Pavarësisht vështirësive fillestare, vendimi për njohjen e Kosovës ishte i drejtë dhe pa alternativë
17 Shkurt 2009"As që mund të vihet në dyshim që shpallja e pavarësisë së Kosovës pati pasoja deri në Kaukaz", thotë ministri i shtetit pranë Ministrisë së Jashtme, Gernot Erler. "Por të paktën tani jemi larg situatës dramatike të fillimit." Politikani socialdemokrat pranon që ekzistojnë mosmarrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, sidomos për planin gjashtë pikësh të OKB-së. "Por ato mund të zgjidhen dhe ne në fakt jemi të kënaqur që në fund doli që politika evropiane në Kosovë nuk pati alternativë më të mirë."
Erler kërkon nga qeveria e Kosovës që të bashkëpunojë me Eulex-in në një frymë sa më të mirë dhe që t'ua shpjegojë shqiptarëve të Kosovës që evropianët po bëjnë një punë të madhe. "Ky është misioni më i madh i deritanishëm për ndërtimin e shtetit ligjor, prandaj kemi nevojë për reklamë nga kreu zyrtar i Kosovës në mënyrë që misioni të arrijë suksesin e dëshiruar."
Një vit pas shpalljes së pavarësisë, ende nuk ka ardhur koha për të uruar, është i mendimit deputeti liberal Rainer Stinner. "Unë e di që ka ende shumë probleme me ndërtimin e Kosovës, por e di edhe që kthimi i Kosovës nën sundimin serb do të ishte i pamundur."
Fajin kryesor për përparimin e ngadalshëm e ka kaosi që mbizotëron mes organizatave ndërkombëtare, thotë Shtiner më tej. "Prandaj edhe është e rëndësishme që misioni i Eulex-it të punojë në të gjithë Kosovën, pra, edhe në veri të saj. Shtiner e quan absurde situatën aktuale në të cilën ndodhet Eulex-i, i cili nga njëra anë duhet të ndërtojë aty shtetin ligjor dhe në anën tjetër nuk lejohet të njohë ekzistencën e këtij shteti."
Pozitivisht duhet vlerësuar fakti që nuk pati eksod të serbëve pas shpalljes së pavarësisë, megjithëse shumica e tyre nuk jetojnë në Mitrovicën e Veriut. Megjithatë, situata lë shumë për të dëshiruar, thotë Stinner më tej. Në adresë të Serbisë deputeti liberal ushtron kritikë edhe për sa i përket vazhdimit të izolimit të zonave të banuara nga serbët. "Ndarja e Kosovës nuk është në të mirë të Serbisë dhe të rrugës së saj drejt Evropës."
Stinner e quan të drejtë hapin e qeverisë serbe për ta paditur pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, por shton se derisa të merret një vendim do të kalojnë vite. "Shpresojmë që deri atëherë të jenë bërë hapat e nevojshëm për integrimin e Serbisë dhe të Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe në atë mënyrë që ky vendim të jetë më pak domethënës."