1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pastruesja – Suzana Jusufi nga Dyseldorfi

20 Maj 2010

Për Suzana Jusufin pastrimi është kënaqësi. Pastruesja e ka mësuar këtë profesion dhe punon për bashkinë e Dyseldorfit.

https://p.dw.com/p/LzTs
Raumpflegerin

40-vjeçarja Suzana Jusufi punon si pastruese në ndërmarrjen komunale të Dyseldorfit. Për 20 orë në javë ajo fiton afro 500 Euro në muaj. Familja e saj është e detyruar të marrë ndihmë sociale. Por ajo e bën me kënaqësi punën e vet.

Puna e saj fillon pasdite, kur nëpunësit e bashkisë së qytetit mendojnë se si do ta kalojnë kohën e lirë dhe mbrëmjen. Por edhe paraditet janë të planifikuara mirë. Duhen çuar fëmijët në shkollë, duhet bërë pazar, gatuar, rregulluar banesa. “Për fat të mirë, edhe fëmijët më ndihmojnë shumë kur vijnë nga shkolla”, thotë Suzana.

Gesichter Deutschlands SuJuP1
Fotografi: DW

Suzana ishte dy vjeç kur erdhi nga Maqedonia në Gjermani. Prindërit e saj ishin emigrantë ekonomikë, apo "gastarbeiter" si quheshin asokohe punëtorët e parë, që erdhën nga Evropa për të punuar në Gjermani. "Nuk më kujtohet se si ka qenë në Maqedoni, para se të vija këtu. Maqedoninë e njoh vetëm si vend pushimesh, kur shkonim t'i kalonim ato së bashku me prindërit”, rrëfen Suzana Jusufi.

Pastrimi puna më e preferuar

Para se të niset për në punë ajo bëhet gati dhe rregullohet dhe tregon, me sytë që i shndrisin, se sa me qejf e ka punën. “Ka shumë njerëz që nuk e përfytyrojnë dot veten si pastrues, por unë e kam me shumë qejf. Megjithëse jam vetëm, kur punoj kam shumë shpesh mundësi të bisedoj me njerëz të ndryshëm nëpër zyra.”

Gesichter Deutschlands SuJuP2
Fotografi: DW

Në ndërtesën e zyrave të administratës së qytetit të Dyseldorfit ajo ka një dhomëzë ku përgatit me kujdes karrocën e pastrimit: qeset e plehrave, detergjentët, shamitë. “Parapërgatitja është shumë e rëndësishme, më kursen shumë kohë”, thotë ajo.

Fillimisht Suzana shkon nga zyra në zyrë dhe mbledh letrat. Ngado atë e përshëndesin përzemërsisht. Suzana Jusufi i njeh të gjithë. Buzëqeshja e saj e përhershme është ngjitëse. Ajo është përgjegjëse për katër kate, të cilat i ndan sipas ditëve të javës: "Jo të gjitha zyrat pastrohet çdo ditë. Ditët se kur duhet pastruar cila zyrë janë të ndara me grafik.”

Ndihmë sociale

Gesichter Deutschlands SuJuP3
Fotografi: DW

I shoqi është i papunë. Ajo është e vetmja që sjell të ardhura në shtëpi. Por familja gjashtëanëtarëshe nuk jeton dot vetëm nga 500 eurot që sjell Suzana Jusufi në muaj. Prandaj ajo merr ndihmë nga shteti. Paratë janë pak, asaj i duhet ta numërojë çdo cent para se ta shpenzojë. "Do të kisha shumë dëshirë të punoja më shumë. Nuk ka gajle se punoj tetë orë në ditë. Puna nuk është e lodhshme.” Ëndrra e saj më e madhe: punësim me orar të plotë.

Jeta familjare

Gesichter Deutschlands SuJuP4
Fotografi: DW

Një mbështetje e madhe është familja, ku janë ruajtur tradita me ritualet e zakonshme. Çdo mbrëmje, familja ulet rreth tryezës dhe bisedon për ndodhitë e ditës. Pastaj bëhet lutja e mbrëmjes. Familja Jusufi është myslimane dhe do të dëshironte më shumë tolerancë ndërmjet njerëzve të feve të ndryshme.

"Çdokush duhet të tregohet më i hapur dhe të përpiqet ta njohë fenë e tjetrit. Kështu njerëzit mund ta kuptojnë dhe ta pranojnë më mirë njëri-tjetrin”. Pastruesja krenare jeton me këtë moto.

Shumë shoqe të saj nga Dyseldorfi vijnë nga kultura të ndryshme. Suzana Jusufi e konsideron këtë si një pasurim të jetës së saj.

Pyetje: A mendoni se pastrueset paguhen sa duhet?

Autor: Belma Fazlagi/Anila Shuka

Redaktoi: Mathias von Hein/Pandeli Pani