1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PE – Shqipëria ka qeveri dhe parlament legjitim

28 Shkurt 2019

Përfundon vizita vlerësuese e delegacionit të Parlametit Europian në Tiranë. Vlerësime të rëndësishme të delegacionit për gjendjen.

https://p.dw.com/p/3EGHd
Albanien PK Europäische Delegation in Tirana
Fotografi: DW/A. Ruci

Eurodeputetët  kanë folur me një zë për situatën aktuale politike në Shqipëri. Në përfundim të misionit dyditor, delegacioni i Parlamentit Europian, (PE) në një konferencë për shtyp, të zhvilluar sot (28.02.2019) në Tiranë, u fokusua në rëndësinë  e konsensusit kombëtar për t'u fokusuar tek hapja e negociatave me BE në qershor, kthimin e opozitës në Parlament dhe rrugëtimin e këtij Parlamenti edhe me anëtarë të rinj, si deputetë të opozitës.

Kryesuesi  i delegacionit, eurodeputeti nga Estonia, Tunne Kelam, theksoi: ”Parlamenti është zgjedhur në mënyrë të ligjshme. Shqipëria ka një qeveri legjitime. Përqendrimi tek ideja e formimit të një qeverie kalimtare do të dëmtonte fokusimin tek hapja e negociatave".

Në mënyrë të qartë dhe pa ekuivok delegacioni i PE paraqiti një këndvështrim tjetër lidhur me problemet qe po shfaq demokracia dhe dialogu politik në Shqipëri - të gjitha mund të zgjidhen duke qënë brenda BE dhe jo jashtë tij.

„E rëndësishme është të mos vonohet procesi i pranimit në BE, për shkak të mosmarrveshjeve kombëtare. Jemi po aq të interesuar t'ju mirëpresim në BE, sa jeni edhe ju shqiptarët", theksoi Tunne Kalem sot në Tiranë.

Cristian Dan Preda
Cristian Dan PredaFotografi: EU Audiovisusal Service

Zgjedhjet parlamentare të 2017- korrekte

Ndryshe nga opozita që po po proteston në Tiranë kundër „vjedhjes së votave", „Parlamentit dhe qeverisë ilegjitime", delegacioni i PE mendon se zgjedhjet parlamentare 2017 ishin korrekte. Eurodeputeti Cristian Dan Preda nga Rumania, vëzhgues në zgjedhjet parlamentare 2017,  tha në konferencën për shtyp: "Për mua është pak ҫudi të dëgjoj politikanët shqiptarë të thonë që zgjedhjet parlamentare 2017 kanë qënë të këqia pas një viti e gjysëm. Ju lutem, respektoni rezultatin e zgjedhjeve”.

Kryesuesi i delegacionit të PE, Tunne Kelam, i quajti ”raste të izoluara” blerjet e votës në zgjedhjet parlamentzare 2017, të bëra publike nga përgjimet telefonike, të cilat "nuk mund të vënë në pikëpyetje rezultatin e zgjedhjeve”.

"Nuk mendoj që rastet e izoluara të blerjes së votave kanë ndikim në panoramën e madhe. Rastet e izoluara janë ҫështje për gjykatat dhe drejtësinë. Ashtu si janë gjërat tani, mendoj se duhet të vazhdojmë me këtë Parlament”.

Emergjent - kthimi i opozitës në Parlament dhe dialogu qeveri-opozitë

Knut Fleckenstein, SPD-Abgeordneter aus Hamburg im EU-Parlament
Knut FleckensteinFotografi: Christiane Rogge

Delegacioni i PE ka rikonfirmuar qëndrimin kritikues të faktorit ndërkombëtar ndaj dorëzimit të mandateve parlamentare nga deputetët e opozitës. „Braktisja e mandateve është e papranieshme për ne. E kemi thënë edhe kur Parlamentin e bojkotoi Partia Socialiste e Ramës, po e themi edhe tani", tha në konferencën për shtyp Cristian Dan Preda.

Kryetari i delegacionit të PE Tunne Kelam pohon: "Bojkotimi është një sinjal shumë i keq, që cënon besueshmërinë e shtetit dhe të kombit.” Raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein tha se „djegia e mandateve nuk është mënyrë për zgjidhjen e problemeve". Në mënyrë unanime delegacioni i PE e vlerësoi emergjent kthimin e opozitës në Parlament. „Pas 10 ditësh do të jetë vonë", thanë eurodeputetët në konferencën për shtyp. Po kaq emergjent për perspektivën europiane të Shqipërisë është edhe fillimi një orë e më parë i dialogut mes qeverise dhe opozitës në Parlament, si bazë e konsensusi kombëtar për t'u fokusuar tek reformat që kërkon hapja e negociatave në qershor.

"Procesi i reformave është duke vazhduar dhe Komisioni Europian  ka kërkuar që të ketë vendim pozitiv për Shqipërinë.  Ne i bëjmë thirrje KE që të përqendrohet në këto fakte dhe që të hapet drita jeshile për negociatat. Ky Parlament mund të vazhdojë rrugëtimin dhe me anëtarë të rinj të parlamentit", konkludoi kryesuesi i delegacionit të PE, Tunne Kalem.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana