1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paratë e terroristëve

Andreas Becker17 Dhjetor 2015

Të shterrohet financimi i organizatës terroriste, këtë qëllim i kanë vënë vetes shtetet e G20-ës në samitin e tyre në Antalia. Më e lehtë të thuhet se sa të bëhet. Si financohet ISIS?

https://p.dw.com/p/1HP6b
Syrien Behelfsmäßige Ölraffinerie
Një rafineri ambulante në SiriFotografi: Reuters/K. Ashawi

Dihet se organizata terroriste ISIS zotëron mjete financiare marramendëse. Sipas qeverisë federale gjermane duhet të bëhet fjalë për një "kapital me vlerë 1-2 miliardë dollarë amerikanë".


Edhe të ardhurat rrjedhëse të terroristëve janë të konsiderueshme dhe vijnë nga një numër i madh burimesh: nga kontrabanda e naftës dhe antikuariateve, tek grabitja e bankave e deri tek shpronësimi i njerëzve, nga zhvatja e parave për mbrojtjen dhe lirimin e pengjeve, tek të ardhurat nga taksat e deri tek donacionet.

Por në shumë raste mungojnë të dhënat e sakta. "Për këtë çështje qeveria nuk ka informacione" ishte fjalia më e përsëritur në pranverë në përgjigjen me shkrim prej 16 faqesh të qeverisë gjermane ndaj katalogut të pyetjeve të Partisë së të Majtëve në Bundestag.

Pak varësi nga jashtë


Në ndryshim nga organizatat si Al-Qaida, ISIS nuk është një rrjet terrorist i shpërndarë, por ai funksionon si një shtet. Ai kontrollon territore, burimet dhe popullsinë e atjeshme. Prandaj varësia e tij "nga rrymat financiare të huaja është përgjithësisht e vogël", beson qeveria federale.
"Shteti Islamik kontrollon një territor të gjerë dhe mund të gjenerojë kapital e të krijojë rryma financiare brenda tij, të cilat Al-Qaida nuk i dispononte", thotë Reinhard Schulze, studiues i islamit në Universitetin e Bernës. Kjo i vështirëson edhe përpjekjet e ndërkombëtarëve në prerjen e financimeve të terroristëve.
Sidoqoftë të ardhurat nga kontrabanda e naftës janë në rënie – sepse çmimi i naftës është shumë i ulët, por edhe sepse ndërkohë në Turqi, në Irak dhe në territoret kurde janë përmirësuar kontrollet, kështu vlerësimi i Financial Action Task Force (FATF), një grup ndërkombëtar pune i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në luftë kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Sidoqoftë mund të bëhet më shumë. "Ne kemi nevojë për informacione më të mira rreth prejardhjes së naftës, ndërmjetësit, blerësit, transportuesit, tregtarët dhe rrugët e transportit", kështu raporti i FATF.
Edhe sulmet ajrore i zvogëlojnë të ardhurat nga nafta. Kështu (16.11.2015) disa raketa luftarake shkatërruan 116 autoçisterna në provincën siriane Deir Essor, njoftoi Ministria e Brendshme e SHBA.
Sipas qeverisë gjermane, deri në pranverën e këtij viti, ISIS-i ka nxjerrë "deri në 200.000 dollarë amerikanë në ditë" nga tregtia e naftës. Këto përbëjnë 6 milionë dollarë në muaj. Por ka edhe vlerësime me shifra shumë më të larta, informacionet e besueshme janë të rralla.
Të ardhura të larta, shpenzime të larta
Një burim i rëndësishëm të ardhurash për ISIS-in janë edhe ato nga taksat dhe tatimet në territoret e pushtuara. Banorët e tyre duhet të paguajnë "5 deri 15 përqind të të ardhurave të veta", sipas qeverisë. Këtyre u shtohen taksat e posaçme për banorët jo-myslimanë, si dhe tarifat e energjisë elektrike, të ujit, përdorimit të pasurive të patundshme, të telefonisë, të qarkullimit dhe të transportit të mallrave.

Irak IS brennende Ölquellen
Burim nafte e IS në veri të Irakut duke u djegur pas një sulmi të frocave shiite të këmbësorisë me mbështetjen e aviacionit të koalicionit kundër IS, 24.10.2015Fotografi: picture-alliance/dpa/H. Al-Assadee

Nëse ISIS vihet nën presion ushtarak, atëherë kjo ka pasoja të drejtpërdrejta për të ardhurat e tij. "Shteti Islamik, që nga korriku, ka humbur vazhdimisht territore dhe të ardhura", shkruan drejtori i Shërbimit të Informacionit të SHBA (IHS) në raportin e tij të fundit. "Kjo e zvogëlon edhe aftësinë e tij për të paguar luftëtarët e tij."


Vlerësimet mbi madhësinë e trupave të ISIS-it variojnë shumë. CIA, shërbimi sekret amerikan, mendon se deri nga fundi i 2014-ës duhet të kenë qenë 30.000 luftëtarë, ndërsa për ekspertin e sigurisë pranë Georgetown University, Daveed Gartenstein-Ross, shifra 100.000 është më e mundshme. Të mbash një ushtri të tillë është e kushtueshme. Sipas të dhënave që posedon qeveria gjermane, luftëtarët e thjeshtë marrin një pagë mujore prej 400-500 dollarësh, komandantët më shumë se 3000 dollarë. Edhe në vlerësimet më konservative shifra shkon deri në 15 milionë dollarë në muaj – vetëm për pagat e luftëtarëve.
Qeveria federale ka marrë edhe sinjale, sipas të cilave organizata terroriste "favorizohet nga financues privatë nga shtetet e Gjirit Persik. Donacionet mblidhen pjesërisht nën petkun e organizatave humanitare, por edhe në mënyrë të hapur". Domethënia e këtyre donacioneve për ISIS-in sidoqoftë duket se ka rënë.
Taksat dhe tatimet
Financial Action Task Force (FATF) u ka paraqitur një raport të ri shteteve të G20-ës gjatë samitit të tyre (15.11.2015) në Antalia. Sipas tij, në Arabinë Saudite, që nga 2010-a, janë kryer deri në 863 dënime për shkak të financimit të terrorizmit. Në vend të dytë ndodhen SHBA me rreth 100 dënime. Por përgjithësisht dënimet janë të rralla. Vetëm në 33 nga gjithsej 194 vendet e shqyrtuara ka pasur dënime të njerëzve që kanë financuar aktivitetet terroriste, kështu raporti.
Përveç kësaj, 37 shtete, në mënyrë të pavarur, kanë vënë sanksione kundrejt individëve dhe organizatave si dhe kanë ngrirë llogaritë e tyre bankare. Në bazë të shumës së bllokuar, Arabia Saudite edhe këtu renditet e para, deri në mesin e gushtit u ngrinë gati 31 milionë Euro, në SHBA ishin 20 milionë, në Izrael 6 milionë Euro. Përfundimi i raportit: Lufta kundër terrorizmit është shumë e ngadaltë e, përveç kësaj, shumica e vendeve nuk i venë në përdorim mundësitë e tyre ligjore.

Terror me buxhet të vogël

Për më tepër, transaksionet financiare shpesh kryhen jashtë sistemit bankar. ISIS ka "ngritur një sistem transaksionesh tejet informal", thotë studiuesi i islamit Schulze, një sistem i cili me gjasa bazohet në sistemin arab të Hawala-s. Ky është një sistem informal transaksionesh, rrënjët e të cilit shkojnë deri në mesjetë, dhe i cili bazohet sidomos tek besimi reciprok. "Mënyra e funksionimit të tij është e vështirë të kuptohet edhe nga ekspertët financiarë", kështu Schulze. Pagesat kryhen me para në dorë, në të gjithë botën – dhe në mënyrë anonime." Ai bën të mundur që ai që paguan paratë të mos e dijë se kush i merr ato", thotë Schulze. "Dhe ai që i merr paratë nuk e di se nga vijnë ato."

Pavarësisht nga situata financiare e ISIS-it, fakt është që aktet terroriste si ato në Paris mund të kryhen pa pasur nevojë për mjete të mëdha financiare. Instituti norvegjez për Studimin e Çështjeve të Mbrojtjes ka shqyrtuar 40 sulmet terroriste më të përgjakshme, që kanë ndodhur në Evropë midis viteve 1994 dhe 2013. Tre nga katër kanë kushtuar më pas se 10.000 dollarë. Megjithë humbjet ushtarake në Siri dhe Irak, aftësia e ISIS-it për të kryer sulme terroriste jashtë vendit nuk ulet, hamendëson drejtori i Shërbimit të Informacionit IHS.