1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti i ri britanik mblidhet të martën

14 Dhjetor 2019

Kancelarja Merkel tha se pret negociata të ndërlikuara me Britaninë e Madhe. Pika më problematike është presioni i madh kohor.

https://p.dw.com/p/3Ulne
Belgien Brüssel | EU-Kommission und EU-Parlament zu dem «Green Deal» - Ursula von der Leyen
Fotografi: picture-alliance/dpa/AP/F. Seco

Parlamenti i sapozgjedhur britanik do të mblidhet të martën. Në dallim nga periudha para zgjedhjeve, konservatorët e kryeministrit Johnson do të përfaqësojnë në të përsëri një shumicë. Toriet konservatorë do të kenë të paktën 365 vende në Westminister, 162 më shumë se laburistët. Mbretëresha Elizabeth II tashmë i ka kërkuar Johnson-it të formojë një qeveri të re. Johnsoni tha se prioriteti i tij është të imponojë daljen nga Bashkimi Evropian deri në fund të janarit 2020.

Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në Britaninë e Madhe mbizotëroi në ditën e dytë dhe të fundit të samitit të BE në Bruksel. Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen kërkoi negociata të shpejta për marrëdhëniet e ardhshme me Britaninë e Madhe. Ajo tha se koha është jashtëzakonisht e shkurtër për të arritur një marrëveshje me Britaninë e Madhe para fundit të vitit 2020. Në negociatat për një marrëveshje tregtare synohet të hiqet dorë nga doganat e kuotat. E rëndësishmë është gjithashtu të ruhet një bashkëpunim i ngushtë për çështje të sigurisë.

Angela Merkel
Angela MerkelFotografi: picture-alliance/Zuma Press/Le Pictorium Agency/N. Landemard

Kancelarja Merkel tha se ajo pret negociata të ndërlikuara dhe nuk pret që kryeministri Johnson të kërkojë një zgjatje të periudhës së tranzicionit përtej vitit 2020. Deri atëherë ekziston një numër çështjesh që duhet të zgjidhen, nga tregtia tek peshkimi deri te siguria në internet. "Pika më problematike" është presioni i madh kohor, tha Merkeli. Presidenti i Këshillit të BE-së Michel tha se marrëveshja nuk do të lidhet me çdo çmim. Kusht është që ajo të jetë e barazpeshuar.  

aud (dpa, rtr)