë aktiv dhe i nxehtë. Dy tema ishin në rend dite: Vetoja britanike dhe konkluzionet e samitit të Brukselit për zgjidhjen e krizës së euros. Presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso shpjegoi edhe një herë shkaqet e vështirësive në samitin e kaluar.
„Siç e dini, një vend anëtar ka kundërshtuar ndryshimet e Marrëveshjes së Lisbonës. Britania e Madhe nuk ka bërë lëshime, me shpjegimin se këto do të cënonin tregun e brendshëm të saj. Kjo pamundësoi kompromisin. Presidentët dhe kryeministrat u gjetën para dilemës: Ose të pagujnë këtë çmim, ose të vazhdojnë rrugën pa Britaninë e Madhe", tha Barroso.
Kritikat ndaj Cameronit
Barroso dëshironte një zgjidhje tjetër. Por ai kundërshtoi pohimet për izolimin e Britanisë së Madhe në BE. Ndryshe mendonin shumë të tjerë. Francezi Joseph Daul, nga partitë konservatore kërkoi madje heqjen e koncesioneve të posaçme për Britaninë e Madhe, të fituara në kohën e kryeministres Margaret Thatcher, në vitet 80-të. Kur një eurodeputet britanik pyeti: a është ky një kërcënim, Daul tregoi një barcoletë, të cilën me siguri që nuk e kanë kuptuar të gjithë: „Dua ta qetësoj kolegun tim: Para Krishtëlindjeve nuk do të nxjerrë ndonjë tank apo kalashnikov. Ai mund të festojë Krishtëlindjet pa problem. Por e them se ne qoftë se Britania e Madhe nuk është solidare me vendet tjera, atëherë pse ato të bëjnë lëshime ndaj buxhetit britanik. Kjo nuk është shpallje lufte, por solidariteti duhet të vlejë për të gjithë.“
BE "Titaniku i katastrofës"
Në Paralamentin Evropian ka dhe eurodeputetë më ekstremë se konservatorët britanikë. Nigel Farage nga „UK Independence Party“ nuk mbrojti vetëm vendimin e David Cameronit, por shpreson se së shpejti do të marrë fund edhe euro dhe anëtarësia britanike në BE.
„Ju keni vendosur të udhëtoni në Titanikun e katastrofës ekonomike dhe demokratike. Ne tani jemi në anijen për shpëtim dhe në qoftë se nuk kemi kujdes, mund të na marrin valët. Të premten kanë ndryshuar disa gjëra. Zoti Cameron ndoshta ende nuk e di, por ne jemi në rrugën drejt daljes nga BE“, tha ai.
Por në PE nuk u debatua vetëm për rolin e Britanisë së Madhe. Qëllimi i samitit ishte në fakt gjetja e rrugëve për dalje nga kriza e euros. Socialdemokrati Martin Schulz beson se qeveritë e BE-së kanë bërë disa gabime në këtë rrugë.
„Çdo herë dëgjojmë se duhet të rifitojmë besimin e tregjeve. Jo, ndoshta do të ishte më mirë që të përpiqemi të rifitojmë besimin e njerëzve në Bashkimin Evropian“, u shpreh Schulz. Me fjalë të ngjashme u shprehën edhe ekologjistët, të cilët nuk janë dakord me vendimet e kancelares Angela Merkel dhe presidentit të Francës Nicolas Sarkozy.
Kritikat ndaj "dominimit gjermano-francez"
Dominimi gjermano-francez në BE ishte një prej pikave që u përmend disa herë. Eurodeputetja iralandeze Mairead McGuinness përshëndeti vendimet e samitit, por kishte edhe një vërejtje: „Ajo që më brengos është ndjenja se boshti gjermano-francez është boshti i BE-së. Kam frikë se kjo nuk është mirë as për Francën dhe Gjermaninë, sepse të gjitha 27 vendet anëtare duhet të jenë solidare. Kjo do të na ndihmojë të shpëtojmë euron dhe Evropën.“
Rompuy i akullt
Megjithë debatet e nxehta, presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy nuk u shqetësua asnjë herë. Ai fliste me argumente edhe për mosmarrëveshjet më të mëdha. Në fund, pasi që shumë folës tha se euro është shumë e rrezikuar, ai paraqiti mendimin e tij.
„Kur pas disa vitesh të kemi kaluar këtë krizë, do të shihet se çfarë kemi bërë në vitin 2010 dhe 2011. Ajo që tani quhet vit i tmerrshëm, një ditë do të quhet vit i mrekullive“, theksoi van Rompuy.
Autor: Christoph Hasselbach/Bahri Cani
Redaktoi: Mimoza Kelmendi