1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brexit-i: “Kosto më të larta, më shumë burokraci”

9 Shkurt 2022

Kryeministri britanik Johnson donte ta çonte vendin e tij në një "epokë të artë" pas Brexitit. Por një raport i ri i parlamentit britanik kritikon se largimi nga BE deri tani ka sjellë më shumë probleme në ekonomi.

https://p.dw.com/p/46l0l
Demonstrate kunder Brexitit: Pankarta Brexiti nuk funksionon
Fotografi: picture alliance/dpa/SOPA/ ZUMA Press Wire

Parlamentarët britanikë e kanë vlerësuar në mënyrë kritike Brexit-in dhe kanë paralajmëruar për pasoja të tjera. Sipas një raporti parlamentar, "efektet e vetme të identifikueshme” të Brexit-it në bizneset në Mbretërinë e Bashkuar janë "kosto më të larta, më shumë burokraci dhe vonesa në kufij”, konstatoi Komiteti i Auditimit në raportin e tij.

Komisioni parlamentar përgjegjës për monitorimin e shpenzimeve publike konsideron se është "e qartë” se Brexit ka pasur "ndikim” në rënien e tregtisë. "Një nga premtimet e mëdha të Brexitit ishte çlirimi i bizneseve britanike për t'u dhënë atyre më shumë hapësirë për të maksimizuar prodhimtarinë dhe kontributin e tyre në ekonomi," tha kryetarja e komitetit, Meg Hillier, nga partia laburiste e opozitës. Ky reduktim i barrierave tregtare është "edhe më urgjent tani që jemi në rrugën e gjatë drejt rimëkëmbjes nga pandemia”. Por deri tani, Brexit-i vetëm sa ka rritur barrën.

Boris Johnson
Fotografi: Daniel Leal/AFP

Kontrollet më të forta kufitare mund ta përkeqësojnë situatën

Raporti paralajmëroi se vështirësitë në kufi do të intensifikoheshin më tej po të normalizohej tregtia dhe të hyjnë në fuqi kontrollet e reja të importit, siç ishte planifikuar. "Është koha që qeveria të flasë me ndershmëri për problemet në vend që të bëjë premtime të tepruara," kritikoi Hillier. Premtimi i qeverisë së luftëtarit pararojë të Brexit-it Boris Johnson për të krijuar "kufirin më efikas në botë" deri në vitin 2025 është "optimist", sipas raportit. Autorët "nuk janë të bindur” se premtimet do të "mbështeten nga një plan i detajuar”.

Vonesat janë të mundshme edhe për udhëtime private, paralajmëroi komiteti. "Ne besojmë se qeveria duhet të bëjë shumë më tepër në afat të shkurtër për të kuptuar dhe minimizuar barrën aktuale për ata që bëjnë tregti me BE”, tha Hillier. Qeveria tha se po ndihmonte bizneset të tregtojnë me Evropën.

Kalimi kufiri ne Irlanden e Veriut: dy kamione ta ndalur
Fotografi: Liam Mcburney/PA Wire/dpa/picture alliance

Bllokim trafiku përgjatë kanalit anglez

Që nga 1 janari 2021, Britania nuk është më anëtare e bashkimit doganor të BE-së dhe tregut të përbashkët. Një marrëveshje tregtare e lidhur në minutën e fundit sigurisht që garanton që tregtia me BE mund të vazhdojë të kryhet kryesisht pa detyrime doganore. Por rregulloret e reja po shkaktojnë ende vonesa.

Që nga fillimi i vitit, edhe Britania ka kontrolluar në mënyrë më rigoroze importet nga BE, gjë që po pengon edhe qarkullimin. Së fundmi, bllokime të gjata trafiku kamionësh janë krijuar përpara portit të rëndësishëm të Doverit, në Kanalin Anglez. Vetëm të martën kryeministri Johnson emëroi deputetin Jacob Rees-Mogg 'Sekretar Shteti për Mundësitë e Brexit-it'. 

 

aud (tgsch, rtr)