1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Qeveri gjithëpërfshirëse apo zgjedhje?

Bekim Shehu
26 Mars 2020

Komisioni i BE-së përmes zëdhënëses Ana Pisonero është shprehur, se rrëzimi i qeverisë Kurti, e ka vënë Kosovën në një situatë të vështirë politike në kohën e krizës së pandemisë.

https://p.dw.com/p/3a4m1
Symbolbild - Kosovo-Parlament berät über Misstrauensvotum
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti, në deklarimin e parë pas shkarkimit një ditë më parë (25.03) përmes mocionit në parlament tha, se ai do të vazhdojë punën si qeveri në detyrë, por jo si qeveri e detyruar. "Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t'i rrimë popullit afër, se Kosova është shtëpia jonë”, shkroi Kurti në një postim në rrjetin social, duke shprehur edhe një herë bindjen e tij, se rrëzimi i qeverisë së tij në parlament kishte prapavijë.

"Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mocionit ishte porosia e ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”, shkroi Kurti, duke lënë të kuptohet se synimi është që pa të kryeministër, të arrihet një marrëveshje me Serbinë për shkëmbim territori, duke e akuzuar hapur Presidentin Thaçi si mbështetës të kësaj ideje. Kështu u shpreh Albin Kurti edhe gjatë seancës ditën e mërkurë, kur u shkarkua nga 82 deputetë.

Kosovo Pristina | Parlament des Kosovo stimmt über neue Regierung ab: Albin Kurti
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

LDK nuk do t'i tërheqë në mënyrë të njëanshme ministrat

Menjëherë pas mesnate, vetëm pak kohë pasi parlamenti miratoi me 82 vota mocionin për rrëzimin e qeverisë së tij, Albin Kurti me një vendim, shkarkoi nga detyra zëvëndësin e tij të parë, Avdullah Hotin që vjen nga radhët e LDK-së. E në reagimin e LDK-së kryetari i kësaj partie Isa Mustafa, shkroi se "në kohën kur po ballafaqohemi me Pandeminë e COVID-19, si Kryetar i LDK-së, nuk do t'i tërheqë njëanshëm ministrat nga detyrat e tyre në Qeverinë në dorëheqje”. "Pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 e deputetëve, mbetet në vullnetin e Kryeministrit në detyrë, z.Kurti, se a do të vazhdoj të punoj me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjidhet qeveria tjetër, apo do të bëj veprime tjera, ashtu siç e liroi z. Avdullah Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate”, shkroi Isa Mustafa.

Kritika nga BE

Rrëzimi i Qeverisë, e ka vënë Kosovën në një situatë të vështirë politike në kohën e një krize të paparë deri më tash të shkaktuar nga koronavirusi, deklaroi zëdhënësja i Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit, Ana Pisonero. "Ajo që Kosova tani ka nevojë është stabiliteti dhe që përpjekjet të orientohen drejt përballjes me krizën e shkaktuar nga koronavirusi dhe me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Të githë liderët politikë duhet të veprojnë tani me përgjegjësi dhe në interes të qytetarëve të Kosovës. Kjo përfshin edhe ndërmarrjen e të gjitha masave për menaxhimin e pandemisë dhe pasojat në jetën e qytetarëve, shoqërisë dhe ekonomisë” thuhet në reagimin e Komisionit Evropian, duke iu rikujtuar udhëheqësve politik se "hapat që do të pasojnë votën e mbrëmshme duhet të ndërmerren në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka quajtur "tragjike" atë që ndodhi të mërkurën mbrëmë në Kuvendin e Kosovës, ku u rrëzua Qeveria Kurti përmes një mocioni. "Një klasë politike totalisht e papërgjegjshme. Vendosin interesat partiake dhe karrierat e tyre para vendit të tyre. Njerëzit e gjorë në Kosovë kanë shpresuar për reforma, sundim të ligjit, drejtësi dhe të ardhme më të mirë. Tash votat janë vjedhur nga të vjetrit sërish. Tragjike”, ka shkruar ajo në Twitter.

Skenarët e mundshëm pas rrëzimit të qeverisë

Por çfarë do të ndodhë pas votës së mosbesimit të qeverisë Kurti. Çfarë thotë Kushtetuta dhe çfarë thonë njohësit e zhvillimeve politike? Në Kushtetutën e Kosovës, neni 100 i saj thotë se "nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje”. Kurse neni 82 e përcakton se "Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”. Blerim Burjani, njohës i Kushtetutës së Kosovës, i tha DW-së, se qeveria në detyrë mund të ushtrojë detyrat e saja kushtetuese e ligjore në marrëveshje me partitë e tjera deri në një periudhë kohore të përshtatshme.

Kosovo Regierungsbildung Albin Kurti und Isa Mustafa
Fotografi: Getty Images/AFP

"Skenari kushtetues është i qartë, mandati rikthehet në piken zero. Prapë Vetëvendosja e mban të drejtën kushtetuese të themelojë kaolicion më një apo më shumë parti politike, duke propozuar brenda 10 ditëve të ardhshme kryeministrin e ri, pasi të ketë arritur marrëveshje për koalicion. Nëse herën e parë nuk arrin të votohet në Kuvend, atëherë është afati tjetër kushtëtues prej pesë ditëve në vijim që të propozojnë një kandidat tjetër për kryeministër nga i njejti subjekt politik dhe nëse dështon edhe herën e dytë për të zgjedhur kryeministrin, atëherë vendi shkon në zgjedhje”, thotë Blerim Burjani.

Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës shkruan se "nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri për të formuar Qeverinë”. Sipas analistit Blerim Burjani, ka edhe mundësi të tjera. Nëse Vetëvendosja pajtohet me partitë politike, atëherë mund të ketë një qeveri teknike me një kryeministër të pavarur nga politika.

EU Abgeordnete Viola von Cramon-Taubadel
Viola von CramonFotografi: Imago Images/H. Jelinek

"Dhe opcioni i tretë është që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse nga të gjitha partitë politike parlamentare për të bërë një qeveri kalimtare, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pas situatës së pandemisë. Nëse nuk mund të merren vesh partitë për një kandidat nga radhët e tyre, atëherë mund të merren vesh në këtë situatë që një qeveri e zgjeruar të udhëhiqet nga një kryeministër jo partiak edhe pse kabineti qeveritar në këtë situatë do të ishte i përbërë nga partitë politike”, thotë Blerim Burjani, duke përjashtuar mundësinë e opcioneve të tjera pa pajtimin e Vetëvendosjes si partia që doli e para në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.