1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Beogradi dhe Prishtina të kthehen në tavolinën e bisedave

Bekim Shehu''
3 Shtator 2019

Matthew Palmer ka thënë pas emërimit si i ngarkuar special amerikan për Ballkanin Perëndimor se “është dëshirë e SHBA, një njohje e ndërsjellë Kosovë-Serbi, si një pikë qendrore e marrëveshjes”.

https://p.dw.com/p/3OwdR
Matthew Palmer
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/A. Emric

Palmer: Beogradi dhe Prishtina të kthehen në tavolinën e bisedave  

 

NËNTITULL: Matthew Palmer pas emërimit si i ngarkuar special amerikan për Ballkanin perëndimor ka thënë se “është dëshirë e SHBA-së, një njohje e ndërsjellë Kosovë-Serbi si një pikë qendrore të marrëveshjes”.

 

 

I ngarkuari special i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Ballkanin perëndimor Matthew  Palmer, që është njëkohësisht edhe zëvendës-ndihmës sekretar amerikan i Shtetit ka  deklaruar se qëllimi i SHBA-së është që “Beogradi dhe Prishtina të kthehen në tavolinën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje”. E kjo marrëveshje sipas tij, do të ishte dëshirë e SHBA-së, një njohje e ndërsjellë Kosovë-Serbi si një pikë qendrore e marrëveshjes.

Matthew Palmer tri ditë më parë u emërua nga DASH përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Në njoftimin për medie të DASH thuhej se zoti Palmer do të “udhëheqë përpjekjet e SHBA-së për të fuqizuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe në fokusimin në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore”. Para se të nisë një vizitë në rajon, në një intervistë për Tanjug, Palmer ka deklaruar se “normalizimi i  marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, do ta transformonte tërë Ballkanin dhe do të hapte rrugën evropiane për Serbinë dhe Kosovën”.

Palmer në një vizitë në Prishtinë (23.10.2018)
Palmer në një vizitë në Prishtinë (23.10.2018)Fotografi: Büro des Kosovo-Präsidenten

“Kthimi i Beogradit dhe Prishtinës në tryezën e bisedimeve, është një qëllim afatshkurtër për Shtetet e Bashkuara. Zgjidhja e çështjes së Kosovës është shumë e lartë në agjendën time. Ne kemi mundësinë dhe ne duam ta shfrytëzojmë këtë. Qëllimi është që të kthejë palët në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur dhe të sigurojmë një marrëveshje”, thotë Palmer. Duke nënvizuar zgjedhjet e Kosovës më 6 tetor dhe zgjedhjet në Serbi që pritet të zhvillohen në pranverë, Palmer shpreson që qeveria e re e Kosovës do të pranojë të pezullojë taksat ndaj Serbisë për të lejuar që të rifillojë dialogu, ndërsa, Beogradi të ndalë lobimin tek vendet e tjera për të tërhequr njohjet e Kosovës.

Në kuadër të Forumit të Bledit që po mbahet në Slloveni, shefi i diplomacisë kosovare, Behxhet Pacolli, takoi me (03.09) diplomatin amerikan Metthew Palmer, me të cilin siç thotë Pacolli, diskutuan pikërisht për dialogun Kosovë-Serbi.

“Unë e përgëzova zotin, Palmer për emërimin e tij, dhe si një mik i vjetër i Kosovës, në këtë pozicion të ri ai do të vazhdojë të na mbështesë në të gjitha nivelet. Ne e shohim dialogun si një proces të rëndësishëm që ka një mundësi për të mbyllur kapitullin e errët midis Kosovës dhe Serbisë. Normalizimi i marrëdhënieve me njohje të ndërsjelltë është qëllimi i vetëm - asgjë më pak - dhe ne e vlerësojmë pozicionin e fuqishëm të Uashingtonit për ketë synim”, shkroi Pacolli në profilin e tij.

Bashkimi Evropian që deri tash ka qenë ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, pret bashkëpunim me zotin Palmer, thotë Maja Kocijanciq  zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane.

“SHBA ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në punën tonë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht kur bëhet fjalë për sukses në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE. BE dhe SHBA ndajnë një interes të fortë të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe të prosperuar dhe ne mezi presim që të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në dhe Matthew Palmer si i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin perëndimor”, ka thënë Kocijanciq.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprhet i gëzuar për emërimin e diplomatit amerikan Matthew Palmer si i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor: “Emërimi i Mathew Palmer, tregon për një angazhim më të madh dhe më të veçantë të SHBA-së në Ballkan dhe përpjekjeve të tyre për integrim euro-atlantik”, ka thënë Thaçi.

E nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se “Palmer do të ndjekë politikën e SHBA-së me një energji të madhe, ndërsa, hedh poshtë çdo pretendim se ai do ta mbajë anën e Serbisë për shkak të “lidhjeve të tij familjare”.

“Palmer është një njeri i përgjegjshëm, serioz dhe i zellshëm. Më duket qesharake dhe marrëzi kur thonë se ai është dhëndër serb, andaj do të ketë prirje ndaj nesh. Ai do të kryejë punën në politikën amerikane fuqishëm, ndonjëherë edhe me brutalitet dhe neve nuk na presin kurrfarë detyra të lehta”, tha Vuçiq  pë RTS.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian u ndërpre në nëntorin e vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi taksë 100% ndaj mallrave serbe. Kjo masë e Prishtinës ishte si kundërpërgjigje ndaj fushatës diplomatike të Serbisë kundër dhe për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Analistët në Prishtinë thonë se emërimi i Matthew Palmer, si i ngarkuar amerikan për Ballkanin perëndimor, tregon qartë se Shtetet e Bashkuara po duan të përfshihen shumë më tepër në zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi dhe kjo çështje të zgjidhet  para përfundimit të administratës Trump. Edhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini deklaroi në Konferencën e Ambasadorëve të BE-së se “Evropa ka interes të qartë për ta sjellë Ballkanin Perëndimor në BE, sepse sa më vonë ne në BE mund të pendohemi”.