1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

271211 Kim Jong Il

28 Dhjetor 2011

Sot u varros diktatori i vdekur këto ditë i Koresë së Veriut Kim Jong Il. Shtetet e rajonit me interesim po shikojnë se çfarë do të ndodhë me këtë regjim të pallogaritshëm. Shpesh ato nuk kanë as informacionet e duhura.

https://p.dw.com/p/13aJM
Trupi i pajetë i Kim Jong Il.
Kim Jong Il do të varroset sot.Fotografi: dapd

Dy ditë të plota është mbajtur sekrete vdekja e diktatorit koreanoverior Kim Jong Il. Nuk e kanë ditur madje as shërbimet sekrete, që dëshmon se sa hermetike janë informacionet në Korenë e Veriut.

"Të gjitha mundësitë janë të hapura dhe asgjë nuk mund të parashikosh", deklaron Hanns Günther Hilpert, nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin.

Kim Jong Un është "pasardhësi i madh"

Kim Jong Un do të jetë pasardhës. Menjëherë pas vdekjes së babait ai u shpall si një "pasardhës i madh". Të shtunën (24.12.2011) ai është emëruar edhe si komandanti suprem i forcave të sigurisë. Ai ka mbështetjen e familjes, në radhë të parë të tezes së tij Kim Kyong Hui, e cila është anëtarë e byrosë politike, dhe të xhaxhait Jang Song Thaek. Ky i fundit është udhëheqës i sektorit të administratës në Partinë Komuniste dhe mbikqëyr shërbimet sekrete dhe komisionin e mbrojtjes.

Kim Jong Un
"Pasardhësi i madh" Kim Jong UnFotografi: AP

Edhe Kina si vendi më i madh fqinj është dakord me udhëheqësjen e re në Korenë e Veriut, mendojnë shkencëtarët. Patrick Köllner i Institutit për Studime Globale dhe Rajonale (GIGA) nga Hamburgu thotë se Kina është dakord që Kim Jong Un të jetë udhëheqësi i ri. Por kjo nuk do të thotë se është sqaruar deri në fund çështja e pushtetit në këtë vend.

Në radhë të parë Kim Jong Unin e pengon mosha e re, sepse një rëndësi e posaçme në Korenë e Veriut i kushtohet pikërisht moshës dhe përvojës.

Mosmarrëveshjet në qarqet e brendshme

Marrjen e pushtetit e vështirësojnë edhe mosmarrëveshjet e brendshme qeveritare. Ekzistojnë të paktën dy blloqe: njëri i cili kërkon reforma ekonomike dhe tjetri që i kundërshton ato. Ndërkohë që opozitë të mirëfilltë në këtë vend nuk ka. "Ai që kundërshton familjen Kim në Kore nuk mund të mbijetojë", thotë eksperti Hilpert.

Ndaj pritet kontinuiteti i regjimit. Programi atomik do të vazhdojë sepse ai konsiderohet si një mjet i mirë për frikësimin e vendeve të tjera.

Vendet fqinje si Koreja e Jugut po i shikojnë me shumë kureshjte dhe shqetësim zhvillimet në vendin fqinj. Ajo nuk pret ndonjë përmirësim të shpejtë të raporteve. Edhe Lee Myung Bak, presidenti i Koresë së Jugut po e ndjek një linjë të ashpër ndaj Koresë së Veriut.

Kim Jong Il dhe Hu Jintao.
Kim Jong Il dhe Hu Jintao.Fotografi: dapd

"Nuk ka ndonjë kanal të hapur për dialog. Raportet janë të ngrira dhe kështu do të mbetet deri në vitin 2013 sa zgjat mandati i Lee Myung Bak", pohon Köllner.

Kina "dora mbrojtëse e Koresë së Veriut"

Eksperti  Hilpert e sheh Kinën si mbrojtësen kryesore të Koresë së Veriut. Ajo ka frikë nga një valë refugjatësh, në rast destabilizimi të vendit fqinj. Kjo do të mund të destabilizonte dhe disa pjesë të Kinës. "Pasoja afatmesme e shkatërrimit të Koresë së Veriut mund të jetë ribashkimi i dy Koreve dhe futja e këtij vendi të bashkuar nën ndikimin amerikan. Trupat amerikane mund të vendosen në kufi me Kinën, që për qeverinë e atjeshme është zhvillimi më i keq", pohon Hilpert.

Ndërkohë që konsolidimi i pushtetit në Korenë e Veriut do të hapte mundësinë që ky vend të merret me çështjet e brendshme dhe jo vetëm me ato të jashtme. Deri te stabilizimi i pushtetit duhet edhe ca kohë, sepse tensionet ende janë të larta. Hilpert mendon se  atmosfera në këtë vend i ngjan tani një qetësie para stuhisë. Ndërkohë që askush nuk mund ta thotë me saktësi nëse me të vërtetë do të ketë ndonjë stuhi.

Autor: Rodion Ebbighausen / Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj