Pasojat e para të sanksioneve për Sirinë - rritet papunësia, mbyllen dyqanet, shpërthejnë çmimet e importit
28 Shtator 2011Konsumatorët në Siri ndihen të kthyer prapa në vitet '80-të dhe atëherë kishte shumë pak për të blerë, gjithçka ishte e shtrenjtë dhe nuk kishte thuajse fare produkte perëndimore importi. Nën qeverisjen e Bashar al-Assadit situata ekonomike u përmirësua, më shumë mallra të huaja dhe furnizim më i mirë para së gjithash në qytete. Kush kishte para, mund të blinte më shumë.
SHBA e BE shtrëngojnë vidat e sanksioneve
Qëkur Assadi shtyp me dhunë ushtarake kryengritjen e popullit të tij, SHBA dhe BE shtrëngojnë vidat e sanksioneve – deri tani mjeti i tyre i vetëm kundër brutalitetit të regjimit. Tani masat po tregojnë efektet e para. Sipas të dhënave shtetërore më shumë se 40.000 sirianë kanë humbur vendet e punës, çmimet janë rritur, dyqanet ndodhen para mbylljes.
Të parët që prek embargoja ekonomike janë megjithatë sirianët e zakonshëm, e pikërisht për shkak të vendimeve të qeverisë siriane. Ajo ka ndaluar importet e makinave dhe mallrave të luksit. Pasoja: çmimet rriten, tregtarët kërkojnë më shumë për mallrat të cilat janë tani me pakicë. Një makinë e vogël e tipit Kia Rio kushton tani papritur 2600 euro më shumë. Siç thuhet rezervat mjaftojnë ende. Por kjo edhe për arsye se pak pas fillimit të protestave dhe përgjigjes së regjimit, shitja e makinave shënoi një rënie prej 90%.
Sony, Philips dhe Sharp kanë pezulluar shitjen e produkteve të tyre në Siri. Menaxheri i një qendre tregtare në Damask pret rritje çmimesh për mallrat e importit ende disponibël prej rreth 40%.
Firmat e huaja të kartave të kredisë i kishin dhënë fund më parë aktivitetit të tyre në Siri. Udhëheqja siriane përpiqet të qetësojë, këto masa sipas saj janë vetëm të përkohshme dhe prekin vetem ato mallra të cilat taksohen me më shumë se 5 për qind. Fakt është: vetëm një e katërta e të gjitha importeve janë të prekura nga ndalimi shtetëror, krahas makinave edhe mobiljet, moda, elektroshtëpiaket dhe produktet ushqimore me vlerë të lartë.
Regjimi tani i merr seriozisht sanksionet
Kjo duhet t'i shërbejë mbrojtjes së rezervave siriane të valutës. Një sinjal që regjimi tani i merr seriozisht sanksionet, e cilësuara fillimisht prej tij si të parëndësishme. Drejtori i institutit Göthe në Damask, i mbyllur në muajin prill, Björn Luley, mendon edhe…
„…se në fund situata ekonomike në Siri do të sjellë vendimin. Investimet e fuqishme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Kuvajtit dhe Katarit, kanë rënë në mënyrë dramatike. Kjo do të jetë më vendimtare, dhe atëherë do të arrihet më shpejt një ndryshim i situatës politike se sa më anë të demonstratave në qytetet mesatare.“
Embargoja e BE-së për naftën siriane fillon në mes të nëntorit. Ka mundësi që deri atëherë të gjehet një tjetër blerës, si p.sh. Kina. Rezervat e valutës të Sirisë, sipas ekspertëve mjaftojnë edhe për rreth 16 muaj. E pasigurt mbetet nëse biznesmenët, të cilët përjetuan një rritje të ndjeshme gjatë 11 vjetëve të qeverisjes së Bashar al-Assadit, do të vazhdojnë t'i qëndrojnë besnikë regjimit, kur fitimet e tyre të bien. Assadi kërcënohet tashmë jo vetëm nga rreziku i protestave në rrugë, por së shpejti edhe nga ekonomia.
Autor: Ulirch Leidholdt / Elert Ajazaj
Redaktoi: Esat Ahmeti