1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

120211 Palästinenser Israelis Mubarak

12 Shkurt 2011

Lajmi për dorëheqjen e presidentit egjiptian Husni Mubarak ka shkaktuar reagime të ndryshme në rajonet palestineze dhe në Izrael. Në një kohë që njëra palë feston dhe shpreson, tjetra i trembet prishjes së stabilitetit.

https://p.dw.com/p/10GCF
Gëzim në Gaza pas largimit të MubarakutFotografi: picture-alliance/dpa

Në rajonet palestineze shpërtheu spontanisht gëzimi: Me qindra vetë dolën në Ramallah nëpër rrugë, duke valëvitur flamuj egjiptianë, një kolonë automjetesh bëri xhiro nëpër qytet.

Omar Nazar një familjar shprehet kështu mbi ndryshimet në Egjipt: "Jemi këtu për të uruar popullin egjiptian që arriti të rrëzojë diktatorin dhe diktaturën, Shpresojmë që rrëzimi i tij do të çojë në rrëzime të tjera të diktaturave në vendet arabe dhe do të forcojë kauzën dhe rezistencën tonë."

Flash-Galerie Ägypten Mubarak Rücktritt Jubel Gaza
Palestinezët festojnëFotografi: picture-alliance/dpa

Në Ramallah, qendra e autoritetit palestinez nën drejtimin e presidentit Mahmud Abaz, një aleat politik i Mubarakut ky, njerëzit këndonin këngë patriotike arabe. Një palestinez tjetër shprehet se ai shpreson që shkëndija që shpërtheu në Egjipt, do të kalojë në vende të tjera. "Mësimi që nxirret nga e gjitha kjo, është që të ndiqet shembulli i Egjiptit. Ky ndryshim duhet ta çojë popullin egjiptian në drejtim të transformimit ekonomik de social, në drejtim të demokracisë dhe lirisë dhe ripërtëritjes së shoqërisë egjiptiane."

Edhe në Rripin e Gazës - e njëjta atmosferë, mijëra palestinezë dolën rrugë pas lajmit të dorëheqjes së Mubarakut, fishekzjarre u hodhën në qiell dhe të shtëna gëzimi.

Stepje në Izrael pas largimit të aleatit

Por në Izrael largimi i aleatit dhjetëravjeçar Mubarak ka shkaktuar shqetësim. Një kalimtar në sheshin Rabin në Tel Aviv shprehet hapur: "Sipas mendimit tim kjo nuk është një gjë e mirë për shtetin izraelit, sepse krijon një gjendje pasigurie dhe kaosi në të gjithë Lindjen e Mesme." Edhe një kalimtare tjetër shprehet e shqetësuar: " Dorëheqja e Mubarakut nuk është gjë e mirë. Ndoshta është një ngjarje e mirë për popullin egjiptian, që do liri dhe barazi, por do të trondisë stabilitetin në rajon. Kjo do të krijojë pasiguri dhe tension, që është e dëmshme rajonin."

Israel Tel Aviv Straßenverkehr
Tel AvivFotografi: picture-alliance/ZB

Ish-ministri Benjamin Ben Elizer që e njeh prej vitesh Mubarakun, raportoi se ai ka telefonuar të enjten 20 minuta me Mubarakun. Gjatë bisedës, Mubaraku është ankuar për presidentin amerikan Barack Obama: Amerikanët flasin për demokracinë dhe nuk ia kanë idenë për çfarë flasin. Pasojat, kështu ka paralajmëruar Mubarak, do të sjellin ekstremizmin dhe radikalizmin islam në rajon.

Autor: Clemens Verenkotte / Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti